TIRANË,16 Shtator / ATSH / -Delegacioni Parlamentar Izraelit, i kryesuar nga ZV/Kryetari i Parlamentit, Hamad Amar, njëkohësisht edhe Kryetar i Grupit të Miqësisë me Izraelin, zhvilluan një vizitë në Bashkinë e Beratit. Në përbërje të Delegacionit ishin deputetë të Parlamentit Izraelit dhe Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, David Cohen.
Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë Berat, Fadil Nasufi , u diskutua mbi raportet shumë miqësore ndërmjet dy vendeve ,historikun e marrdhenieve të Hebrenjve me Shqiptarët, prezencën e Hebrejve në Berat gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku u strehuan nga familjet Beratase rreth 600 Hebrej , aktivitetet e zhvilluara nga Bashkia Berat në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit si dhe mundësinë e binjakëzimit të qytetit të Beratit me qytetin e Karmielit ne Izrael, duke theksuar se investimet Izraelite në Berat do të ishin shumë të mirëpritura.
Zv/Kryetari i Parlamentit të Izraelit, duke vlerësuar frymën e bashkëpunimit historik ndërmjet dy popujve dhe vendeve respektive, theksoi se Rajoni i Beratit ka shumë mundësira për zhvillimin e sektorit bujqesor dhe atij turistik. Eksperienca e Izraelit, i cili ka bërë shumë investime me teknologji të larte, mund të përdoret edhe në Shqipëri, në kushtet e një potenciali të lartë kryesisht per zhvillimin e bujqësisë.
Më pas Delegacioni i lartë i Parlamentit Izraelit vizitoi Kalanë e qytetit, Muzeun Onufri si dhe ''Rrugën e Hebrejve'' e cila simbolizon lidhjet historike ndërmjet Hebrejve dhe popullit të Beratit./a.g/