Demush Shasha: Testi i Donaldit tjetër

Demush Shasha: Testi i Donaldit tjetër

Donald Trump

Përderisa 1 janari për shumëkënd përfaqëson simbolikisht një fillim të ri, për BE-në 1 janari nuk ishte fare simbolik. Nga 1 janari filloi një botë e re për BE-në. Nga 1 janari filloi Presidenca e re polake e Këshillit të BE-së, e cila edhe shënoi fundin e makthit të presidencës hungareze. Për gjashtë muaj të kaluar, Orbani u ka shkaktuar kokëçarje vendeve të BE-së me minimin e unitetit të BE-së nga brenda dhe poshtërimin e saj nga jashtë përmes “misioneve të tij të paqes” drejt Moskës dhe Pekinit. Do të ngelet në histori ballafaqimi i paprecedent i kryeministrit Orban dhe kryetares së Komisionit Evropian Von der Leyen në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Përderisa znj. Von de Leyen akuzoi praktikisht Orbanin për vegël ruse, ai e akuzoi atë për “kryqëzim”. Po kështu do të ngelet në histori edhe bojkotimi i takimeve të presidencës hungareze nga vendet anëtare të BE-së. Po thuajse nuk ka vend të BE-së me të cilin Orbani nuk ka filluar një lloj lufte politike. Kjo sjellje e Orbanit edhe e obligoi Presidencën e re polake që të mos e ftojë Orbanin në seancën solemne të inaugurimit të Presidencës polake të BE-së. 

Duke shikuar dy presidenca konsekutive të BE-së, ato nuk mund të jenë më ndryshe nga njëra-tjetra. Ato përfaqësojnë dy bota tërësisht të kundërta. Përderisa lideri i Polonisë, Donald Tusk, mendon se fajtor për luftën në Ukrainë është Putini, Orbani mendon se fajtor është Zelensky. Përderisa Tusk mendon se Rusia duhet gjunjëzuar përfundimisht deri në humbje në Ukrainë, Orbani mendon se duhen urgjentisht negociata, sipas kushteve të Putinit. Përderisa Tusk mendon se Evropa duhet të ndërtojë një të ardhme tërësisht të pavarur nga Rusia, Orbani mendon se Rusia duhet të jetë aleat i Evropës. Përderisa Tusk mendon se demokracia liberale është synim i përbashkët i vendeve perëndimore, Orbani mendon se ajo është konspiracion klandestin i Sorosit. 

Sot Polonia dhe Hungaria përfaqësojnë dy të ardhme alternative edhe për vendet e rajonit tonë. Përderisa liberalet e rajonit tonë shohin tek Tusk-u aleatin e tyre ideologjik, Vuçiqi nuk ngurron të festojë Orbanin si “vëlla” dhe lider shembullor evropian. Liderët sikur Tusk dhe Orban kuptojnë shumë mirë sfidat e rajonit tonë. Ato edhe nuk janë shumë më ndryshe nga sfidat e vendeve të tyre respektive. Polonia dhe Hungaria për kohë të gjatë janë qeverisur nga një parti e vetme, e cila ka dominuar gjithë skenën politike.

Në Poloni, Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) ka qëndruar në pushtet për gati dhjetë vjet, duke ngritur një sistem politik tejet të ngjashëm me sistemet politike në rajonin tonë. Degradimi i institucioneve publike, privatizimet e dyshimta, gjenerimi ekstravagant i pasurisë, kapja e medieve dhe sistemit të drejtësisë ishin vetitë kryesore të sistemit politik nën pushtetin e PiS-it në Poloni dhe Fidesz-it në Hungari. Vitin e kaluar populli polak tha mjaft dhe solli në pushtet Donald Tusk-un. Në këtë udhëkryq tani është edhe Hungaria ku zgjedhjet e vitit tjetër për herë të parë rrezikojnë fundin e pushtetit pesëmbëdhjetëvjeçar të Orbanit.

Luhatjet e tilla në cilësinë e institucioneve demokratike sikur që kemi parë në Poloni dhe Hungari janë edhe arsyet përse vendet e BE-së vazhdojnë të jenë ambivalente ndaj zgjerimit. Duke marrë për bazë përvojën e zgjerimit në vendet sikur Polonia dhe Hungaria, vendete BE-së tani mendojnë se duhet të jenë më të kujdesshme për t’u siguruar se procesi i zgjerimit do të ndërtojë themelet më të forta demokratike te vendet e reja anëtare të BE-së. Ato dëshirojnë të shohin në rajonin tonë më pak Orban-a, e më shumë Tusk-a. Kjo është edhe arsyeja përse togfjalëshi “fundamentals first” është shndërruar në sloganin gjysmëzyrtar të procesit të zgjerimit. 

Thënë ndryshe, ndonëse Presidenca e re polake dhe zhvillimet brenda Polonisë mund të duken në sipërfaqe zhvillimet e pandërlidhura me rajonin tonë, ato në fakt përbëjnë optikën vlerësuese përmes së cilës vendet e BE-së vështrojnë gjithë procesin e zgjerimit. Sa më e suksesshme është Polonia dhe Presidenca polake e BE-së si vend “i ri” anëtar i BE-së, aq më fort Polonia do të jetë në gjendje të avokojë për zgjerimin e mëtutjeshëm të BE-së drejt rajonit tonë. Suksesi i Polonisë është suksesi i zgjerimit. Dhe në këtë sfond për gjashtë muajt e ardhshëm reflektorët e BE-së do të drejtohen drejt Varshavës për të vëzhguar Presidencën polake të BE-së. Pas kaosit të Presidencës hungareze, Polonia ka për detyrë të kthejë normalitetin brenda funksionimit të institucioneve të BE-së.

Presidenca polake ndodh edhe në sfondin e marrjes së detyrës së presidentit të ri amerikan, Donald Trump me ç’rast Presidenti Donald Tusk në cilësinë e Presidencës polake të BE-së do të këtë detyrën e vështirë të vendosjes së tonit fillestar të bashkëpunimit transatlantik. Dhe në këtë kuadër, ai nuk do të flasë vetëm si përfaqësues i Presidencës së BE-së, por edhe si lider i vendit me forcën më të madhe ushtarake tokësore në Evropë dhe përfaqësues i NATO-s që ndikohet më së shumti nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës. Si i tillë dhe si aleat i afërt i SHBA-së, ai do të jete idealisht i pozicionuar për të ndikuar në formësimin e mendimit strategjik të Uashingtonit. Kësisoj me fillimin e këtij viti, shpresa e gjithë BE-së, por edhe e jona këtu në Ballkan, është që dy Donalda do të kenë më shumë të përbashkëta se vetëm emrat e tyre. Ky do të ishte një ogur i mirë për vitin 2025./Koha 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shqiptari 52-vjeçar vritet me një plumb në vendin e punës, policia arreston vrasësin e dyshuar

Itali/ Shqiptari 52-vjeçar vritet me një plumb në vendin e punës, policia arreston vrasësin e dyshuar