TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mërzitet nga Selia e PD dhe pret delegacionet e huaja në ambiente të tjera. Ditën e djeshme Basha zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev në ambientet e Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht se Lulzim Basha është edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, takimi i djeshëm që ai zhvilloi me presidentin bullgarë ishte në konteksitin politik.

Kjo është hera e dytë që kreu i PD-së pret zyrtarë të shteteve të Bashkimit Europian në ambiente të tjera dhe jo në selinë e PD-së. Rasti më i fundit ishte takimi që Basha zhvilloi me Ministrin për Çështjet Europiane të Republikës së Irlandës Paschal Donohoe ku këtë takim e bëri në një restorant në kryeqytet dhe jo në selinë e partisë që ai drejton. Por në takimin e djëshëm ra në sy se kryetari i Partisë Demokratike nuk kishte me vete as një nga trupa e politikanëve të PD-së por ishte i vetëm ndërsa në takimin që zhvilloi me ministrin Irlandez ishte i shoqëruar nga Aldo Bumçi dhe Majlinda Bregu.

Shpërndarja e PD-së
Këto takime që po zhvillon Lulzim Basha po e shpërndajnë aktivitetin politik të PD-së në disa godina. E para është selia qendrore tek Ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore ku në këtë godinë po bëhen vetëm deklarata për mediat. Konkretisht që me fillimin e vitit të ri, selia qendrore e partisë më të madhe opozitare po shërben vetëm për deklarata për mediat nga zëdhënësja e tyre Laura Vorpsi si edhe nga deputetët e partisë që dalin vazhdimisht në deklarata për mediat. Por ky aktivitet politik i partisë duket se është tepër i vakët pasi kryetari i tyre Lulzim Basha po takon “peshat e rënda” në ambiente të tjera largë selisë qendrore.

basha
(Foto: Basha dhe Plevneliev duke dalë nga Bashkia e Tiranës)

Krahas Bashës dhe deklaratave të zëdhënëses, edhe ish-kryetari i PD-së Sali Berisha, që është një ndër aktivistët më të zjarrtë të opozitës i duket se po e shpërndan edhe më shumë aktivitetin politik të partisë duke mos e përqendruar vetëm në një godinë. Berisha që pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të PD-së e ka transferuar të gjithë aktivitetin e tij si politikan në zyrën pranë “Radio Televizionit Shqiptar” ku pret njerëzit me më shumë influencë në politikën shqiptare si diplomat të huaj apo edhe ministra të vendeve të BE-së. Por problemi qendron se të gjithë këto takime që Berisha bën me diplomatët e huaj mbahen të fshehur për pjesën tjetër të partisë pasi ai i takon ato në cilësinë e ish-kryeministrit edhe të një deputeti të opozitës. Kësisoj të vetmet informacion që ai jep për Partinë Demokratike janë vetëm postimet që bën në faqen e tij zyrtare në “facebook”.

Por krahas këtyre, edhe organi zyrtarë i Partisë Demokratike, gazeta “Rilindja Demokratike” zhvillon aktivitetin e saj politiko-mediatik në ambientet e selisë së vjetër të PD-së, në qendrë të Tiranës. Kjo pasi transferimi i gazetës tek selia e re nuk është mundësuar pasi PD-ja nuk ka përfunduar ende rikonstruksionin e e godinës dhe nuk ka krjuar ambiente të posaçme për gazetën e tyre.

Në këtë mëyrë, i gjithë aktiviteti politik i PD-së në këto javë të para të muajit janar duket se po bëhet ne disa godina të ndryshme në kryeqytet. Kjo pritet që të zgjas edhe disa ditë, deri në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike pasi do të bëhet e mundur që të gjithë deputetët e PD-së të mblidhen për të marrë direktivat për punën e tyre parlamentare. Ndërsa gazeta “Rilindja Demokratike” do të transferohet në selinë e re në çastin kur të përfundojnë punimet që po bëhen në ambientet e selisë së re të PD-së.

basha
(Foto: Basha përshëndet Presidentit e Bullgarisë që po largohet) Foto të tjera


Shkrimi u publikua sot (18.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)