Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të mbledhë me urgjencë Këshillin e Mandateve. Jashtë Kryesisë së Kuvendit, ku anëtarët e djathtë të këtij këshilli po presin për mbledhjen e tij, Halimi tha se duhet t’i hiqet sa më parë imuniteti deputetit Saimir Tahiri dhe t’i hapet rrugë drejtësisë për arrestimin e këtij të fundit.

Halimi tha se ka komunikuar me Ruçin, por ky i fundit nuk ka konfirmuar orën e mbledhjes së Këshillit të Mandateve.

"Nuk ka akoma njoftim për mbledhjen e këshillit të mandatit për heqjen e mandatit të Saimir Tahirit. Komunikova pak më parë me Ruçin, i cili më tha se ‘nuk ka akoma njoftim dhe nuk kam ardhur në zyrë për të marrë letrat e prokurorisë, ku kërkohet arrestimi i deputetit Ruci’. I bëj thirrje Ruçit të mbledhë menjëherë Këshillin e Mandatit. I bëj thirrje Ramës, se nëse e do drejtësinë atëherë të mos vonojë asnjë minutë mundësinë për arrestimin e Tahirit. T’i hapë rrugën drejtësisë duke u larguar nga posti i kryeministrit. Ne do vazhdojmë të presim këtu, i bëj thirrje ta mbledhë menjëherë Këshillin e Mandateve për t’i hapur rrugë drejtësisë”, tha Halimi.

d.c./shqiptarja.com