Gjyqtares Arnisa Këlliçi do i kushtojë historia e kërcënimit me jetë nga persona të panjohur, siç ajo pretendoi. Prokuroria e Tiranës thotë se nga hetimet ka dalë në përfundimin se kallëzimi ishte i rremë, dhe se gjyqtarja e Tiranës e ka shkruar vetë letrën kërcënuese.

Mbi këtë letër ku gjyqtarja Arnisa Këlliçi pretendoi se ishte kërcënuar me jetën e fëmijëve, Këshilli i Lartë Gjyqësor i siguroi mbrojtje, vendim të cilin këtë të mërkurë e transformon me vota unanime në pezullim nga detyra për gjyqtaren deri në përfundim të hetimit.

“Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimetale, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja shtetasja A. K”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Nga denoncuese, gjyqtarja kthehet tashmë në subjekt hetimi me 2 akuza “kallëzim të rremë”, për shkak se është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra është shkruar nga vetë ajo dhe për shkak se ajo u përdor për të përfituar mbrojtje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor prokuroria po ashtu ka ngritur akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.

Prokuroria i kishte nisur hetimet për të zbuluar personat që kishin kërcënuar gjyqtaren më 20 janar të këtij viti, kur Arnisa Këlliçi bëri denoncimin në komisariatin numër 3 në Tiranë. Rrugës, me marrjen e dëshmive dhe këqyrjen e kamerave në gjykatë dhe me ekspertim grafik, prokuroria krijoi bindjen me prova se gjyqtarja e ka shkruar vetë letrën në zarfin që kish vënë mbi tavolinën e zyrës së saj.

Gjyqtarja pretendoi në kallëzimin e rremë se letra i kishte ardhur me postë, ku shkruhej ndër të tjera se duhej të “mendonte për dy fëmijët, dhe se si do mund të jetonte pa ta”. Për të shmangur konfliktin e interesit, hetimet për gjyqtaren Arnisa Këlliçi do t’i bëjë prokuroria e Durrësit dhe jo ajo e Tiranës. Këlliçi pretendoi se kërcënuesi ishte një prokuror dhe se ky i fundit kishte kërcënuar atë edhe kancelarin e gjykatës.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:00
Akuzohet se falsifikoi letrën kërcënuese, KLGJ pezullon nga detyra gjyqtaren Arnisa Këlliçi

1707318537_1705827161arnisakllii.jpg

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka pezulluar nga detyra gjyqtaren Arnisa Këlliçi, pasi u mor e pandehur nga prokuroria, për veprat penale ‘Kallëzim të rremë’ dhe ‘Falsifikim’.

Prokuroria bëri me dije se Arnisa Këlliçi u mor e pandehur lidhur me denoncimin se është kërcënuar me jetë më fëmijët e saj, por që sipas organit të akuzës rezultoi se ishte shkruar nga ajo vetë.