Duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, Departamenti Amerikan i Shtetit tha dje se SHBA mbetet një kundërshtare e fortë e të gjitha përpjekjeve të rivizatimit të kufijve në Ballkan.

Një informacion të tillë e ka dhënë korrespondenti i agjencisë maqedonase MIA nga Uashingtoni. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin rishikimin e kufijve kombëtarë e shtetërorë në Ballkan. Çdo përpjekje për këtë qëllim është jo vetëm jo-produktive por dhe një destabilizim për rajonin", i tha zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, MIA-s.

Në deklaratën e dhënë gjatë ditës së festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nga sundimit osman, kryeministri Berisha kishte folur për "tokat shqiptare" që shtrihen nga Preveza në Greqi deri në Preshevë në Serbi, dhe nga kryeqyteti maqedonas Shkup e deri në kryeqytetin malazez, Podgoricë. Deklarata tërhoqi vëmendjen e shumë vendeve të rajonit, në kufi me Shqipërinë, duke u përkthyer në shenjë reagimi në bojkotimin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov dhe ministri i jashtëm grek Dimitris Avramopulos, të cilët anuluan vizitat në Shqipëri.

(j.m/shqiptarja.com)