TIRANE - Nga përfaqësuesit më të zëshëm të PD, në mënyrë shumë të qartë janë shprehur në favor të analizës së humbjes në PD. Një reflektim i cili pritet të fillojë që nga kupola drejtuese e partisë për të vijuar më pas në të gjitha piramidën drejtuese të PD deri në qelizën bazë të saj, seksionet dhe grupseksionet.

Madje dhe Berisha në tekstin e tij të dorëheqjes është shprehur se duhet të reflektojmë mbi votën e sovranit, i cili ka folur përmes votës më 23 qershor për të analizuar të gjithë elementët kryesorë të kësaj humbjeje vërtetë shokuese.

Njëherësh janë shprehur për një analizë të kësaj humbjeje në kohën dhe momentin e duhur dhe deputetët Mark Marku, Mesila Doda etj. Të cilët nuk kanë munguar të kërkojnë te strukturat e PD shkakun e këtij rezultati, megjithëse Doda është shprehur me tone superlative për liderin demokrat Berisha.

Njëherësh të pyetur disa kryetarë të PD të rretheve nëse janë për një analizë të shpejtë të humbjes në këto zgjedhjet, gjë që kurrë nuk është bërë në PD, ata teksa nuk dëshirojnë të identifikojnë emrin, thonë se ata janë hallka e fundit ku duhet të startojë kjo analizë, pasi ata që kanë ardhur nga “lart” as që i kanë pyetur.

Për më tepër sipas tyre kanë ardhur ministra dhe njerëz të konsumuar politikisht e në pushtet, duke mos pasur asnjë lidhje me zonën respektive, ndërkohë që ka pasur shumë përfaqësues nga baza që mund të kishin marrë një rezultat shumë më të lartë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)