Deputetët “përplasje brezash” 
por degët i quajnë të konsumua

Deputetët “përplasje brezash” <br />por degët i quajnë të konsumua
TIRANE- Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, mbi të cilin do të zhvillohet analiza e 21 qershorit ka tensionuar ndjeshëm raportet mes deputetëve dhe bazës së PD. Të deleguar nga kryesia e PD si koordinatorë të shtabeve elektorale në 61 zonat zgjedhore, deputetët ishin të parët që fajësuan degët lokale, por këta të fundit i akuzuan ish-ministrat dhe deputetët se nuk u angazhuan në fushatë.

Pati edhe nga ato akuza për ish-ministra që punuan për kandidatët e PS. Gjenerata e vjetër flet për përplasje brezash, ndërsa drejtuesit vendorë thonë se të “vjetrit” duhet të rishohin pozitat e tyre dhe t’i kthejnë PD-së në kontribut atë që kanë marrë gjatë 8 viteve në pushtet
 
Cila është zanafilla e debateve të ashpra dhe tensioneve të shfaqura mes kryetarëve të degëve dhe grupit parlamentar të PD?
Zgjedhjet vendore të 21 qershorit zbuluan se mosfunksionimi i strukturave të Partisë Demokratike është një problem real për opozitën si dhe njëherazi dëshmuan për punën e vështirë që do të ketë kryetari Lulzim Basha në funksion të harmonizimit të qëndrimeve në PD.

Problemet spikatën që gjatë zgjedhjeve për kryetarë në degët lokale, ku deputetët lobuan për kandidatura të cilat nuk fituan. 4 ditë më parë, në mbledhjen e grupit të PD, debati arriti momentin kulmor që njëherazi vërtetoi mosmarrëveshjet me bazën. Në mënyrë rigoroze, drejtuesit lokalë kanë insistuar pranë kryetarit demokrat, Lulzim Basha që tu kërkojë llogari ish-ministrave dhe deputetëve për rezultatin që prodhuan zgjedhjet vendore.

Aktualisht, kur është publikuar raporti i analizës, mbi të cilin do të orientohet gjetja e problemeve të humbjes, kryetarët e degëve ndjehen të “tradhtuar”, pasi deputetët dhe çdo i deleguar tjetër i kryesisë shmanget nga evidenca e problemeve. Të kontaktuar nga “Shqiptarja.com”, drejtuesit lokalë të PD shprehen se raporti nuk pasqyron realitetin si dhe merr në mbrojtje si ish ministrat ashtu edhe deputetët.
 
Pas publikimit të raportit të analizës, i cili orienton por nuk vendos, çfarë kërkojnë deputetët dhe kryetarët e degëve?
Siç edhe u pa qartë, nisur nga debatet me dyer të mbyllura në mbledhjen e grupit të PD 4 ditë më parë, ish ministrat dhe deputetët kërkojë “kokën” e kryetarëve të degëve, si përgjegjës të humbjes në 21 qershor. Ndonëse debati është orientuar edhe drejt fyerje personale, konsistenca e deputetëve është që kryetari Basha të shkarkojë drejtuesit lokalë me rezultate të dobëta.

Njëherazi, ata i kanë kërkuar Bashës që mbajë rregull dhe të paralajmërojë drejtuesit vendorë, për thyerje të etikës. Nga ana tjetër, drejtuesit lokalë nuk i kanë paraqitur kërkesa Bashës dhe as kanë parashtruar kushte, por indirekt duken qartë pakënaqësitë në rritje ndaj kryetarëve të grupeve të punës, deputetëve, për rolin e tyre në bazë, që sipas kryetarëve të degëve, është përçarës dhe me qëllim nxitjen e klaneve. Nisur nga kjo, degët pritet t’i kërkojnë Bashës ndërrimin e kryetarëve të grupeve të punës.
 
Çfarë qëndrimi ka mbajtur kryetari demokrat, Lulzim Basha lidhur me përplasjet në PD?
Në një kohë kur humbja është pranuar nga opozita dhe nga kryetari Basha, ky i fundit, për të ruajtur ekuilibrat, është shprehur kundër ndëshkimeve në PD, ndërsa i ka dhënë përparësi analizës dhe kurimit të problemeve.

Edhe në mbledhjen e fundit të grupit të PD, kur debati ishte i pranishëm, Basha iu përgjigj deputetëve se nuk do të shkarkojë asnjë kryetar dege, pasi emergjente për opozitën, është përgatitja e saj për zgjedhjet e 2017-ës. Do të jenë procesi i analizës, sipas tij, që do të diktojë edhe veprimet e mëtejshme në funksion të korrigjimit të problemeve. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

‘Marr fjalën për ta mbrojtur Kosovën’, gazetari Tanini kundër organizimit të Euro U-21 mes Serbisë dhe Shqipërisë: S’janë zgjidhur krimet e luftës

‘Marr fjalën për ta mbrojtur Kosovën’, gazetari Tanini kundër organizimit të Euro U-21 mes Serbisë dhe Shqipërisë: S’janë zgjidhur krimet e luftës