Alessandro Del Piero, një nga figurat më të mëdha në historinë e Juventusit, ka komentuar fitoren 2-0 të bardhezinjve ndaj Pafosit në Champions League, duke theksuar se skuadra aktuale po përballet me një presion të madh dhe se ambienti te rekordmenët e Italisë 'nuk është për këdo'.
Juventusi u imponua falë golave të Weston McKennie dhe Jonathan David në pjesën e dytë, por në 45 minutat e para skuadra qipriote pati raste të rrezikshme për të kaluar në avantazh. Fabio Capello u shpreh se Juventusi pati edhe “pak fat” në këtë ndeshje.
Në analizën e tij për Sky Sport Italia, Del Piero foli për peshën psikologjike që ndjejnë lojtarët e rinj të formacionit të Spallettit.
“Pesha e së kaluarës ekziston, jo vetëm ajo historike, por edhe ajo e afërt. Kjo skuadër u ndërtua mbi bazën e asaj që ndodhi sezonin e kaluar, me ndryshime te lojtarët kyç. Disa futbollistë me personalitet u larguan dhe u zëvendësuan me të rinj. Ambienti i Juventusit është më kompleks se ai i shumë klubeve të tjera”, tha Del Piero.
Sipas legjendës bardhezi, shumë lojtarë që shkëlqejnë diku tjetër hasin vështirësi në Torino.
“Kemi parë futbollistë që në klube të tjera janë më të lirshëm. Këtu vështirësitë janë objektive dhe të përditshme”, vijoi ai.
Del Piero e lidhi këtë presion edhe me mungesën e stabilitetit taktik dhe konkurrencën e lartë të brendshme.
“Ata fituan, por të dielën shkojnë në Bologna dhe mund të pësojnë dy gola… kush e di? Je gjithmonë nën tension. Spalletti ka emergjencë në mbrojtje, kërkon një qendërmbrojtës. Ka ndryshuar shumë dhe nuk ka pasur siguri as në skemë, as te karakteristikat e lojtarëve, përjashto Yildizin. Ku i gjen siguritë? Si i ndërton? Kjo e vështirëson gjithçka, sidomos për ata që nuk luajnë rregullisht”, tregoi ish-kapiteni.
Pas dy fitoreve radhazi në fazën e ligës së Champions League, Juventusi renditet në vendin e 17-të me nëntë pikë. Bardhezinjve u nevojitet edhe një fitore për të siguruar matematikisht play-off-in, me dy sfida vendimtare në janar 2026, fillimisht kundër Benficas në Torino dhe më pas ndaj Monacos në udhëtim.
Komente







