Deputetët: Kemi ftohtë
më shumë gratë me funde

Deputetët: Kemi ftohtë<br />më shumë gratë me funde
TIRANE- I ftohti siberian që ka mbërthyer Evropën, por dhe zonën malore kryesisht veriun e vendit në Shqipëri, tashmë është ulur këmbëkryq në mes të sallës së Kuvendit të Shqipërisë. Ku deputetët janë shprehur në mënyrë publike se kanë ftohtë dhe rrezikojnë plevitosjen, pavarësisht se për rikonstruksionin e sallës së Kuvendit një vit më parë janë shpenzuar jo pak, por 78.9 milionë lekë ose mbi 600 mijë euro. "Acari" në mes të sallës së Kuvendit me sa duket ka nxitur dhe deputetët të debatojnë dje pa fund në lidhje me miratimin e projektit për bypass-in në Fier dhe Vlorë, por dhe për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore por dhe në debatet e lira. Ka shkaktuar habi fakti se ligjvënësit e të dyja palëve qëndronin në këmbë herë pas herë, ndërkohë që nuk kanë qënë të pakta rastet që debatet janë shoqëruar dhe me përplasje të këmbëve, ndonëse deputetët e asnjërës palë nuk kanë pasur të "vizatuar" në fytyrë shenjën e nervozizmit. Por padashje gjithçka është bërë e qartë, teksa dy orë pas mesditës, teksa diskutonte deputeti socialist i Elbasanit, Ilir Bejtja, ka deklaruar se kishin shumë ftohtë në sallë dhe po ngrinin. "Kam një kërkesë për ju të panelit këtu: Mos keni ngrohëse ju te këmbët, sepse ne në sallë po ngrijmë. Aq më tepër që gratë deputete janë me funde dhe kanë ftohtë më shumë", ka qënë deklarata e deputetit socialist Bejtja. Konstatim që nuk ka kaluar pa miratimin e të deputetëve, të cilët janë shprehur se kanë me të vërtetë ftohtë. Por shqetësimi i këtij deputeti me sa duket ka rënë në vesh të shurdhër të drejtuesve të seancës, por dhe të atyre që merren me rregullimin e sistemit ngrohës, ndoshta dhe për shkak se vetë kryeparlamentarja gjendet për vizitë në Gjermani, ndërsa zëvendësi i tij Turku nuk ka patur nge të merret me këtë punë. Imazhi i sallës së Parlamentit ka ndryshuar përfundimisht në shtator të vitit 2010, fiks pas 60 vitesh. Dizenjoja e re e sallës së Kuvendit është në formë ovale, ku kryetarja e parlamentit vijon të ulet në qendër të sallës. Janë kryer qindra metër kub gërmime e suvatime, në mjediset e sallës. U bë punë rrënjësore në zyra, korridore e salla. U rikonstruktuan të gjitha lozhat si dhe mjediset e reja që u shërbejnë punës së deputetëve. Tavani i vjetër prej 450 m2 u shemb për t'u zëvendësuar me një të ri, i cili ka një ndriçim të ftohtë, nga më cilësorët, që kursen 40% të energjisë që harxhohej më pare. U bë një rikonceptim i ri internetit të sallës. U riinstalua dhe rikonfigurua nga e para i gjithë sistemi elektronik, duke zëvendësuar nga e para dhe sistemin elektrik të amortizuar, me një sistem nga më bashkëkohorët. U mobilua salla, me karrike dhe tavolina të reja, dhe u vendos podiumi që të jetë në qendër, në mënyrë që të jetë sa më larg kabinetit qeveritar, që është nën "mbrojtjen" e largësisë dhe të Gardës. Madje u rregullua gjithçka, por më kryesorja me sa duket ka shkuar dëm. Ngrohja ka qënë me shumë probleme, dhe deputetët kanë duruar deri dje për të ftohtin në sallë, duke bërë që të mendohet se 600 mijë eurot për rikonstruksionin e sallës së Kuvendit të shumëzohen me zero.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'