Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, komentoi incidentin në Kuvend, ku deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Nuk kam asnjë problem me aksionet politike të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nëse ajo ka vlerësuar që kjo është forma, atëherë… le të vazhdojë ta bëjë, nuk kam asnjë problem. Këto i vlerëson Gjykata Kushtetuese. E rëndësishme është që të kemi marrëveshje politike për çështjen e presidentit. Mungesa e një marrëveshjeje na çon në zgjedhje të parakohshme. Nuk bën assesi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Haxhiu për Ekonomia Online.
Ajo u bëri thirrje partive të vazhdojnë dialogun dhe tha se kushdo që mendon se janë shkelur procedurat kushtetuese mund t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Haxhiu kritikoi edhe LDK-në, duke thënë se kërkesat e saj janë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve.
“Unë mendoj që kërkesat e LDK-së deri tani kanë qenë në shpërputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra, nuk mund të kërkosh diçka që s’ta ka dhënë qytetari. Dhe kjo situatë ka ndodhur edhe vitin e kaluar, edhe në fillim të këtij viti, po ndodh edhe tani. Duket që vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka reflektuar nga kritikat, por që mesazhin e qytetarëve nuk po e kuptojnë drejt subjektet e tjera politike”,tha ajo
Lajmi kryesor:
Konstituimi i Kuvendit në Kosovë në ngërç! Kurti s’arrin marrëveshje: Shtyjmë seancën që të shmangim zgjedhjet! VIDEO kur deputetja e godet me vezë






