Deputetja e PD jep alarmin:
Kjo bandë që na drejton ...!

Deputetja e PD jep alarmin:<br />Kjo bandë që na drejton ...!<br>
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka sulmuar ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, teksa ka komentuar takimin e këtij të fundit me biznesin e vogël një ditë më parë. Deputetja Tabaku shkruan se kjo ishte parodia e inskenuar nga zyra e kryeministrisë, që po përpiqet të argumentojë të pa-argumentueshmen.

Duke u ndaluar te debati i fortë i ditëve të fundit mbi vendosjen e TVSH te biznesi i vogël, Tabaku shkruan se një tragjikomedi e tillë është parë vetëm gjatë periudhës diktatoriale. Më tej, ajo jep alarmin se biznesi duhet të mbrohet nga kjo maskaradë, pasi sipas saj, banda që na drejton nuk ka interes të krijojë një vend më të mirë.

Postimi i Tabakut:
Parodia e fundit e Ministrit të Financave! Mbasi kanë një muaj që sulmojnë e anatemojnë bizneset e vogla, ministri Ahmetaj gjeti kohën për të takuar më në fund një grup biznesmenësh të vegjël. Parodia e inskenuar nga zyra e kryeministrisë ka disa javë që po përpiqet të argumentojë të pa-argumentueshmen. E nisën me protestën e oligarkëve dhe nëpunësve të shtetit e tani po vazhdojnë me biznesin e vogël i cili jo vetëm është dakord me TVSH-në por madje propozon edhe futjen e disa taksave.

Një tragjikomedi të tillë e kemi parë vetëm gjatë periudhave diktatoriale, në asnjë vend të botës së qytetëruar bizneset nuk janë të prirura të jenë kaq njësoj në mendime me qeverinë. Uniteti i çeliktë Parti-Shtet-Biznes po ia kalon edhe unitetit të dikurshëm Parti-Popull. Sa më shumë kalojnë ditët aq më e dukshme bëhet farsa në të cilën na shtyn të jetojmë me përdhunë qeveria Rama.

Përtej skenarit me regji qendrore në zyrën e kryeministrisë, më tërhoqi artikulimi i ministrit Ahmetaj, i cili paralajmëroi përjashtimin nga ligji i ri i TVSH-së disa kategori të bizneseve të vogla, zejtaria, tregtari ambulant në tregje si dhe taksisti. Logjika e këtij përjashtimi nuk e di se ku qëndron, përse një shitës në treg bashkiak është i përjashtuar nga ligji i ri i TVSH ndërsa një tregtar që shet në një dyqan që paguan taksa dhe qira do të duhet të përfshihet? Pra, ku është logjika e këtij përjashtimi dhe përse nuk qëndron po e njëjta logjikë edhe tek bizneset e tjera? A nuk jetojnë me punën e vet edhe pjesa tjetër e biznesit të vogël?Pse duhet bizneset të jenë në mëshirën e shtetit kur punojnë ndershmërisht? Kjo që propozojnë rrit më shumë informalitetin se aktualisht.

Ajo që vëren dhe kupton çdo shqiptar sot për sot është se kjo bandë që na drejton nuk ka interes të krijojë një vend më të mirë. Biznesi i Vogël duhet mbrojtur jo vetëm nga kjo maskaradë por edhe duhet çliruar nga pesha e taksave të rënda. Jo TVSH për biznesin e vogël!

tabaku fb

(Postimi i Tabakut në Facebook)

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS