Dekretet, fjala e plotë e Bujar Nishanit

Mirëmbrëma! Dëshiroj të shpreh mirëseardhjen dhe falënderimet për gazetarët që janë sot në Institucionin e Presidentit! Kjo Konferencë Shtypi dhe ky komunikim me ju dhe opinionin publik është lidhur me emërimet dhe shkarkimet e fundit, të propozuara për në Këshillin e Ministrave.
 
Siç jeni në dijeni, Presidentit të Republikës i është propozuar shkarkimi i katër ministrave dhe emërimi i katër  ministrave të tjerë. Në këtë rast, për disa arsye procesi i shkarkimit dhe emërimit të ministrave të rinj ka një specifikë të veçantë, kryesisht për shkak të situatës politike në vend: Jemi në një situatë politike shumë të tensionuar. Opozita është jashtë Kuvendit, është në një protestë publike dhe, njëkohësisht, polarizimi i shoqërisë, për fat të keq, është mjaft i theksuar, çka e ngarkon edhe më shumë situatën politike të vendit.
 
Së dyti, jemi pranë nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo situatë e tensionuar politike, pa dyshim, që nuk e ndihmon procesin e fushatës dhe të vetë zgjedhjeve politike në vend, në një kohë që opozita e vendit ka artikuluar kërkesën për të garantuar zgjedhje të lira. Pra, në këtë kontekst të kësaj situate politike edhe këto qëndrime dhe akte në vendimmarrje po politike të përbërjes së Këshillit të Ministrave kanë një specifikë të veçantë.
 
Më e veçanta e kësaj specifike, pa dyshim, që është te Ministria e Brendshme. Është te Ministria e Brendshme për një sërë arsyesh: Së pari, për fatin e keq, gjatë viteve të fundit, është konstatuar një politizim i skajshëm i Policisë së Shtetit, çka e dëmton në tërësi situatën parazgjedhore; për shkak gjithashtu, se tashmë është jo vetëm konstatuar por dhe adresuar si imazh i aktorëve dhe institucioneve të vendit e partnerëve ndërkombëtarë në përmasa shumë shqetësuese që ka marrë trafiku i kanabisit. Konstatimi i lidhjeve të individëve të angazhuar në grupet e krimit të organizuar  me politikën.
 
Gjithë kjo situatë, pa dyshim, kërkon një vëmendje shumë të madhe drejtpërsëdrejti te Ministria e Brendshme dhe, kryesisht, te Ministria e Brendshme, sepse Ministria e Brendshme ka një rol parësor në administrimin e procesit zgjedhor. Së pari, mbi të gjitha, përmes Policisë së Shtetit, ka përgjegjësinë e garantimit të rendit e sigurisë. Kur themi të rendit e sigurisë, kemi parasysh debatin dhe qasjen ndaj fenomeneve, tashmë të identifikuara edhe nga organizmat ndërkombëtarë të monitorimit të proceseve zgjedhore, siç është procesi i shitblerjes së votës apo i angazhimit të individëve me rekorde kriminale në fushata zgjedhore. Pra, ky dimension i garantimit të sigurisë e rendit i jep një përparësi dhe rëndësi shumë të madhe Ministrisë së Brendshme dhe funksionimit të mbushjes së detyrave kushtetuese prej këtij institucioni.
 
Së dyti, Ministria e Brendshme ka përgjegjësitë në lidhje me funksionimin e garantimin e infrastrukturës së nevojshme nga pushteti vendor. Ministria e Brendshme është përgjegjëse për pushtetin vendor. Efektet janë nën varësinë e Ministrit të Brendshëm dhe janë të lidhura drejtpërsëdrejti me infrastrukturën që duhet të garantohet për të gjithë kandidatët e garuesit në procesin zgjedhor.

Së treti, Ministria e Brendshme është prodhuese, përmes Drejtorisë së Shërbimit të Gjendjes Civile për listat votuesve, në bashkëpunim me pushtetin vendor. Pra, janë këto shtylla kryesore të përgjegjësive të drejtpërdrejta të Ministrisë së Brendshme që na detyrojnë që në këto çaste për emërimin e një ministri të ri të kemi në fokus specifik përgjegjësitë e mëdha që ka Ministria e Brendshme dhe mekanizmave të komandon e kontrollon Ministria e Brendshme në vend.
 
Kam ndjekur, gjithashtu, me shumë shqetësim edhe disa debate të fundit në lidhje me kandidaturën e Ministrit të Brendshëm. Ka pasur dëshmi publike shqetësuese, të cilat akuzojnë kandidaturën e Ministrit të Brendshëm për ushtrim dhune dhe torturë gjatë procesit hetimor jo vetëm ndaj subjektit që heton, por edhe ndaj familjarëve të tyre. Për më tepër, sipas dëshmive publike ky hetim fokusohet për shkak të reagimit të subjekteve në hetim ndaj vdekjes së diktatorit.
 
Në këto rrethana, në këtë kontekst të rëndësisë që ka angazhimi i strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe të garancive që duhet të japë personi që do të drejtojë, së pari, në drejtim të respektit të lirive dhe të të drejtave themelore të individit, të garantimit të paanshëm të ushtrimit të të drejtave dhe lirive themelore në jetën e përditshme dhe posaçërisht në proceset zgjedhore që janë procese politike të përballjes së alternativave të ndryshme politike në kontekstin e realitetin e pluralizmit, në vlerësimin tim, kandidatura e Ministrit të Brendshëm është e pa përshtatshme, por Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht që përcakton Kushtetuta për të qenë ministër është ai i plotësimit të kritereve për të qenë deputet.
 
Në rast se Kushtetuta e vendit do t’ia njihte të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar propozimet e Kryeministrit, bazuar në arsyetime, unë do ta refuzoj kandidaturën e Ministrit të Brendshëm, por në kushtet që Kushtetuta nuk ia jep këtë të drejtë Presidentit të Republikës, unë besoj dhe shpresoj që ai institucion, të cilit Kushtetuta ia njeh këtë të drejtë për të vlerësuar kandidaturat për ministër, që është Kuvendi i Shqipërisë, do të gjykojë e do të vlerësojë të gjitha rrethanat, situatën politike dhe specifikën që ka jeta shoqërore, publike e politike e vendit, që janë zgjedhjet e ardhshme politike.
 
Ajo që unë do t’i kërkoja Kuvendit ka të bëjë me përparësitë që ka sot dhe duhet të ketë qeveria shqiptare, posaçërisht në dikasterin e Ministrisë së Brendshme, që është nisja e menjëhershme deri te zgjedhjet e ardhshme politike e depolitizimit të Policisë së Shtetit. Kjo është një emergjencë, e cila jo vetëm të respektonte përcaktimet kushtetuese dhe detyrimet ligjore të funksionimit të Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër, do të ulte fuqishëm besoj sensin e polarizimit të madh politik që është në vend.
 
Së dyti, lufta kundër trafikut të kanabisit dhe konfiskimi e sekuestrimi i pronave dhe aseteve financiare të individëve të përfshirë në trafikun e kanabisit me rekorde të regjistruara konkrete të para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të vendit.
Nuk besoj se do të ketë sukses lufta kundër trafikut, lufta kundër grupeve kriminale, nëse nuk kemi një institucion të Policisë së Shtetit tërësisht të depolitizuar. Prandaj e thashë se përparësia e parë që Kuvendi duhet të kërkojë nga qeveria dhe Ministria e Brendshme është depolitizimi i Policisë së Shtetit, duke nisur pastaj e krijuar mundësitë për luftën më të suksesshme ndaj grupeve kriminale dhe fenomeneve të tjera, që mund të kërcënojnë procesin zgjedhor.
 
Besoj se Kuvendi i Shqipërisë, si i vetmi institucion që Kushtetuta i njeh të drejtën dhe mundësinë për të gjykuar mbi kandidatët për ministra, do të marrë parasysh këto shqetësime dhe këto adresime të Presidentit të Republikës. Ky qëndrim i Presidentit lidhur me emërimet e shkarkimet vjen në kufijtë e përcaktuara në Kushtetutë për dekretimin e tyre dhe përcjelljen në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj sot së bashku desha t’i përcjell këtë qëndrim paraprakisht opinionit publik dhe institucionit të Kuvendit.
 
Edhe njëherë, duke ju falënderuar për praninë tuaj, jam i hapur për çdo pyetje që mund të keni për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera që mund të më adresoni.
 
Zoti President, ju e parashtruat situatën e rënduar politike në hyrje të fjalës suaj. Mendoni se kjo deklaratë e juaja që do ta refuzonit këtë kandidaturë për ministër nëse do të ishte në kompetencën tuaj do ta rëndojë më shumë situatën politike? 
 
Presidenti Nishani: Jo nuk besoj, sepse nëse Kushtetuta do t’ia jepte këtë të drejtë Presidentit për të refuzuar një kandidaturë e cila ka këtë situatë dhe ambient publik dhe politik aktualisht në vend dhe në raport me polarizimin e shoqërisë shqiptare, unë besoj që edhe përgjegjshmëria edhe angazhimi në radhë të parë i propozuesit të ministrit dhe i atij që do të kishte rastin ta miratonte, nëse do të ishte Presidenti dhe jo Parlamenti, me siguri do të shkonim drejt një kandidature e cila do të qetësonte dhe të ulte situatën polarizuese të vendit dhe do të adresonte vërtetë në mënyrë transparente edhe rriste besimin e palëve në proceset politike që janë sot kaq të rëndësishme dhe do të afronte më shumë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe tek procesi. Kemi procese të rëndësishme përpara ndaj dhe që në krye të herës m’u desh të nënvizoja rrethanat në të cilat kemi këtë proces të emërimit të ministrave të rinj. 
 
Mirëbrëma! Unë kam dy pyetje Zoti President. Së pari, a jeni dakord ju me idenë e qeverisë teknike në mënyrë që të ulen tensionet politike apo situata që ju e përshkruat si kritike. Pyetja e dytë, përse nuk po e dekretoni datën e zgjedhjeve në Bashkinë e Kavajës ku në rastin e zotit Shykri Xhelili ju e dekretuat menjëherë pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Po prisni zbardhjen e vendimit? Faleminderit! 

 
Presidenti Nishani: Faleminderit Elona për pyetjen, veçanërisht për pyetjen e dytë sepse shpeshherë, edhe ju e dini më mirë si një gazetare me shumë eksperiencë, ngaqë nuk merret informacioni i duhur ka dhe keqinterpretime, apo deformime në segmente të caktuara të shtypit që përcillen më pas ashtu të deformuara tek opinioni publik prandaj ju falënderoj për pyetjen që me jepni mundësinë edhe për ta sqaruar për median dhe për opinionin. Në lidhje me pyetjen e parë ‘të qeverisë teknike’, kjo një kërkesë politike e opozitës, ashtu siç është një qëndrim politik i qeverisë refuzimi i saj. Si President i Republikës kam qëndruar fort në pozicionin kushtetues dhe ligjor jo vetëm neutral, por tërësisht edhe të ftohtë për të mos u përfshirë, por as për të mos komentuar qëndrime, deklarata dhe akte politike të forcave politike. Pa dyshim që është e drejtë e çdo force politike të artikulojë dhe të ndërmarrë veprime dhe akte të karakterit politik. Një ndër to është dhe kërkesa që ka adresuar opozita për ‘qeveri teknike’. Por, kjo mbetet tërësisht një çështje midis partive politike. Si President i Republikës nuk mund të gjykoj si të nevojshme apo të panevojshme kërkesën e një partie politike. Kjo është një çështje që zgjidhet vetëm në tryezën e partive politike nëse do të ketë një dakordësi të palëve për një qeveri teknike. Nëse palët kërkojnë që kjo tryezë e bisedimeve dhe e negocimit të lehtësohet nga Presidenti i Republikës, Presidenti i Republikës është dhe do të jetë gjithmonë i hapur për të lehtësuar komunikimin e palëve politike në vend pa ndërhyrë asnjëherë dhe pa imponuar asnjë qëndrim të asnjërës prej palëve politike në vend. Në lidhje me dekretimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Kavajës, po e nis nga rasti i Peshkopisë. Kam dekretuar datën e zgjedhjeve brenda 48 orësh nga marrja e njoftimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Menjëherë pas vendimit që ka marrë Gjykata Kushtetuese në mënyrë zyrtare, me shkrim, Gjykata Kushtetuese ka dërguar njoftim tek Presidenti i Republikës mbi përmbajtjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë moment Presidenti është i detyruar në bazë të Kushtetutës që brenda 48 orësh të shpallë një nga datat që kodi parashikon për zgjedhjet dhe kam zgjedhur në atë kohë datën më të largët me qëllimin e mirë që t’i lejë kohë institucioneve administrative të procesit zgjedhur dhe partive politike për t’u organizuar. Në rastin konkret deri në ditën e sotme, deri në këtë moment që ne flasim së bashku nuk ka asnjë njoftim qoftë dhe si ai i rastit të Dibrës, të dërguar tek Presidenti i Republikës nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
 
Zoti President, ju e keni konstatuar apo thjesht keni dëgjuar akuza publike që i adresohen zotit Xhafaj? Faleminderit!
  
Presidenti Nishani: Pa dyshim që Presidenti i Republikës ka mekanizmat për të kërkuar informacion nga institucionet e shtetit shqiptar dhe këto informacione janë të fokusuara në çështje konkrete që lidhen në radhë të parë me sigurinë kombëtare të vendit edhe me garancitë e integritetit të personit për të mos cënuar sigurinë kombëtare të vendit. Rastet e deklaratave janë deklarata publike dhe janë dëshmi, dëshmi publike. Pa dyshim që do të ishte e udhës në gjykimin tim që Kushtetuta të kishte parashikuar një hapësirë edhe kohore në këtë rast, që në rast se ka informacione që mund të cënojnë edhe çështje të sigurisë kombëtare apo dhe dëshmi publike si këto që kanë dalë këto ditë në lidhje me kandidaturën e Ministrit të Brendshëm, t’i jepte mundësi institucioneve përkatëse për t’i verifikuar ato. Në rastin konkret do të ishte e nevojshme në gjykimin tim një hetim parlamentar sepse kandidatura e Ministrit të Brendshëm, vjen nga Parlamenti si anëtar i Parlamentit. Ka pasur një pozicion shumë të rëndësishëm në procesin e hartimit të reformës në drejtësi, vazhdon të ketë një pozicion shumë të rëndësishëm përsa kohë është në drejtimin e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe ky hetim apo investigim parlamentar, ndoshta hetimi ka konotacionin e investigimit penal, por investigimi parlamentar në rastin konkret do të ishte mjaft e udhës në mënyrë që t’i qartësonte gjërat dhe të mos linte akuza të padrejta për individë të cakuar ose të verifikonte këto dëshmi publik që janë. Ky është një proces, i cili nuk mund të realizohet për shkak të legjitimit të kushteve që ka Kushtetuta e afatit të dekretimit të ministrave. Pra, Kushtetuta është strikte dhe Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë numër një të zbatojë atë që është betuar ditën e parë dhe “Kurani” dhe “Bibla” e Presidentit të Republikës është Kushtetuta e vendit. Ky ka qenë dhe do të jetë qëndrimi im i palëkundur deri në ditën e fundit në zyrën e Presidentit të Republikës. Pa dyshim që Presidenti i Republikës si një vokacion dhe vokal publik ka të drejtën për të adresuar qëndrime dhe pikëpamjet e tij në radhë të parë tek opinioni publik, dhe së dyti, tek institucionet përkatëse në rastin e çështjes në fjalë tek Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
  
Duke qenë se në tryeza politike është diskutuar mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të ngërçit politik, a është kushtetuese shtyrja e mundshme e zgjedhjeve? Dhe për Ju të ishte një mundësi për ta zgjidhur krizën politike që është aktualisht?
 
Presidenti Nishani: Tensioni i lartë politik që është në vend nuk favorizon fushatën e pritshme elektorale. Kjo është evidente. Ajo që unë do t’ubëja thirrje të gjithë aktorëve vendmarrës do të ishte për të gjetur gjuhën e përbashkët për ta ulur këtë tension të lartë politik dhe për të mos e kaluar vendin në një situatë krize politike. Presidenti i Republikës është i gatshëm të ofrojë të gjithë kontributin e tij për sa e lejon Kushtetuta e vendit dhe për sa e lejon tagri i Tij kushtetues. Çështja e shtyrjes së zgjedhjeve nuk është një çështje që varet te Presidenti i Republikës. Presidenti i Republikës e ka përmbushur detyrën e Tij kushtetuese duke dekretuar datën e zgjedhjeve. Shtyrja e zgjedhjeve mund të bëhet vetëm me dakordësinë e palëve politike në Parlament, në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe në këtë rast në Shqipëri ka precedentë. Nuk është se nuk ka precedentë në Shqipëri. Ajo që unë do të kërkoja më shumë se çdo formalitet tjetër, në gjykimin tim ka të bëjë me angazhime konkrete dhe të drejtëpërdrejta të aktorëve politikë në vend për të ulur tensionin politik dhe jo për ta përshkallëzuar atë më shumë. Nuk është në shërbim të vendit në radhë të parë, të qytetarëve të vendit, por as edhe të partive politike dhe të proceseve që do të vijojnë përshkallëzimi i tensionit politik. Akte dhe veprime dhe vendime që përshkallëzojnë tensionin politik nukjanë pozitive dhe në këtë rast, jashtë çdo anësimi, unë do t’i adresohesha në mirëkuptim më së shumti mazhorancës, sepse është mazhoranca, e cila ka më shumë mekanizma, më shumë hapësirë dhe mirëkuptohet më shumë në opinionin publik për të ofruar ambientin, për të ofruar rrethanat dhe kontekstin më të qetë, më mirëkuptues dhe më paqtues të vendit.
  
Zoti Nishani, së shpejti nis procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri. Do të kërkoni firmat e deputetëve për një mandat të dytë, pasi keni shprehur dëshirën për të qenë pjesë e garës? Nëse do t’ju mbështesin për këtë gjë?
 
Presidenti Nishani: Jolldiz, faleminderit për pyetjen! Edhe kjo është një pyetje shumë e rëndësishme për mua, sepse më jep mundësinë që të davarisim disa keqinterpretime, të cilat bëhen shpesh herë në ambiente të ndryshme. Nuk ka qenë një dëshirë e imja e shprehur. Ka qenë një gatishmëri dhe unë besoj se ka një ndryshim në konotacion mes dëshirës dhe gatishmërisë. Bile dallues janë që gatishmëria ime ka qenë për të vijuar përmbushjen e detyrave kushtetuese bazuar në atë çka kam nisur në 2012-n, në atë çka kam fituar si eksperiencë dhe atë që sipas gjykimit tim, kam demonstruar në procesin e administrimit të Zyës së Presidentit të Republikës edhe gjatë një mandati të dytë që e njeh si të drejtë e si të mundshëm Kushtetuta e vendit. Pra ka qenë gatishmëria e plotë në këtë kontekst dhe me këto arsyetime që unë i përmenda pak më lart.
 
 
Procesi i zgjedhjes së Presidentit është në Parlament. Është i parashikuar nga ky Parlament me të drejtën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës përpara se të shpërndahet e të hyjënë zgjedhjet politike. Nëse unë do të kem propozim nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë për të rikandiduar siç pata herën e parë, sepse vjen me ftesë dhe me propozim. Kam dëgjuar këtë artikulim edhe nga aktorë të rëndësishëm politikë të vendit që nuk është çështje dëshire, por është çështje propozimi. E vërtetë është! Është çështje propozimi. Dhe nëse do të ketë një propozim të tillë do ta gjykoj në kontekstin e realizimit, të arsyes dhe vullnetit politik. Dhe patjetër, nëse do të jetë i adresuar me qëllim për të marrë përgjegjësi politike, do të vijoj të mbetem me shprehjen e gatishmërisë.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan