TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë u ka bërë thirrje gjyqtarëve të të gjitha gjykatave që brenda muajit prill të depozitojnë pranë këtij institucioni formularët e vetëdeklarimit.

Dorëzimi i formularëve ka nisur që prej datës 29 mars dhe brenda datës 4 maj, të gjithë gjyqtarët si dhe zyrtarët e tjerë të lartë duhet të dorëzojnë formularin pranë institucioneve përkatëse.

KLD u kërkon gjyqtarëve të gjitha gjykatave që së bashku me formularin e vetëdeklarimit të dorëzojnë edhe një kopje të një dokumentit identifikues.

"Njoftojmë të gjithë Gjyqtarët e Gjykatave të rretheve Gjyqsore, Gjykatave të shkallave të Para Administrative, Gjykatës së shkallës së Parë të krimeve të Rënda, Gjykatave të Apeleve, Gjykatës Administrative e Apelit, Gjykatës së Apelit për krimet e Rënda, që duke filluar nga data 29.3.2016 dhe në përputhje me afatet ligjore të procesit të vetëdeklarimit, të depozitojnë personalisht pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, formularin e vetëdeklarimit të shoqëruar me një kopje të një dokumenti identifikues," thuhet në njoftimin e KLD mbi vetëdeklarimin.

Në formular, gjyqtarëve u drejtohen një sërë pyetjesh që synojnë zbardhjen e veprimtarisë së tyre të mëparshme.

Pyetja e parë që i drejtohet kësaj kategorie ëshë nëse gjyqtarët janë dënuar ndonjëherë me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj. Për rastet kur gjyqtari plotëson “Po”, në formular vijohet me llojin e vendimit dhe veprën penale për të cilën është dënuar subjekti. 

Një tjetër pyetje është nëse gjyqtarët kanë qenë ndonjëherë nën hetim apo gjykim për kryerjen e ndonjë vepre penale, apo nëse janë arrestuar.

“A është caktuar ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale, në fuqi ose jo? është pyetja vijuese në formular. Bëhet fjalë për masa si: Ndalimi i daljes jashtë shtetit, detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, garancia pasurore, arresti i shtëpisë, shtrimi në një spital psikiatrik,etj. 

Ky formular duhet plotësuar nga zyrtarët e të gjitha institucioneve të tjera shtetërore.
 
Një kërkesë e tillë vjen në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, emërtuar ndryshe “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)