LJUBJANE- Ish-kryeministri slloven Janez Jansa është dënuar me 2 vjet burg me akuzat për korrupsion në kohën kur ishte në detyrë.
 
Gjykata në Ljubjana shpalli edhe dy të pandehur të tjerë fajtorë pasi së bashku me ish-kryeminstrin kanë marrë ryshfet në vitin 2006 nga fabrika finlandeze e mbrojtjes, Patria, të cilët e kanë ndihmuar kompaninë në fjalë për një kontratë me vlerë 278 milionë euro.
 
Jansa ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se janë politikisht të motivuara, duke shtuar se do të apelojë vendimin.
 
Parlamenti slloven votoi në muajin mars shkarkimin e Janez Jansa, pasi komisioni slloven i luftës kundër korrupsionit, zbuloi se kishte gjetur parregullsi në aktivitetet dhe llogaritë bankare të ish-kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Lubjanës të qendrës së majtë, Zoran Jankoviç.
 
Jansa ka qenë dy herë krymenistër i Sllovenisë dhe koalicioni i tij humbi shumicën në Parlament në muajin janar si pasojë e këtij skandali korruptiv.
 
Ndërkohë Kryeministrja e re, Alenka Bratusek, ka premtuar se do të jetë në gjendje për të rimëkëmbur bankat dhe për të shmangur borxhin ndërkombëtar, pas një krize bankare që përfshiu vendin gjatë qeverisjes së paraardhësit të saj.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)