Dekriminalizimi,Braho: Projekti i PS 
më i plotë, PD: Rama pa alternativa

Dekriminalizimi,Braho: Projekti i PS <br />më i plotë, PD: Rama pa alternativa
TIRANË - Kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho nga Pogradeci ka shpjeguar se për procesin e dekriminalizimit janë paraqitur dy projekte. Një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca. Sipas tij projekti i mazhorancës është më i plotë, për të cilin mendon se do të miratohet, gjë për të cilën duhet vetëm vullnet politik.
 
Sipas tij thelbi i këtij projekti të dekriminalizimit është që çdo person që kandidon nuk duhet të jetë i dënuar më parë. Braho siguron se në krahun e majtë nuk ka persona me rekorde kriminale, ndërsa për të djathtën Braho radhit të parin, kandidatin Xhelal Mziu.
 
“Ka dy projekte për dekriminalizimin, i PD jo i plotë, i PS më i plotë. Duhet vullnet politik për ta miratuar. Të gjithë të kriminalizuarit duhet të largohen. Ka një mesazh nga ambasada amerikane. Siguroj se nga e majta nuk ka ne rekorde kriminale. Nga ana tjetër PD ka të dënuar nga gjykata Xhelal Mziun.”- është shprehur Spartak Braho.
 
Braho i bëri këto komente nga Pogradeci ku ishte në një aktivitet të kandidates Diana Mile me të rinjtë e qytetit.
 
Ndërsa për këtë deklaratë të Brahos ka reaguar edhe kryetari i komisionit për dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi, i cili akuzoi kryeministrin Rama se nuk ka paraqitur asnjë draft dhe alternativë për procesin e çlirimit të Parlamentit nga të inkriminuarit dhe se drafti i lexuar dje nga deputeti Balla është drafti i opozitës, por tinëzisht i janë hequr instrumentet kryesore.

"Prej 24 dhjetorit kur u ra dakord për marrëveshjen e dekriminalizimit, Edi Rama nuk ka paraqitur asnjë draft, asnjë alternativë se si ai mendon të realizojë këtë proces jetik për vendin, për të çliruar parlamentin dhe politikën nga të inkriminuarit, e për të pamundësuar kandidimin e personave me rekorde kriminale në zgjedhjet e 21 qershorit. Partia Demokratike deklaron se drafti i lexuar dje nga deputeti Balla është drafti i opozitës, por tinëzisht i janë hequr instrumentet kryesore."- tha Bylykbashi.

Vetëm pak ditë më parë u publikuan disa nga emrat të cilët janë kandidatë për zgjedhjet e 21 qershorit dhe rezultojnë me precedentë penale.

Deklarata e plotë e Oerd Bylykbashit 
Prej 24 dhjetorit kur u ra dakord për marrëveshjen e dekriminalizimit, Edi Rama nuk ka paraqitur asnjë draft, asnjë alternativë se si ai mendon të realizojë këtë proces jetik për vendin, për të çliruar parlamentin dhe politikën nga të inkriminuarit, e për të pamundësuar kandidimin e personave me rekorde kriminale në zgjedhjet e 21 qershorit.
 
Partia Demokratike deklaron se drafti i lexuar dje nga deputeti Balla është drafti i opozitës, por tinëzisht i janë hequr instrumentet kryesore:‎
 
1-Heqja e instrumentit të masave të sigurimit personal si arresti me burg apo arrest shtepie për krime te renda nga drafti ynë, heq mundësinë e përjashtimit të kandidatëve me të shkuar kriminale për krime të rënda, duke nxjerrë si të pastër Ramën me Bushin, Ramën me Rroshin, Ramën me Ndokën e të paktën 15 deputetë të tjerë.‎
 
2- Heqja e instrumentit të verifikimit për kandidatët e listave të 2013-ës që do  të marrin mandatin për shkak të largimit të deputetëve që kandidojnë më 21 qershor apo lënë mandatin, heq mundësinë që të kontrollohen kandidatët me të shkuar kriminale që po presin të futen në parlament.
 
3-Heqja e instrumentit të verifikimit nëpërmjet shenjave daktiloskopike ‎e bën të pamundur verifikimin e personave me të pakten 4 emra të ndryshëm, pra emrat e artit në krim në kërkim ndërkombëtar dhe kjo është bërë enkas për të shpëtuar Rroshin, Frrokun apo deputetë e kandidatë bashkiakë të tjerë.
 
Paraqitja e draftit të Partisë Demokratike, pa instrumentet e domosdoshëm është vetëm një farsë për t’iu fshehur përgjegjësisë së futjes së banditëve në parlament dhe futjes së banditëve në listat e 21 qershorit.
 
Pra, ajo çka lexoi dje Balla, është një gjethe fiku, jo për të bërë dekriminalizimin, por për  ta mbuluar atë, për të gënjyer ndërkombëtarët dhe për t’i dhënë një shans të artë krimit të vazhdojë sundimin, të vazhdojë kandidimin.
 
Alternativa e lexuar dje, ka si qëllim mbrojtjen e banditëve në parlament dhe lejimin e banditëve për të kandiduar në 21 qershor.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos