Lidhur me këtë tender, ekziston një kallzim penal nga dy deputetë të PS, që kanë akuzuar ministrin Genc Pollo se po i shkakton një dëm prej 25 milionë eurosh shtetit me veprimet e mosveprimet e tij, por deri tani nuk ka patur asnjë lloj prononcimi nga organi i Akuzës.

Kallëzimi është dorëzuar që më 3 maj në Prokurori nga dy deputetë të opozitës, Taulant Balla dhe Alfred Dalipi. Sipas tyre, tenderi ndërkombëtar për garën koncesionare “Për Financimin, Projektimin, Ofrimin, Instalimin, Trainimin dhe Transferimin e Rrjetit DVB-T2 për Republikën e Shqipërisë”, parashikuar për t’u zhvilluar më 13 maj, me një fond limit të papërcaktuar po zhvillohet në shkelje të kushteve që parashiko ligji.

Kjo, “për të krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për të tretët”. Në padi vihet në dukje se në kërkesat për kualifikimin e subjekteve të huaja janë vendosur, nga njësia e prokurimit, kritere të cilat janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimeve në Republikën e Shqipërisë.

Dhe, kjo procedurë po kryhet me qëllim për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, nisur nga motivet se e ka të afërm, mik, shok apo interesa të tjera materiale.

Këto përcaktime bien në kundërshtim me ligjin “Për Prokurimin Publik”, sipas të cilit autoritetet prokuruese “duhet të përcaktojnë sa më saktë dhe në mënyrë sa më të plotë objektin e prokurimit për të krijuar kushte për një proçedurë të paanshme ndërmjet të gjithë kandidateve”.