Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ndoqi nga afër testimin e kandidatëve për Patrullën e Përgjithshme, së bashku me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe rektorin e Akademisë së Sigurisë.
Gjatë vizitës, Demo tha se këtë vit është shtuar interesi për t'iu bashkuar Policisë së Shtetit, ndërsa veçoi si risi rritjen e kufirit maksimal të moshës për aplikim nga 30 në 35 vjeç.
“Shifrat tregojnë që interesi ka ardhur në rritje për Policinë e Shtetit. Këtë vit kemi edhe një risi, pasi mosha është rritur nga 30 në 35 vjeç. Kjo tregon se Policia e Shtetit, duke marrë në konsideratë përvojën, ka sjellë risi që e bëjnë trupën e Patrullës së Përgjithshme shumë më efektive”, u shpreh ministri.
Sipas tij, rritja e interesit për t'u bërë pjesë e Policisë është një sinjal pozitiv, por edhe përgjegjësi për të përzgjedhur kandidatë të aftë, të ndershëm dhe të përkushtuar.
Në një reagim në rrjetet sociale, Demo u shpreh se zgjedhja e këtij profesioni do të thotë shërbim ndaj qytetarëve dhe respektim i ligjit, ndërsa falënderoi stafin e angazhuar në procesin e testimit dhe u uroi suksese të gjithë kandidatëve.
“Shumë suksese të gjithëve dhe patjetër të fitojë më i miri!”, përfundoi ai.
Kujtojmë se kufiri maksimal i moshës për pranimin në Policinë e Shtetit u rrit me 1 shtator me një urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
Ndryshimi parashikon që kandidatët për Patrullën e Përgjithshme dhe ata që aplikojnë për studimet Bachelor në Akademinë e Sigurisë mund të aplikojnë deri në moshën 35 vjeç, nga 30 vjeç që ishte më parë.
Ndërkohë, për profesionistët me arsim të lartë në fusha si ekonomia, financa apo teknologjia e informacionit, kufiri maksimal është 40 vjeç, ndërsa për punonjësit që transferohen nga institucione të tjera të sigurisë kombëtare nuk ka kufizim moshe, nëse plotësojnë kriteret ligjore.









Komente
Komento