TIRANE- Lufta në Siri i ka marrë jetën një tjetër shqiptari. Këtë rradhë viktimë ka mbetur shtetasi Bledar Hamza 28 vjeç nga zona e Pogradecit. Hamza që njihet në Siri me emrin Edu Samed, është vrarë gjatë luftimeve të djeshme. Nuk dihet se në çfarë rrethanash është ekzekutuar 27 vjeçari shqiptar, por sipas familjes ai ka qënë nën shoqërinë dhe të disa shqiptarëve të tjerë, që ndodhen në Siri. Ky është një rast i përsëritur, pasi shumë shqiptarë të tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë humbur jetën në betejat luftarake në Siri. Lidhur me rastin në fjalë mësohet se 27 vjeçari kishte rreth dy vite që banonte në Arabinë Saudite së bashku me familjes e tij. Sipas tezes së Bledar Hamzës, në komunikimet që ka pasur me nipin dhe motrën e saj, gjithmonë ata i kanë treguar se Bledari punonte si kuzhinier. Konfirmohet se kanë nisur dhe procedurat e tërheqjes së trupit nga Siria.

Dëshmia e tezes
Lajmi i kobshëm ka mbërritur edhe tek familjarët nga bashkëshortja e tij, e cila prej 6 muajsh shoqëronte bashkëshortin në Siri, së bashku me vajzën 2-vjeçare ndërsa priste të sillte në jetë edhe një tjetër fëmijë. Familjarët tregojnë se 27-vjeçari prej kohësh ishte përqendruar tek feja islame dhe u largua nga Shqipëri, 1 vit e gjysmë më parë, ndërsa asnjëherë nuk e tregoi vendndodhjen e tij të vërtetë. Ata tregojnë se 27-vjeçari u kishte thënë familjarëve se ndodhej në Arabi dhe askush nuk shqetësohej për fatin e tij. “Iku 1 vit e gjysmë më parë. Na tha se do shkonte në Arabi dhe do të punonte.

Në verë morri dhe bashkëshorten me vete, të dy ishin besimtarë. Asnjëherë nuk na treguan të dy për të vërtetën se ku ndodheshin, por Bledi tha se punonte kuzhinier. Sirinë nuk e përmendi kurrë”,- shprehet tezja e 28-vjeçarit Zeliana Lipo. Familjarët i bëjnë apel shtetit të sjellë sa më parë trupin në Shqipëri. Vetëm në fshatin Leshnicë janë edhe tre të rinj të tjerë, të cilët janë larguar në Siri duke luftuar kundër regjimit të Assad, njëri prej tyre ka humbur kontaktet me familjarët 9 muaj më parë dhe askush nuk di asgjë për fatin e tij. Ndërkohë që vetëm në dy javët e fundit janë vrarë disa shqiptarë që po luftojnë krah rebelëve sirianë që po përpiqen ta rrëzojnë diktatorin Assad.

Shqiptarët drejt Sirisë
Qindra shqiptarë i janë bashkuar luftës xhihadiste në Siri. Për grumbullimin e tyre, veprojnë rjete të caktuara, të cilat arrijnë ti rekrutojnë dhe më pas ti dërgojnë në Turqi ose Arabinë Saudite, prej nga më pas i hedhin në tokën Siriane, duke i armatosur kundër rregjimit të Assadit. Së bashku me luftëtarët e shenjtë, rekrutohen edhe familjet e tyre, duke u strehuar në banesat e braktisura nga popullata Siriane. Pjesa më e madhe e shqiptarëve pas ekzekutimit në betejat, trupat e tyre janë varrosur në tokën Siriane. Komuniteti ndërkombëtar aktualisht është duke diskutuar në Gjenevë të Zvicrës për ti dhënë fund luftës me trupave të opozitës Sirine dhe ushtrisë së Assadit.
 

Shkrimi u publikua sot (29.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)