TIRANE - Në një intervistë për Shqiptarja.com, Albina Deda, për herë të parë deputete në Kuvend nën siglën e PD rrëfen futjen e saj në politikë si dhe shkëputjen përkohësisht nga profesioni i mjekes.

-Ju jeni zgjedhur për herë të parë deputete në Qarkun e Lezhës nën siglën e PD-së, si jeni përfshirë në politikë?
Po,jam zgjedhur për herë të parë si deputete e PD-së në Qarkun Lezhë nën siglën e kësaj partie. Përfshirja ime në politikë ka nisur që në protestat e para të viteve `90 në Qytet Studenti me grupin e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. U bashkëngjita forumit të gruas dhe në zgjedhjet e PD-së rrethit në 2003 u zgjodha në kryesi të saj dhe njëkohësisht nënkryetare e PD, rrethit. Në 2005 kam qenë pjesë drejtuese e fushatës së zgjedhjevë të përgjithshme, ku dhe fituam. Në 2006 kam drejtuar Drejtorinë Rajonale të Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor Lezhë. Një nga prioritetet e qeverisë Berisha ishte reforma shëndetësore. Si drejtuese e kësaj reforme në Qarkun e Lezhës e them me bindje se kjo reformë ka vendosur shëndetësinë në një rrugë të sigurtë, dhe këtë e kanë vlerësuar dhe institucione prestigjioze dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë që tashmë janë pjesë e maxhorancës së ardhshme PS-LSI. Në 2012 jam zgjedhur kryetare e LDG Mirditë.

-Ka qenë e vështirë për ju “ndarja” nga profesioni i mjekes për t`iu përkushtuar tashmë një tjetër profesioni, politikbërjes?
Ëndrra ime ka qenë të bëhem mjeke dhe absolutisht është e vështirë të ndahesh prej profesionit. Për më shumë se 10 vite punova si mjeke në Fusharëz, Pukë dhe Mirditë. Që nga 2006 merrem me menaxhimin financiar të DRSKSH Lezhë dhe gradualisht i jam larguar vizitave në pacientë, por asnjëherë ta lë atë plotësisht. Po specializohem në degën dermatologji dhe lidhja vazhdon aq sa duhet për të thënë që pas politikbërjes vjen profesioni.

-Keni qenë në një garë të vështirë në qarkun e Lezhës, ku përballë keni patur dy politikane me eksperiencë, çfarë mendoni se iu dha më shumë fitoren?
Është e vërtetë që gara ka qenë e vështirë,jo për faktin e dy politikaneve me eksperiencë, por arsyeja ka qenë për mënyrën se si bënë fushatë dhe mjetet që përdorën. Asgjë nuk ishte e barabartë, në vlera, imazh dhe përfaqësim listash. Mendoj se fitoren si qark, pasi ne morëm katër deputetë, unë isha e treta, na e dhanë premtimet e mbajtura të qeverisë Berisha me investimet e shumta, infrastrukturën, reformat e suksesshme në arsim e shëndetësi, zhvillimin e turizmit elitar në këtë zonë, subvensionet e shumta të fermerëve dhe më kryesorja përzgjedhja e kandidatëve në listë me ndonjë përjashtim.

-Si e keni parë performancën e së djathtës këto 8 vite?
Performanca e Qeverisë Berisha për 8 vite ka qenë mjaft e mirë. Kjo në saj të premtimeve të mbajtura si: Antarësimi në Nato, liberalizimi i vizave, realizimi me sukses i reformave të iniciuara nga institucione prestigjoze të huaja dhe të implementuara në kohë rekord krahasuar me vende të tjera europiane që u huazuan, përmbushjen e shumë standarteve për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Kjo qeveri në këndvështrimin e shumë analistëve është quajtur me të drejtë “qeveri e fjalës së mbajtur”.

-Çfarë pritet të ndryshojë në këtë parti tashmë që do të jetë si opozitë në Parlament?
Ne do të jemi në Parlament për të realizuar detyrat e një opozitari, për të mbështetur të gjitha iniciativat në dobi të qytetarëve dhe vendit, por edhe për të argumentuar, kundërshtuar me fakte cdo gjë që dëmton imazhin dhe reformat e nisura nga qeveritë e mëparshme. Partia Demokratike tashmë ka nisur ndryshimin me zgjedhjen e kryetarit të ri, me sistemin një anëtar një votë, pa asnjë inicim të strukturave për kandidaturat, me një garë të fortë, reale dhe me një diferencë që tregon mbështetjen që gëzon z.Basha.

-A ka përgatitur PD një program sesi do të mund të vijë sërish në mazhorancë?
Një nga synimet e PD-së do jetë riorganizimi sa më i mirë i strukturave të saj. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha pamundësitë e kësaj qeverie për të përmbushur programin e saj në letër e të parealizueshëm. Ne gjithmonë e në vazhdimësi kemi programe që janë bindëse, për një Shqipëri të zhvilluar dhe të anëtarësuar në BE. Këtë kanë aspiratë të gjithë shqiptarët kudo që janë, këtë ka në themel të politikës dhe PD-ja.

-Marrëdhëniet tuaja me kreun e ri të PD, deputetët e tjerë?
Marrëdhëniet me kryetarin e ri të PD janë normale për momentin, por me punën dhe përkushtimin e përbashkët për një opozitë të fortë dhe rikthimin sa më shpejt në pushtet mendoj se do të konsolidohen më tej.

-Si e vlerësoni rolin e ish-kreut të PD, Sali Berisha dhe sa mendoni që lidershipi i ri do të arrijë të riorganizojë të djathtën?
Roli i z. Berisha është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm, duke nisur me krijimin e PD, rritjen e saj, fitores së PD në disa zgjedhje, krijimit të hapsirave për të gjithë, përballimit të një opozite jo dinjitoze të majtë, kalimit me sukses dhe maturi të shumë situatave delikate të krijuara nga ish-bllokmenët dhe bijtë e tyre, vlerësimit të vlerave në PD dhe bashkëpunimit me të gjithë, duke vlerësuar dhe mendimin ndryshe. Për z.Basha mund të them se ka një karrierë të suksesshme në PD dhe gjithmonë në rritje. Ai ka njohur sukses si ministër, por edhe si i votuar për kryetar Bashkie përballë Edi Ramës. Kjo i lë të mendojnë të gjithë se është lideri i duhur dhe i aftë ta çojë PD drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)