Sipas deputetes Jorida Tabaku, janë plot 550 milionë euro shtesë të krijuara në buxhetin e shtetit gjatë katër muajve të parë të vitit, por ato po mbeten të pashpenzuara dhe nuk po kthehen në investime për ekonominë apo familjet shqiptare. Në një video të publikuar në rrjetet sociale,

Tabaku deklaron se qytetarët po paguajnë më shumë nga rritja e çmimeve, taksa e ndërtimit dhe taksa e punës, ndërsa fondet publike po përqendrohen tek një grup i vogël biznesesh. Sipas saj, “20 kompani marrin 58% të tenderave”, ndërsa mungon gara në ekonomi, koncesione dhe prokurime publike.

Tabaku e cilësoi këtë si një “sistem të kapur” që nuk prodhon zhvillim, nuk rikthen paratë në ekonomi dhe po ndikon edhe në vijimin e emigracionit. Ajo shtoi se ndryshimi i ekonomisë kërkon ndryshim të mënyrës së qeverisjes dhe të filozofisë me të cilën administrohet buxheti i shtetit.

Reagimi i plotë i Jorida Tabakut:

Shqipëria nuk ka problem mungesën e parave. Problemi është mënyra se si menaxhohen dhe administrohen këto para. Gjatë katër muajve të parë të vitit janë 550 milionë euro shtesë në buxhetin e shtetit, por të pashpenzuara. Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur nga rritja e çmimeve, nga taksa e ndërtimit dhe njëkohësisht nga taksa e punës.

Sepse po, me të vërtetë qytetarët po paguajnë më shumë dhe po dalin më shumë para nga xhepat e tyre. Por a shkojnë këto para në ekonomi?A shkojnë në bujqësi?Në arsim?Në shëndetësi?Në industri? Përgjigjja sigurisht që është jo. 20 kompani kanë 58% të tenderave. Nuk ka garë në ekonomi, nuk ka garë në koncesione, në prokurime publike dhe as në ndarjen e pronës.

Nuk ka garë sot, sepse këto 20 kompani që marrin 58% të tenderave janë në fakt pakica që po merr shumicën e fondeve të qytetarëve. Ky është sistemi që duhet të ndryshojmë. Sistemi i pakicës që fatkeqësisht ka uzurpuar dhe ka zënë çdo sektor të ekonomisë. Një sistem që nuk prodhon. Një sistem që nuk i kthen paratë pas në ekonomi. Një sistem që nuk rrit familjen dhe as ekonominë, por rrit vetëm fitimet e këtyre bizneseve dhe kompanive që sot punojnë për llogari të tyre.

Ky sistem i kapur është përgjigjja edhe për ekonominë, edhe për frenimin e emigracionit, edhe për t’i dhënë gjallëri sektorëve që sot nuk po zhvillohen. Por për të ndryshuar këtë sistem duhet të ndryshojë qeverisja. Duhet të ndryshojë filozofia që fatkeqësisht e ka trajtuar buxhetin si plaçkë”.