Kritika ndaj Greqisë dhe politikanëve të saj, të cilët janë të zotët të kryejnë reforma vetëm nën presion, shkruan revista gjermane Der Spiegel, ndërkohë që akuzon kryeministrin aktual grek, Antonios Samaras se, “tregton” politikën e tij duke pretenduar se masat shtrënguese i imponon BE.
 
Duke përmendur reformat në Greqi, revista gjermane thotë se është, “kaq e dukshme se Greqia i ka të nevojshme, sa edhe për faktin se skena e saj politike është e pazonja që t’i realizojë pa presione nga jashtë”!
 
“Ky presion jep rezultat vetëm kur ua japim ndihmën pjesë- pjesë”, thuhet tekstualisht. “Përse politikanët grekë të munden të imponojnë disiplinën financiare ose të kryejnë reforma kur dinë se munden të llogarisin në kreditimin e pamatë nga jashtë? Kërcënimi i ndërprerjes së pagesave të kësteve është e vetmja armë e Trojkës, kur viziton Athinën.”
 
Gjithashtu Spiegel përmend personalisht kryeministrin grek, Samaras, duke përmendur një teori të shkencëtarit Robert Putman, se “politikanët duhet të ‘shesin’ objektivat e tyre, si jashtë, ashtu edhe brenda vendit”
 
Por në vijim revista thotë se, “shpesh herë njëri prej objektivave është kundër tjetrit- sidomos kur kryeministri grek pretendon se personalisht është kundër masave drakoniane, kundër masave shtrënguese dhe prerjeve në buxhetin e shtetit, por për këtë e detyrojnë partnerët europianë”
 
Në të njëjtin artikull revista gjermane, përmend se vende si Gjermania, Finlanda dhe Holanda “detyrohen të rrezikojnë miliarda euro për grekët, portugezët dhe irlandezët”, pa pasur gjithsesi një politikë të fuqishme në Euroznë dhe BE.
 
Më së fundi, Spiegel thotë se marrja e kësteve nën kërcënimin e reformave, sjell rezultat vetëm në një ritëm të vogël ndryshimi, “Në një sistem politik, të cilin ende shumica e grekëce beson se ka përfunduar ciklin jetësor”.

Redaksia online
(as/sg/shqiptarja.com)