TIRANE- Komisioni i posaçëm parlamentar për dekriminalizimin nuk mblidhet prej afro 4 muajsh, për shkak të zgjedhjeve të 21 qershorit dhe pushimeve të verës. Edhe pse diskutimi ka zënë kohë dhe hapësirë të konsiderueshme politiko-mediatike, që prej marrëveshjes së dhjetorit të 2014-ës, palët janë larg hapave konkretë, duke u mjaftuar me disa mbledhje të komisionit, duke e orientuar debatin mediatikisht.

Opozita ka prezantuar platformën e saj që synon të pastrojë elementët e inkriminuar përmes ligjit italian “Severino”. Nga ana tjetër, maxhoranca nuk ka një draft të vetin, por ka kërkuar që pjesë e dekriminalizimit të mos jenë vetëm të dënuarit, por edhe personat që kanë qenë në proces hetimor, por që s’janë gjykuar për rrethana të ndryshme.