Partia Socialiste dhe qeveria “Rama” ka evituar një përplasje të panevojshme me veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, familjet e dëshmorëve etj. Pas një debati të hapur dhe të fryrë nga Sali Berisha, kryeministri Edi Rama dhe deputeti Taulant Balla, në dhjetor të 2015, propozuan një projektligj, i cili parashikonte heqjen e dekoratave, medaljeve dhe titujve disa antifashistëve të parë, të cilët më pas mbajtën funksione në regjimin komunist, duke përfshirë edhe Sigurimin e Shtetit. Nisma u konsiderua si provokim nga veteranët e luftës dhe partitë e spektrit të majtë. Ndërkaq, 8 muaji më pas, qeveria jo vetëm është tërhequr nga projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 112/20134 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në RSH”, por ka depozituar në Parlament një tjetër nismë ligjore, tashmë për ngritjen e një instituti për të studiuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale rolin dhe kontributin e Shqipërisë në luftë dhe ne koalicionin fitues antifashist. Pas shuarjes së debatit për dekoratat, duket se, Partia Socialiste e ka parë të panevojshme konkretizimin e nismës me votë në Parlament. Nga ana tjetër, befasues ka qenë edhe qëndrimi i Partisë Demokratike. Kjo e fundit ka mbështetur në Komisionin e Sigurisë vendimin e PS-LSI, për ta dërguar draftin për interpretim në Këshillin e Legjislacionit, i cili nuk u mblodh asnjëherë për këtë çështje.  

Nisma e re  
30 deputetët të Partisë Socialiste kanë depozituar një nisëm ligjore në Parlament, për krijimin e institutit të studimeve për kujtesën e Luftës së Dytë Botërore. Përpos të tjerave, instituti bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen, në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve, të informacionit të saktë dhe të mjaftueshëm për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe në koalicionin antifashist. Po ashtu, instituti garanton objektivitet dhe paanësi në studimin e vlerësimin e trajtimit të ngjarjeve, të të dhënave, të fakteve historike dhe të dokumenteve që dëshmojnë për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore.

Dosjet e ballistëve  
Instituti i studimeve për kujtesën e Luftës së Dytë Botërore nuk do të rivlerësojë vetëm rolin e LANÇ, por edhe të ballistëve dhe zogistëve, për të cilët ka dokumente se bashkëpunuan me gjermanët. Në këtë kuadër, të gjitha strukturat dhe organet shtetërore, njësitë e qeverisjes vendore, arkivat dhe të gjitha njësitë apo strukturat e tjera, që disponojnë dokumente e materiale arkivore, që i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe që mund t'i shërbejnë realizimit të veprimtarisë së institutit, janë të detyruara t'ia vënë ne dispozicion institutit, pa pagesë, sipas afateve të legjislacionit për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare. Instituti është i autorizuar të përdorë të dhëna personale, kur është e domosdoshme, për përmbushjen e detyrave, duke garantuar privatësinë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Sipas nismës, instituti ka të drejtë të marrë kopje të dokumenteve dhe të materialeve arkivore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat. Po ashtu, instituti ka të drejtë t'i kërkoje Këshillit të Ministrave mbështetjen e shërbimit diplomatik të vendit, për akses në dokumente të nevojshme në arkivat e huaja, për realizimin e veprimtarisë së tij.

dekoratat partizane

Redaksia online
a.n shqiptarja.com