Deklarata e plotë e kryeministrit Edi Rama

Me keqardhje dua t’ju them se nuk më vjen i papritur, refuzimi që Partia Demokratike i bëri sot, propozimit më të fundit për kompromis mbi draftin e Reformës në Drejtësi. Propozim që këtë radhë, siç e dini, e bëri në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Viktoria Nuland.

Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës, sepse përgjatë një viti e gjysmë të procesit të hartimi të draftit të Reformës në Drejtësi, Partia Demokratike i ka dhënë me të gjitha mënyrat sinjalet që nuk e do Reformën në Drejtësi.

E ka bojkotuar procesin, fillimisht, për një kohë të gjatë; Ka hyrë e ka dalë në proces, duke futur e duke nxjerrë letra pa lidhje vetëm për ta ngatërruar procesin; Ka baltosur ekspertët e nivelit të lartë si ka mundur, sa ka mundur, ku ka mundur; Ka abuzuar pa pushim me opinion e Komisionit të Venecias, duke u kapur fillimisht gjatë dimrit, pas një paragrafi 55 dhe pastaj me pranverën, pas një paragrafi 88, si i mbyturi pas fijes së barit.

Është tallur me partnerët strategjikë të Shqipërisë, duke ju thënë se ka vetëm një hall, si të mos e kapi Edi Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vende të rezervuara. Pastaj ka sjellë një propozim për të zgjidhur hallin, duke kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara dhe duke kërkuar jo përfshirje substanciale të opozitës, siç këshillon Komisioni i Venecias, por barazi të plotë pjesëmarrjeje në komisioni “ad hoc” të përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit, ose ndryshe të Vetingut të gjykatësve dhe të prokurorëve, 6 nga shumica dhe 6 nga opozita.

Kur ne kemi pranuar edhe këtë propozim, ka marrë 48 orë kohë nga takimi me Ndihmës Sekretaren Nuland, jo për ta pranuar, por për ta rrëzuar. Duke nxjerrë një kundërpropozim, që në fakt nxjerr në pah të vërtetën e fshehur për një vit e gjysmë:

Partia Demokratike nuk e ka pasur hallin tek vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë, profesionalizmin, integritetin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë. Sepse, i friket pikërisht paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurive, vendimmarrjeve dhe aftësive të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

E keni dëgjuar ndonjëherë Partinë Demokratike të thotë se e ka hallin, pikërisht, tek humbja e kontrollit që ka mbi pengmarrësit e korruptuar të sistemit të drejtësisë, gjykatës dhe prokurorë me të cilët ka rivrarë të vrarët në Gërdec dhe në bulevard dhe e ka kthyer drejtësinë në një pazar të madh mesjetar, ku të korruptuarve të saj nuk i ka hyrë deri më sot, asnjë gjemb në këmbë. Natyrisht që jo! Këtë nuk e keni dëgjuar, sepse këtë nuk mund t’jua thonë.

A i keni dëgjuar ndonjëherë të thonë që nuk duan që ndërkombëtarët të fusin hundët në pazarin e madh, që pushteti i Partisë Demokratike, për t’u siguruar jetë e mot se nuk preket nga drejtësia për zullumet që e çuan Shqipërinë drejt falimentit moral dhe ekonomik, ka krijuar brenda kufijve të sistemit të drejtësisë? Natyrisht jo! As këtë nuk e kanë thënë kurrë.

Ndoshta, krenaria e luftëtarit për drejtësi me gjasme, i ka shtyrë ta besojnë vërtet përrallën që kanë treguar çdo ditë, me gogolin, një vit e gjysmë rresht, ku i gjithë problemi ishin “kthetrat e mia” në sistemin e drejtësisë. Duke e besuar edhe vetë këtë përrallë, nuk e kanë menduar që do vinte dita të dilnin kaq zbuluar para popullit dhe para partnerëve tanë strategjikë, të zhgënjyer, sepse të befasuar nga “jo”-ja, pasi këta tanët nuk e kanë menduar se ne do ta pranonim propozimin e tyre, të hartuar në fakt jo për kompromis me ne, por vetëm që ne të thoshim “jo”.

Po tani, çfarë do të thonë? Mos do t’ju thonë që halli është bërë edhe më i madh, se Amerika dhe Europa do kapin drejtësinë e pavarur shqiptare. Apo do t’ju thonë që ne e duam shumë Amerikën, edhe Europën e duam shumë, por duam më shumë Shqipërinë sovrane, që nuk pranon përzierjen e të huajve në punët e veta të brendshme. Ta dëgjojmë çfarë do t’ju thonë.

Por shpresoj dhe besoj që ju nuk e keni harruar se sa herë ka ndodhur që në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Demokratike të kërkojë hetime ndërkombëtare, prokurorë ndërkombëtarë, madje dhe vetë Byronë Federale të Hetimit, FBI-në, që të vijnë këtu, të marrin në dorë situatën, të zbardhin histori korrupsioni apo skandale të sajuara nga ata vetë.

Ju nuk e keni harruar, besoj, sa herë kanë kërkuar edhe votim në Kuvend, që Kuvendi i Shqipërisë të miratonte, - a thua se Amerika s’ka sovranitet, - përfshirjen e hetuesve amerikanë në hetime për çështje të veçanta të drejtësisë shqiptare, deri aty, duke i detyruar partnerët tanë të dalin dhe të thonë: “Ne nuk përfshihemi drejtpërdrejtë në hetimet e një vendi tjetër, por jemi të gatshëm t’ju mbështesim në reformimin e drejtësisë shqiptare.”

Një mbështetje e tillë e SHBA, e BE, një vëmendje e tillë, e partnerëve tanë strategjikë mbi Shqipërinë, në një kohë që bota e trazuar ka 1001 halle të tjera, flet më shumë se çdo fjalë dhe koment. 

T’i thuash kësaj mbështetje, mbaj distancë, është e papranueshme. Është e qartë që ato lloj kërkesash dhe thirrjesh për hetime ndërkombëtare ishin një tallje. Një tallje e madhe me njerëzit, sepse ne e dimë shumë mirë që të huajt nuk bëjnë hetime të tilla në vende të tjera. Por, kjo kujtesë që po bëj unë tani vlen për faktin se kur talleshin, nuk kujtoheshin për sovranitetin, për pavarësinë e drejtësisë nga të huajt, për futjen e hundës së Amerikës dhe të Europës në punët tona të brendshme. Ndërsa tani që partnerët tanë janë të gatshëm të na ndihmojnë seriozisht, jo duke i bërë ata hetimet, por duke mbështetur me një mekanizëm të strukturuar operacionin e kancerit në sistemin e drejtësisë dhe duke na ndihmuar që të flakim më në fund pas 20 e kusur vitesh jashtë sistemit, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, - Partia Demokratike na u kujtua për sovranitetin dhe kërkon të vërë kufirin te thana Amerikës dhe Europës.

Një koleg, nga një vend i BE, njohës i mirë i procesit të integrimit, të bashkimit të vendeve ish komuniste më tha: “Shqipëria është rasti i parë që, jo qeveria, por opozita pengon projektin e përbashkët të një vendi që është në proces integrimi me BE për Reformën në Drejtësi”.

Të gjitha Reformat në Drejtësi të vendeve që më pas u anëtarësuan në BE janë bërë në bashkëpunim me BE dhe SHBA, sepse nuk ka aplikuar BE të integrohet në Shqipëri, por Shqipëria të integrohet në BE. Nuk ka vend të BE që të pretendojë sovranitet mbi mënyrën si i kupton dhe si i zbaton normat dhe standardet e Familjes Europiane. Nuk ka!

Në emër të sovranitetit britanikët e morën veten në qafë. Nëse në emër të sovranitetit ky refuzim është një ftesë, që ta marrim dhe ne veten në qafë. Kjo është një ftesë që asnjë shqiptar, socialist, demokratik, pa parti, në Shqipëri, jashtë Shqipërisë nuk mund ta pranojë.

Një drejtësi që ndëshkon të korruptuarit i hap këtij populli rrugën e anëtarësimit në BE. Ndërsa frika e të korruptuarve nga drejtësia e ndëshkon këtë popull, keqazi, duke e lënë jashtë BE dhe në duart e kasapëve të sistemit të sotëm të drejtësisë.

Refuzimi i sotëm është një provë. Edhe më ulëritëse janë faktet. Në këtë 1 vit e gjysmë përpjekje për reformën, PD është gati ta sakrifikojë popullin dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë për të mbrojtur të akuzuarit e vet nga një drejtësi e reformuar dhe e gatshme të përballet me kancerin e korrupsionit, në nivelet më të larta.

Megjithatë ka akoma kohë, ka akoma mundësi, shpresa vdes e fundit. Ka akoma shpresë që në PD nuk ka vdekur çdo frymë arsyetimi.

Unë i bëj thirrje publikisht Lulzim Bashës, të mos udhëhiqet nga frika, por ta udhëheqë Partinë Demokratike drejt interesit të madh kombëtar, që lidhet me këtë reformë historike, shtetbërëse dhe integruese njëkohësisht.

Unë e ftoj Lulzim Bashën të ulemi përsëri, të flasim si dy shqiptarë që sot janë në krye të partive, por nesër do të jenë njësoj si 4.4 milionë shqiptarë apo po të doni, 10 milionë shqiptarët e zakonshëm që janë apo s’janë shtetas të Shqipërisë, e duan dhe e meritojnë Shqipërinë europiane, shtet të së drejtës së garantuar nga një drejtësi e drejtë dhe po ashtu e duan dhe e meritojnë për fëmijët e tyre një vend të integruar në BE, në familjen e bashkuar të popujve të Europës.

Unë u bëj apel gjithë demokratëve nga selia qendrore deri në çdo qelizë të PD, që të bëjnë diçka për të mos lejuar që e ardhmja e Shqipërisë të refuzohet nga frika e drejtësisë dhe Shqipëria të kthehet në një vend, ku frika e të korruptuarve të marrë pushtetin në këtë udhëkryq dhe të sundojë udhëkryqin, duke i hapur prapë një hendek të së shkuarës, mes nesh dhe familjes europiane.​

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Miratohet bonusi i qirasë për familjet e Kombinatit, Veliaj: Brenda verës hedhim shortin për shtëpitë e reja! I kemi fituar të gjitha gjyqet