TIRANE - Kuvendi miratoi me 76 vota pro, 30 kundër dhe 1 abstenim Denada Priftin në postin e anëtares së Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë.
Denada Prifti, kandidatja e propozuar nga Këshilli i Ministrave për këtë post, ishte e pranishme dje në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku paraqiti prioritetet e saj për këtë detyrë. Me një karrierë të spikatur ndërkombëtare, Prifti mori vlerësimet e deputetëve të të dyja kampeve në komision.
Gjatë seancës dëgjimore, kandidatja e Këshillit të Ministrave për anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Denada Prifti tha se duhet një kod moral dhe etik për të gjithë punonjësit e Bankës së Shqipërisë. "Punoj në Komisionin Europian për bankat dhe stabilitetin financiar. Kam një karrierë 20 vjeçare në sistemin bankar të Gjermanisë dhe Belgjikës. Për 5 vite me radhë kam punuar në sistemin bankar gjerman. Nuk kam lidhje politike dhe gjithçka e kam arritur me punë", deklaroi Prifti para deputetëve./ATSH/