Vendimi i Këshillit Bashkiak të Lushnjës për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi” ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit gjatë periudhës komuniste, Gjergji Velo, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe mes organizatave që përfaqësojnë ish-të përndjekurit politikë.

Ceremonia u zhvillua më 18 tetor, në kuadër të 81-vjetorit të çlirimit të Lushnjës nga pushtuesit nazifashistë. Në aktivitet morën pjesë kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa, deputetët socialistë Elton Korreshi dhe Kiduina Zaka, ish-deputetët Spartak Braho e Namik Dokle, si dhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Opozita nuk ishte e pranishme në aktivitet.

Sipas dokumenteve zyrtare, propozimi për nderimin e Gjergji Velos u paraqit nga Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut – Dega Lushnjë, ndërsa relacioni mbështetës u firmos nga kryetarja e bashkisë.

Në motivacion theksohet se “Velo dekorohet për vizionin e qartë dhe përkushtimin në transformimin e qytetit të Lushnjës, si dhe rolin aktiv në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe kulturës”.

Kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë në Lushnjë, Shpëtim Brehamaj, duke folur për Report TV e cilësoi vendimin “ligjërisht dhe moralisht të pamatur”, duke kujtuar se gjatë periudhës komuniste, kryetarët e komiteteve ekzekutive kishin edhe rolin e kryetarëve të komisioneve të internimeve e dëbimeve.

“Lushnja ishte një nga rrethet ku u përqendruan më shumë kampet e internimit pas mbylljes së Tepelenës, Beratit, Valiasit e Kamzës. Si mund të nderohet sot një person që ka qenë firmëtar i internimeve? Ky vendim lëndon qindra familje që kanë vuajtur në këto kampe dhe është një fyerje për kujtesën historike,”  tha Brehamaj për Report TV.

Ai shtoi se në vitin 1988, vetëm një vit para rënies së regjimit, Velo ka firmosur shtyrjen e masave të internimit për disa familje në Lushnjë, çka e bën edhe më të papranueshme, sipas tij, nderimin e tij me titull Qytetar Nderi.

“Nëse e shpallim ‘Qytetar Nderi’ për ndërtesat e bëra në atë kohë, atëherë mund të shpallim edhe Musolinin sepse ka ndërtuar rrugët në Tiranë”, tha ai me ironi.

Brehamaj bën të ditur se Shoqata e Ish-të Përndjekurve i ka kërkuar Prefektit të qarkut Fier të ndërhyjë për anulimin e vendimit, duke argumentuar se ai bie ndesh me ligjet që ndalojnë dekorimin e funksionarëve të lartë të diktaturës.

Edhe Fondacioni Kujto, që dokumenton krimet e komunizmit, e ka dënuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Lushnjës, duke e cilësuar atë “një akt të rëndë që fshin kujtesën historike dhe fyen viktimat e diktaturës”.

“Velo ka qenë në vitet 1983–1989 kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Lushnjës, në cilësinë e të cilit firmoste internime dhe dëbime drejt Grabianit dhe zonave të tjera të Myzeqesë”, shkruan “Kujto”.

Në bisede telefonike për Report TV, Erjet Dhima, kryetar i Këshillit Bashkiak të Lushnjës, tha se procesi i nderimit ka kaluar “në mënyrë të rregullt ligjore dhe institucionale”.

“Organizata e LANÇ-it dhe Dëshmorëve të Atdheut e paraqiti propozimin në komisionin e këshillit për vlerësimin e figurave dhe dhënien e titujve të nderit. Në atë komision janë tre përfaqësues të opozitës dhe dy të mazhorancës, dhe propozimi kaloi me katër vota pro dhe një kundër,” – deklaroi Dhima.

Sipas tij, pas komisionit, propozimi u miratua në Këshillin Bashkiak me 21 vota pro dhe dy kundër, duke përfshirë edhe disa vota nga këshilltarë të opozitës.

“Nuk ka pasur asnjë reagim negativ gjatë propozimit apo votimit, të gjitha reagimet erdhën vetëm pas ceremonisë. Përpara shqyrtimit është kërkuar edhe verifikimi nga Autoriteti i Dosjeve, i cili konfirmoi se zoti Velo nuk ka mbajtur ndonjë nga postet që penalizohen për dhënie titujsh nderi. Procedura ka qenë në përputhje me ligjin,” shtoi ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:22
‘Revoltat’ për dekorimin e Gjergji Velos, Autoriteti i Dosjeve: Nuk rezultonte anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve

1761132085_5652182988120026814211832310358658461364129n.jpg

Vendimi i Këshillit Bashkiak të Lushnjës për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi” ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit gjatë periudhës komuniste, Gjergji Velo, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin. Ndërsa, Këshillit Bashkiak i Lushnjës tha se vendimin e morën me dakordësinë e Autoritetit të Dosjeve.

Pas reagimeve dhe revoltës në media, Autoriteti i Dosjeve ka bërë edhe një sqarim për procedurën që kanë ndjekur për verifikimin e pastërtisë së figurës e Gjergji Velos. Autoriteti i Dosjeve thotë se pas kërkesës së Këshillit Bashkiak të Lushnjës për verifikimin e figurës së Velos, i ka informuar ata mbi bazë të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Autoriteti i Dosjeve thotë se sipas verifikimeve të kryera në bazë të nenit 30 të ligjit, rezulton se Gjergji Velo “Nuk ka qenë anëtar ose kandidat të Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit;  b) Nuk ka qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, denoncues në proceset politike ose dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç; c) Nuk ka qenë person me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm”.

Autoriteti sqaron se “procedura e verifikimit për kandidatin në fjalë bazohet në  dy ligje në respektim të Nenit 30, pika 2, të ligjit, si edhe neni 4 i ligjit nr. 94/2022 “Për Titujt e Nderit dhe Titujt Vendorë të Nderit në Republikën e Shqipërisë”, (që parashikon se kandidati nuk duhet të jetë bashkëpunëtor i ish- Sigurimit), për të qartësuar nëse ekzistojnë të dhëna në dokumentet që tashmë administron të cilat e lidhin kandidatin me ato cilësime që ka vendosur ligji.

Sipas AIDSSH-së, institucioni nuk ka kompetencë ligjore të shkojë përtej kufijve të përcaktuar në këto dispozita.

Autoriteti i Mediave shkruan se nga publikimet e bëra në shtyp, del se Gjergji Velo ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Dëbim Internimeve të Rrethit Lushnje. Por për tu përshirë në përcaktimet e nenit 30 të ligjit duhej të rezultonte në detyrën e anëtarit të Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, kriter i vendosur nga ligji nr. 45/2015 dhe jo në një komision vendor. “Në rastin konkret pozicioni i kryetari i komitetit  ekzekutiv të rrethit nuk përfshihet në këtë nen.”, shkruan Autoriteti.

Sqarimi i plotë i  AIDSSH në lidhje me debatin mbi rastin “Velo”

Tiranë 22.10.2025- Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) është njohur me reagimet publike në lidhje me vendimin e Këshillit Bashkiak Lushnjë për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z. Gjergj Velo, i cili në të kaluarën ka firmosur propozime për internime apo dëbime.

Autoriteti e vlerëson si të përligjur shqetësimin e shprehur nga publiku dhe aktorët e shoqërisë, dhe nënvizon rëndësinë e kujdesit institucional në trajtimin e figurave të lidhura me veprimtarinë represive të së kaluarës, kujdes që duhet të ushtrohet edhe nga autoritetet propozuese.

Në këtë kuadër, Autoriteti gjen me vend të sqarojë pozicionin e vet dhe të informojë median dhe opinionin publik mbi kuadrin ligjor dhe procedurat e ndjekura, në përputhje me dispozitat njohëse dhe kufizuese të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Pas verifikimit të kryer referuar të dhënave të paraqitura nga institucioni kërkues, Autoriteti ka informuar me Vendimin nr. 648, datë 11.11.2024, se nga verifikimet e kryera deri tani, sipas përcaktimeve të nenit 30 të Ligjit nr. 45/2015, shtetasi “Nuk ka qenë anëtar ose kandidat të Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit;  b) Nuk ka qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, denoncues në proceset politike ose dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç; c) Nuk ka qenë person me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm”.

Qëllimi i ligjit nr. 45/2015 është të bëjë të mundur ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit e pajtimit kombëtar dhe vënien në dispozicion të institucioneve shtetërore dhe joshtetërore të informacioneve të domosdoshme për qëllimet e parashikuara në këtë ligj.

Makineria e përndjekjes nuk ka qenë vetëm Sigurimi i Shtetit, por një sistem i gjerë strukturash të ndërvarura, ku përfshiheshin organet e Partisë së Punës së Shqipërisë, organizatat bazë të saj në çdo institucion, komitetet e partisë në rrethe, etj që ushtronin kontroll, ndëshkim dhe përjashtim në emër të ‘luftës së klasave’, ndaj vendimi i Autoritetit është në masën dhe brenda kufijve të kuadrit ligjor mbi bazën e të cilit ushtron veprimtarinë.

AIDSSH   në procedurën e verifikimit për kandidatin në fjalë bazohet në  dy ligje në respektim të Nenit 30, pika 2, të ligjit, si edhe neni 4 i ligjit nr. 94/2022 “Për Titujt e Nderit dhe Titujt Vendorë të Nderit në Republikën e Shqipërisë”, (që parashikon se kandidati nuk duhet të jetë bashkëpunëtor i ish- Sigurimit), për të qartësuar nëse ekzistojnë të dhëna në dokumentet që tashmë administron të cilat e lidhin kandidatin me ato cilësime që ka vendosur ligji.

Autoriteti nuk ka kompetencë ligjore të vendosë përtej dispozitave kufizuese të përcaktuara nga ligji funksional në nenin 30 të tij, si dhe të informojë për dy arsye

Së pari nga publikimet e bëra në shtyp, del se shtetasi ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Dëbim Internimeve të Rrethit Lushnje. Por për tu përshirë në përcaktimet e nenit 30 të ligjit duhej të rezultonte në detyrën e anëtarit të Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, kriter i vendosur nga ligji nr. 45/2015 dhe jo në një komision vendor. Dallim i përcaktuar qartë në ligj. Në rastin konkret pozicioni i kryetari i komitetit  ekzekutiv të rrethit nuk përfshihet në këtë nen.

Së dyti për sa i takon dokumenteve të publikuara në media për rastin, konstatohet se :  NUK janë pjesë e fondit arkivor të administruar nga Autoritetin, por ligji  nr. 45/2015, neni 13, pika 1,2,6  e tij qartësisht detyron çdo autoritet publik të rrjetit arkivor, por edhe persona fizik dhe juridikë të vënë në dijeni menjëherë AIDSSH. Për më tepër fondet e tjera të PPSH –së dhe të organizatave të tjera politiko –shoqërore mbeten të vështira për t’u përdorur nga AIDSSH, për sa kohë janë të papërpunuara në rrjetin arkivor ku ndodhen, ose të digjitalizohen gjë që ndikon në ushtrimin e detyrave funksionale të AIDSSH pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për marrjen në administrim.

Dorëzimi i këtyre dokumenteve është domosdoshmëri jo vetëm për verifikimin e zyrtarëve apo kandidatëve për tituj nderi, por edhe në zbatimin e detyrave funksionale ligjore lidhur me procesin e rehabilitimit dhe dëmshpërblimit të personave të prekur direkt me veprimtarinë e ish Sigurimit të Shtetit, e lidhur apo si pasojë e kësaj veprimtarie.

Të dy sfidat e Autoriteti, pra standardi i kufizuar ligjor për verifikim dhe kufizimi në dokumentacion arkivor janë pasqyruar në të gjitha raportimet vjetore të institucionit përpara ligjvënësit dhe do të vazhdojnë të adresohen për gjetjen e zgjidhjeve përmes ndryshimeve ligjore!

Autoriteti do vijojë të kërkojë zgjidhjen e këtyre dy sfidave me qëllim promovimin e drejtësisë, transparencës dhe respektit për viktimat e regjimit dhe mbetet i vendosur të vazhdojë të informojë publikun dhe institucionet në mënyrë të qartë, të saktë dhe të pavarur, duke kontribuar në reflektimin mbi të shkuarën represive dhe veprimeve që shkaktuan vuajtje dhe padrejtësi.

Në funksion të transparencës, dhe në dritën e fakteve të reja të publikuara në media, Autoriteti, pasi u njoh me to, rishqyrtoi rastin dhe vendosi t’i dërgojë organeve të pushtetit vendor gjetjet e reja dokumentare mbi rastin, duke i informuar ato në përputhje me kompetencat që i njeh ligji nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.