Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) ka prezantuar sot rezultatet e vëzhgimit për mjedisin e biznesit 2019. E pranishme në prezantim ishte edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.
Vëzhgim i FIAA është realizuar me sipërmarrje të rëndësishme në vend si banka, kompani që veprojnë në fushën e industrisë, naftës, telekomunikacionit, energjisë, konsulencës, etj.
Ministrja Anila Denaj është shprehur se një pjesë e perceptimeve të vëzhgimit janë të drejta, pasi ndikojnë në klimën e biznesit dhe në konkurrencën e ndershme.
“Kush është shqetësimi i tyre kryesisht? Është që rregullat e lojës të jenë të qarta dhe informaliteti të ulet. Ky është dhe objektivi ynë, prandaj gjetëm një dialog të mirë dhe një partneritet të frytshëm mes të dy palëve, në mënyrë që ta çojmë këtë projekt përpara”, u shpreh znj. Denaj.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë u shpreh se, si rezultat i reformës së deregulimit sot 99 % e licencave jepen online, ndërsa 37 licenca po rishikohen për tu revokuar, çka përbën një lehtësi të madhe dhe reduktim të burokracisë për bizneset.
Më tej, ministrja Denaj u ndal në projektin e Fiskalizimit, i nisur gjatë këtij viti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ky projekt synon që deri në vitin 2021 të gjitha pagesat do të realizohen në mënyrë elektronike, duke ndikuar në uljen e informalitetit dhe një klimë më miqësore ndaj biznesit.
“Është një projekt që Ministria e Financave e ka nisur këtë vit dhe mendohet se në vitet ’20-21 të gjithë pagesat do jenë më mënyrë elektronike. Kjo do ta ulte në një shkallë shumë të ndjeshme pjesën e informalitetit dhe do ta bënte sistemin të punonte në vetëvete dhe pa ndërhyrjen e individëve në administratë, të cilët deri diku duhet të jenë më miqësor me biznesin”, u shpreh Ministrja.
Ndërkaq, ministrja ftoi edhe investitorët e huaj që të vizitojnë shkollat profesionale dhe zyrat e Punës në zonat ku ata operojnë, në mënyrë që të ketë një bashkëveprim më të mirë mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve.