Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sot në Kuvend, projektligjin për Lustracionin me qëllim dekomunistizimin e shoqërisë. Deputeti i PD-së Kreshnik Çollaku prezantoi nga kryesia e Kuvendit, paketën ligjore për drejtësinë tranzitore, të materializuar në 4 nisma ligjore.
‘(i)Projektligji për shpalljen muze kombëtar të Spacit dhe kampit të Tepelenës; (ii) Projektligji për hapjen e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit: (iii) Projektligji për ndërgjegjësimin, kujtesën kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të regjimit totalitar komunist; dhe (iv) Projektligji për lustracionin.’- tha Çollaku.
Tre projektligjet e para janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa projektligji i lustracionit është depozituar sot. Sipas Çollakut, ky projektligj është hartuar me mjaft kujdes, duke pasur veçanërisht në vëmendje vendimin nr. 9, datë 23.03.2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencën e çmuar të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Çollaku tha se qëllimi i këtij projektligji nuk është hakmarrja, por nëpërmjet kuadrit ligjor të mbrohen institucionet e brishta shqiptare nga individë, të cilët në të kaluarën e tyre kanë qenë të angazhuar në strukturat e larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo ish-Sigurimin e Shtetit.
‘Projektligji i propozuar reflekton standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me legjislacionin për pastërtinë e figurës (lustracionin). Qëllimi i këtij projektligji nuk është aspak hakmarrja, nxitja e urrejtjes, konfliktit apo përçarjes sociale, por nëpërmjet një kuadri ligjor të detajuar synon që të mbrojë institucionet e brishta shqiptare nga individë, të cilët në të kaluarën e tyre kanë qenë të angazhuar në strukturat e larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo ish-Sigurimin e Shtetit. Kjo mbrojtje realizohet nëpërmjet shkarkimit nga detyra, në rastet kur personat janë të zgjedhur apo emëruar në detyrë, apo ndalimit të zgjedhjes apo emërimit, kur ata janë duke u përpjekur të zënë një funksion të caktuar publik.’- u shpreh Çollaku.
Deputeti demokrat u shpreh se shkarkimi nga detyra apo ndalimi për të marrë një funksion publik nuk do të kryhet në mënyrë arbitrare, por nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor që respekton të gjitha të drejtat dhe garancitë e përcaktuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
‘Përkatësisht, cdo funksionari apo kandidati i garantohet e drejta për t’u njohur me materialet e dosjes së tij, për t’i kundërshtuar gjetjet paraprake, për t’u dëgjuar në seancë publike, për t’u përfaqësuar vetë ose me avokat, për t’u njohur me vendimin e arsyetuar, dhe kur e vlerëson të arsyeshme për të bërë kundërshtimin e tij në gjykatë. Projektligji ka përcaktuar në një listë shteruese rrethin e funksionarëve publikë që i nënshtrohen verifikimit. Kjo listë përmban funksionarët më të lartë të shtetit shqiptar, qofshin ata të zgjedhur nga populli, të emëruar nga Kuvendi, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, organe kushtetuese apo të krijuara me ligj, si dhe funksionarë që ushtrojnë detyra të një rëndësie të vecantë. Nga ana tjetër, lista e funksioneve të mbajtura gjatë regjimit totalitar komunist, i referohet vetëm atyre detyrave, të cilat kanë qenë përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e politikave të dhunës dhe represionit, pra kanë shkaktuar një dëm aq të madh në shoqëri, sa duhen prezumuar fajtorë.
Ky projektligj përmban disa risi, një prej të cilave qëndron në faktin se për aplikimin e ndalimit të zgjedhjes, emërimit apo ushtrimit të funksioneve publike, Autoriteti i Dosjeve duhet të vlerësojë, përveç qënies ose jo në një pozicion të caktuar, edhe veprimtaritë e kryera dhe vullnetin e personit gjatë kryerjes së këtyre veprimeve. Kjo i përgjigjet standardit të vendosur nga jurisprudenca kushtetuese për individualizimin e fajit. Thjesht dhe vetëm fakti që një person ka pasur një pozicion apo ka qenë anëtar në një strukturë të caktuar, nuk nënkupton automatikisht shkarkimin e tij apo ndalimin e zgjedhjes a emërimit. Kërkohet gjithashtu që personi të ketë kryer disa veprimtari me vullnetin e tij. Projektligji përjashton nga përgjegjësia personat që kanë vepruar në kushtet e shtrëngimit a kanosjes, si dhe ata nën moshën 18 vjec.
Një tjetër risi e projektligjit, është fakti që funksionari gëzon të drejtën që të tërhiqet nga funksioni dhe rasti i tij të mos bëhet publik. Nëse nga veprimtaria e tij iu është shkaktuar dëm të tretëve, mospublikimi vendoset nëse krahas aktit të tërheqjes, zyrtari ka paraqitur edhe një letër pranimi mbi faktet dhe ka kërkuar ndjesë për të dëmtuarit. Po ashtu, funksionari mund të shfaqë pendesë për veprimet e kryera nga ana e tij, duke pasur detyrimin që të rrëfejë të gjithë të vërtetën që ai di. Kur rrëfimi rezulton i vërtetë, zyrtari përfiton përgjysmimin e kohës së ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike. Në cdo rast për funksionarët e zgjedhur apo ata që kërkojnë të zgjidhen, periudha e ndalimit duhet të përfshijë së paku një proces zgjedhor, vendor apo të përgjithshëm.
Projektligji, në respekt të parimit të proporcionalitetit, ka përcaktuar edhe kohëzgjatjen e ndalimit, duke e kufizuar atë në 15 vjet nga data e marrjes së vendimit të Autoritetit, si dhe duke vendosur një afat maksimal për kohështrirjen e efekteve të projektligjit deri më 1 janar 2037. Afati 15-vjecar i ndalimit është i njëjti me atë të parashikuar nga Kushtetuta për magjistratët që shkarkohen nga detyra apo japin dorëheqjen me vullnetin e tyre. Duke qenë se ky afat ndalimi i është nënshtruar vlerësimit nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese, duke u konsideruar proporcional, cmohet se është një ndalim i arsyeshëm.
Megjithëse, procedura e zhvilluar nga Autoriteti respekton me përpikëri parimet dhe standardet e procesit të rregullt ligjor, kjo nuk e pengon funksionarin, kur e vlerëson me vend, që t’ia nënshtrojë cështjen e tij gjykimit nga një gjykatë e pavarur, e paanshme dhe e caktuar me ligj. Prandaj, projektligji ka përcaktuar të drejtën e subjektit për t’u ankuar në Gjykatën Administrative të Apelit. Në cdo rast, funksionari mund të ushtrojë edhe të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë. E drejta e ankimit i njihet edhe partive politike parlamentare, 10 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Avokatit të Popullit dhe organizatave të shoqërisë civile që merren me cështjet e dekomunistizimit.
Dëshirojmë të theksojmë që përgatitja e kësaj pakete ligjore ka filluar që në nisje të kësaj legjislature, me një konsultim të gjërë me shoqatat e të përndjekurve politikë, organizatat që punojnë me çështjet e dekomunistizimit dhe ekspertë të fushës, për të arritur në katër produkte finale që synojnë adresimin e thelbit të problemeve.’- u shpreh Çollaku.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Në Kuvend, Partia Demokratike me në krye Enkelejd Alibeajn ka depozituar një projektligj për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, duke i deklasifikuar si sekret shtetëror. Nisma parashikon ndryshimin e ligjit të vitit 1999 për informacionin e klasifikuar, duke bërë përmbajtjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit të aksesueshme nga mediat dhe publiku. Po ashtu është depozituar në Kuvend edhe një tjetër projektligj për dekomunistizimin, duke parashikuar fshirjen e çdo gjurme nga periudha e komunizmit që nga emrat, muzika, filmat, lapidarët, letërsia, piktura, kompozimet, këngët etj.