Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë Anila Denaj dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë vizitës në SHBA kanë takuar përfaqësues të lartë të FMN dhe Bankës Botërore, Tao Zhang dhe Poul Thomsen.
Ministrja vlerësoi se ruajtja e balancës primare pozitive, menaxhimi dhe ulja e mëtejshme e borxhit publik dhe ruajtja e deficitit nën normën e 2%, mbeten objektiva të të dyja palëve për të shmangur ndikimin e ngadalësimit të rritjes ekonomike në Evropë.
Gjithashtu gjatë takimit me Cyril Muller, Zv/President për Evropën dhe Azinë Qendrore në BB dhe Van Gelder, Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor u rikonfirmua mbështetja e Bankës Botërore në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë siç është energjia, transporti, tregtia si dhe për të nisur bashkëpunime të reja në projekte me fokus zhvillimin e SME-ve, sektorin e arsimit dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.
Muller shprehu vlerësimet për reformat e qeverisë shqiptare duke evidentuar ecurinë e mirë dhe arritjet në kuadrin e politikave fiskale, monetare dhe financiare, si dhe konfirmoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me Bankën Botërore.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, ndërkohë zyrtarët e lartë të këtyre institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare mbështesin vijimin e mëtejshëm të konsolidimit fiskal, si dhe konfirmuan vazhdimësinë e asistencës nga ana e tyre për rritjen e kapaciteteve në administratën tatimore dhe hartimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave në Shqipëri.
Komente

