KOSOVE- Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka deklaruar se qeverisja në Shqipëri ka marrë një rrugë të mbarë. Duke folur për bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm, Demaçi është shprehur se në këtë projekt shqiptarët janë vonuar. Demaçi ka thënë se pas zgjedhjeve të fundit në Shqipëri është çelur një dritë e madhe, një shpresë e madhe, se tashmë Shqipëria do të drejtohet si duhet. Demaçi ka folur edhe për qeverisjen në Kosovë dhe atë në Shqipëri.

Z. Demaçi, si e vlerësoni këtë 28 nëntor? Sa po i gjen shqiptarët e bashkuar në aspektin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve?
Ky 28 nëntor, ky 101-vjetor i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, po na gjen objektivisht më mirë se kurrë ndonjëherë. I kemi edhe ato copa që na i kanë marrë dhe na i kanë robëruar, po na i mbajnë të vuajtur edhe atje. Them se pak më lirisht po marrim frymë. Është shënuar njëfarë përparimi, sidomos në Shqipëri, pas këtyre zgjedhjeve të fundit. Është çelur një dritë e madhe, është çelur një shpresë e madhe, se Shqipëria do të drejtohet si duhet. Po qe se drejtohet Shqipëria si duhet do të drejtohemi edhe ne këtu në Kosovë si duhet. Kështu që, këtë 28 nëntor po e pres me një optimizëm pak më të madh sesa që kam pasur para 5-6 muajve për këtë gjendjen tonë. Ne jemi këtu në Kosovë dhe i kemi problemet tona. Serbia po përpiqet të mos na lë të rehatohemi dhe të stabilizohemi.

Pse ende shqiptarët nuk kanë unifikim dhe koordinim të hapave?
Mua më duket se Shqipëria si trungu ynë, siç i kemi thënë ne nëna jonë, ka qenë e parapërcaktuar për të luajtur një rol pak më të mirë. Mirëpo edhe Shqipërinë forcat e huaja e kapën. E kapën Serbia me Zogun, Serbia me Enverin, Rusia me Enverin, kështu që asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të drejtohet në këmbë të veta dhe të jetojë vetë dhe të mos bëhet vasal i dikujt e të mos i mbështetet dikujt. Këtu ishte shkaku kryesor. Kurse ne si copë që na ndanë nga trungu ynë, na palavitën, pra Serbia me të gjitha ato projektet e veta shkatërrimtare dhe zhdukëse. Madje në kohën e Millosheviqit dolën hapur për ta serbizuar Kosovën dhe për t’i zhdukur shqiptarët. S’kishte tjetër rrugë.

Kështu që, pa fajin e vet, shqiptarët, si një hapësirë shumë e përshtatshme dhe si një popull ende i papjekur dhe i paorganizuar si duhet, ishte një kafshatë shumë e këndshme dhe shumë e përshtatshme për të na çnuk dhe në forma të ndryshme për të na mbajtur në robëri të gjata. Krejt këto kanë ndodhur pa fajin tonë, sepse kemi qenë të vetmuar sikurse e kemi gjuhën të vetmuar. Unike është gjuha shqipe midis gjuhëve evropiane edhe të pa krahë. Nuk kemi qenë, do të thotë as sllavë e as gjermanë. Nuk kemi pasur përkrahje, por të gjithë janë munduar të na pushtojnë, të na copëtojnë dhe nuk jemi rastësisht të ndarë sot në gjashtë copë, pikërisht sepse ishim të butë dhe të këndshëm.

Z. Demaçi, çfarë vlerësimi keni për qeverisjen në Kosovë dhe atë në Shqipëri?
Qeverisja në Shqipëri, nga informatat që kam deri tash, ka marrë një rrugë të mbarë sepse ato që na kanë munguar për 20 vjet, pa ndonjëfarë demokratizimi të duhur dhe si duhet, por hyni mafia, hynë kriminelët, hynë hajnat, u bë ajo kryengritja tragjike e ’97-s, ku sikur u zhduk Shqipëria dhe tash duket se Shqipëria e ka marrë veten. Ta merr mendja se Shqipëria i ka problemet e veta dhe tash është në fillim të rregullimit dhe korrigjimit të të gjitha atyre gabimeve që janë bërë deri më tash. Megjithatë, edhe përveç këtyre gabimeve dhe telasheve nëpër të cilat kaloi Shqipëria, prapë ka atje përparim më të madh.

Ekonomia ka përparuar pak më shumë, është një hap apo dy para nesh. Ne këtu jemi keq për shkak se ka përzierje nga jashtë. Kjo përzierje nga jashtë bëhet t’ia bëjë qejfin Serbisë sepse qarqet evropiane, në rend të parë dhe Amerika u ndihmon atyre. Qëllimi është ta tërheqin Serbinë nga ai kompozicioni sllav e rus dhe ta marrin me vete në Bashkimin Evropian, me shpresë se do ta marrin edhe në paktin e NATO-s. Me fjalë të tjera, faturat i paguajmë ne.

Me neve manipulohet edhe politikisht, edhe ekonomikisht, edhe ushtarakisht, në çdo pikëpamje. Unë nuk i fajësoj këta tanët që nuk mund të qëndrojnë sepse nuk kanë fuqi të qëndrojnë pasi gabimet janë bërë më herët duke vlerësuar situatën gabimisht. Unë jam për të drejtat e të gjithëve, jam për të drejtat e pakicës, por t’i japësh pakicës një të drejtë që të mund t’i stopojë edhe ligjet më humane që mund të dëshirojë t’i nxjerrë shembull shumica shqiptare, nëse serbëve nuk u pëlqen, ata thonë jo dhe ligji nuk shkon.

Këso të drejtash t’u jepen atyre dhe neve të na shkruhet Kushtetuta, e cila na thotë jeni të lirë, por s’guxoni të bashkoheni me askënd. Do të thotë, je i lirë, por s’je i lirë! Pra, do të bësh ashtu siç të them unë me fjalë të tjera. Kështu që, ka një zhgënjim të madh me shpresat tona të shumta e të mëdha që i kishim në miqtë tanë evropianë, se do të na demokratizojnë me të vërtetë dhe se do të na ndihmojnë, por doli puna pak më ndryshe. Nëse Shqipëria do të arrijë të mëkëmbet si duhet dhe të forcohet si duhet, që unë kam shpresë se do të bëhet, dhe nëse Gjermania do të angazhohet që Kosovën ta shpëtojë nga kjo palavitje që po kalon Kosova jonë, atëherë kemi shpresa se e ardhmja jonë e afërt të ndryshojë për të mirë dhe shqiptarët kudo që janë mund të ecin përpara dhe ta zënë Evropën dhe të bashkohen me të tjerët.

Z. Demaçi, besoni se një ditë mund të ndodhë bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë në një shtet të vetëm, apo populli shqiptar duhet të heqë dorë nga kjo përpjekje dhe dëshirë?
Tash bashkim klasik nuk do të ketë, sepse ne jemi popull i vonuar siç ka thënë akademiku ynë i njohur, Rexhep Qosja. Ne nuk e kemi përjetuar as skllavopronarin atëherë kur e kanë përjetuar popujt e tjerë, nuk e kemi përjetuar as feudalizmin kur e kanë përjetuar popujt e tjerë dhe gjithmonë kemi ecur me vonesë. Kështu që, krejt këto janë pa fajin tonë dhe kemi mbetur mbrapa dhe të vonuar në të gjitha proceset. Edhe tash jemi të vonuar për atë bashkimin klasik siç kërkojnë shqiptarët. Por, atmosfera e re e krijuar brenda Evropës dhe qëllimet e saj, që të bashkohen popujt e Evropës për të ecur më shpejt përpara, e bëjnë të mundur të bëhet bashkimi i shqiptarëve pa prekur kufijtë të cilët i frikësojnë ata të cilët janë rrotull nesh.

Frikësohen gjoja nga faktorizimi i shqiptarëve. Këtu është puna që këta miqtë tanë u bënë lëshime shumë të mëdha këtyre dhe na futën në Kushtetutë që shqiptarët janë të lirë, por nuk guxojnë të bashkohen me askënd. Do të thotë, ne do ta bëjmë bashkimin, por do ta bëjmë bashkimin ashtu siç e duan koha dhe hapësira në të cilën jetojmë. Prandaj, do të bashkohemi në kohën dhe hapësirën e sotshme jo ashtu siç kemi menduar dhe siç kemi luftuar dhe jemi përpjekur të gjithë, duke menduar se Evropa do ta kuptojë dhe do ta shpërblejë popullin shqiptar.

Shkrimi u publikua sot (30.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)