Krahasimin që Sali Berisha nisi t’ja bënte vetes me Alexei Navalny opozitarin rus që vdiq në një nga burgjet famëkeqe të Rusisë, nën dyshimet e një vdekje të shkaktuar nga regjimi i Putinit, e kanë vijuar ushtarët e tij të përbetuar te Rithemelimi.

Një prej tyre është deputeti Tritan Shehu i cili ka bërë një reagim absurd pasi Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e Sali Berishës në arrest shtëpie për të marrë pjesë në seanca plenare. E vetmja formë që u ka mbetur tashmë deputetëve të Rithemelimit për ta mbrojtur Berishën është ta viktimizojnë duke e krahasuar me Navalnyn.

“Izolimi i Berishës, i ngjashëm me Navalnin! Para pak u rrëzua përsëri kërkesa e Berishës për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit! Një gjykatë, që u bindet urdhërave politikë vendosi…. Që i burgosuri politik deputet Sali Berisha, të mbahet në një izolim sa më të ashpër, jashtë të gjitha ligjeve, Kushtetutës sonë, të drejtave europiane e demokratike! Pa u dënuar akoma, vetëm mbi bazën e disa akuzave qesharake!

Dhe pastaj dikush flet për normalitet të vendit, normalitet në Kuvend, normalitet… Kur është krejt e kundërta! Anormalitet në çdo cep, në zbatimin e ligjeve, në Kuvend, në të drejtat elementare, me pasojë deformimin e thellë te demokracisë, vetëm kjo takohet kudo në Shqipërinë e këtij Regjimi! Navalnin e çuan në Artik, e vranë aty… Por dhe ne nuk jemi shumë larg duke izoluar, ndaluar në funksionin e tij në Parlament, shkelur kështu votën e atyre qindra mijërave që e kanë votuar, pa u dënuar nga asnjë gjykatë, një Deputet! Kryetarin e opozitës e të PD!”, shkruan deputeti i Berishës”, shkruan deputeti i Berishës.

Në thirjen e Shehut duket qartë beteja që ka Rithemelimi, që nuk është tjetër veçse për të ndihmuar Berishën.

“Lironi Sali Berishën! Kjo duhet të jetë motua e luftës sonë politike kudo, në Kuvend, në media, në sheshe e rrugë, institucione e takime, brenda e jashtë vendit, kudo! Dhe kjo nuk ka të bëjë me simpatitë a antipatitë personale, dakordësinë apo jo për çështje sekondare. Kjo ka te bëjë me të sotmen apo të ardhmen, demokratike apo nën regjim të vendit. Ka te bëjë edhe me vlerat e moralin e opozitës në tërësi, të secilit nga neve në mënyrë individuale", shkruan Shehu.

Si duket deputetëve të Rithemelimit u janë “errur sytë” saqë harrojnë se “Navalny ynë”, pra Berisha, ndryshe nga ai rus, po përdor dhe organizon partinë (Rithemelimin) për të shpëtuar veten, ndërsa Navalny rus po përpiqej të ngrinte një opozitë që do të shpëtonte Rusinë.

Navalny rus shkoi në burg se filloi të frymëzojë opozitën ruse, kurse ajo që bën Berisha në arrest shtëpie i akuzuar për korrupsion, çdo ditë majë dritares mban fjalime kundër drejtësisë dhe duke shpallur armiqtë e tij më të mëdhenj ata që nuk e mbështesin në betejën personale me drejtësinë.