Dekriminalizimi/ Braho: Deputetët 
e të dy krahëve përdorin drogë

Dekriminalizimi/ Braho: Deputetët <br />e të dy krahëve përdorin drogë
TIRANE- Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho deklaroi dje në komisionin e posaçëm parlamentar për dekriminalizimin, se ka deputetë që përdorin lëndë narkotike. Sipas tij, përdoruesit e drogës janë në të dy krahët e politikës, si majtas ashtu edhe djathtas.

Deklarata e Brahos ishte surprizuese për deputetët pjesëmarrës në komision, pasi për herë të parë një ligjvënës i Kuvendit të Shqipërisë, pranon publikisht se kolegët e tij konsumojnë drogë. Nga ana tjetër, testi i drogës është një nga pikat e forta pas të cilave kapet opozita, në mënyrë që pas miratimit të projektligjit, testi i drogës të jetë i detyrueshëm si për politikanët ashtu edhe për punonjësit e administratës publike.  
 
Deklarata
Duke folur në Komisionin e Posaçëm për Dekriminalizimin, Spartak Braho i është përgjigjur deklaratave të kreut të PD­së, Lulzim Basha, i cili i ka kërkuar sërish kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë, të bëjnë testin e drogës. Sipas deputetit Braho, duhet të forcohet ligji për dekriminalizimin, sepse “testi drogës nuk është gjë, pasi ka shumë që e kanë përdorur”. “Unë mendoj se nuk është gjë ajo që të bëjmë testet e drogës. Për mua është diskutim dhe çështje e kotë, por meqë e doni, hajdeni se e bëjmë.

Por, ka shumë që e kanë përdorur drogën, jo vetëm nga ju, por edhe nga ne”, u shpreh Braho. Sipas tij, mjaft deputetë do të dilnin pozitiv gjatë testit të drogës. Ndërsa theksoi se socialistët nuk u konsultuan më parë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndërsa hartonin projektligjin, Braho shtoi se si komisioni ashtu edhe qeveria nuk mund të miratojnë asnjë variant të projektligjit, pa bërë më parë ndryshimet Kushtetuese.

“Unë s’jam në dijeni të këtij projektligji për dekriminalizimin, por edhe qeveria duhet ta dijë se nuk bën dot ligj për dekrimializimin, pa bërë më parë ndryshimet Kushtetuese. Prandaj edhe ky zjarr në kashtë është. Ligjin duhet të na e kishte sjellë ministrja Ermonela Felaj këtu në komision dhe të na thoshte se edhe ne kemi bërë këto propozime”, theksoi Braho.   
 
Testi i drogës
Testi i drogës është një nga pikat ku insiston fort opozita për bërjen e dekriminalizimit. Sipas projektligjit të demokratëve, i cili tashmë është në tryezën e komisionit të posaçëm parlamentar, testi i drogës dhe shenjat e gishtërinjve, do të jenë të detyrueshme për politikanët dhe zyrtarët e lartë të administratës publike. Edhe dje, kryetari demokrat, Lulzim Basha kërkoi testin e drogës për zyrtarët e lartë shtetërorë. 


Mazhoranca dhe opozita përplasen për pr/ligjin e qeverisë
Balla: Drafti i opozitës bie ndesh me Venecian dhe Severinon
 
Propozimi nga qeveria i një projektligji për dekriminalizimin, paralelisht me atë të opozitës, bëri që edhe mbledhja e djeshme e komisionit të posaçëm parlamentar, të përfshihej nga debatet mes mazhorancës dhe opozitës. Ky vendim detyroi deputetët e shumicës të bënin sërish të qartë se konsensusi është i largët, pasi siç argumentoi nënkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla, projektligji i opozitës bie ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ligjit “Severino”.

Sipas Ballës, projekti i opozitës përfshin ndryshime Kushtetuese, të cilat duhet të bëhen në respekt me procedurën e parashikuar nga Kushtetuta dhe se komisioni i posaçëm parlamentar s’ka mandat për to. Gjë të cilën opozita e cilësoi si tendencë për të bllokuar dekriminalizimin dhe shpërfillur konsensusin. “Projekti i propozuar prej jush meqenëse përfshin propozime për ndryshme kushtetuese duhet të respektojë procedurën e parashikuar nga Kushtetuta për këto ndryshime.

Varianti i propozuar prej jush bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ligjin “Severino”, u shpreh Balla. Sipas deputetit socialist, projektligji i qeverisë për dekriminalizimin është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ligjit “Severino”.

Bylykbashi
Në përgjigje të deklaratave të socialistit Taulant Balla, për projektin e opozitës, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se  Kuvendi ka nevojë për dekriminalizimin dhe se mazhoranca po bëhet mburojë për të inkriminuarit. Sipas tij, drafti i mazhorancës duhet riparë, pasi marrëveshja mes palëve ka qenë për të dalë në një variant të përbashkët. “Kemi një marrëveshje mes shumicës e opozitës, çdo hap tjetër do ishte veprim i qëllimshëm në thyerjen e marrëveshjes.

Projektligji ynë bazohet plotësisht te modeli “Severino”, pikë për pikë me raportin që miratoi Komisioni i Venecias”, u shpreh Bylykbashi. Duke u ndalur te ndryshimet Kushtetuese, Bylykbashi tha se ato mund t’i bëjë edhe komisioni i posaçëm. “Edhe komisionet e posaçme miratojnë ndryshime Kushtetuese, siç është komisioni i reformës zgjedhore. Çdo diskutim tjetër është i qëllimshëm për të bllokuar dekriminalizimin”, u shpreh ai. Sipas kryetarit demokrat të dekriminalizimit, propozimi i qeverisë është kopje identike e elementëve themelore të dokumentit të PD. “Kanë kopjuar apo jo, është tjetër çështje. Ky komision duhet të përmbyllë rolin që ka”, tha Bylykbashi. 
 

Halimi: Të diskutohet vetëm propozimi i opozitës
 
Deputeti i PD, Eduard Halimi tha se nuk duhet të bëhet farsë me procesin e dekriminalizimit, por të nisë diskutimi në komision i propozimit të opozitës. Duke iu drejtuar deputetëve socialistë, Halimi tha se deputetët e mazhorancës nuk mund të marrin peng procesin e dekriminalizimit. “Ju nuk e keni seriozisht këtë proces, sepse nëse do të ishte kështu do të kishit bërë ndërhyrjet e nevojshme. S’ka pse Rama të firmosë një dokument për largimin e të inkriminuarve nga administrata, gjë që mund ta bëjë që sot nëse do. Por ju nuk e merrni dot peng procesin e dekriminalizimit”, tha Halimi. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Liga e Kombeve/ Deschamps lë jashtë Francës sulmuesin Kylian Mbappe

Liga e Kombeve/ Deschamps lë jashtë Francës sulmuesin Kylian Mbappe