Derbi i Madoninës vijon të jetë makth për Interin edhe këtë sezon. Zikaltërit kanë pësuar humbjen e parë në këtë sezon në Seria A pikërisht në javën e 10 kundër Milanit. “Djalli” ia doli të fitonte 3-1 në San Siro, teksa iu desh vetëm 4 minuta për të zhbllokuar sfidën. Nuk kaloi shumë dhe asisti i dytë i Moreiras u konkretizua nga Rabiot, i cili dyfishoi rezultatin për të besuarit e Amorim.

Interi reagoi pas shokut që mori në 10 minutat e para, duke ngushtuar diferencat me Bastonin. Goli i mbrojtësit dha përshtypjen se zikaltërit mund të bënin më shumë në derbi, por në fundin e pjesës së parë Moreira realizoi një supergol me goditje dënimi pas 2 asisteve, duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 3-1.

Në pjesën e dytë Interi bëri shumë pak për të rrezikuar ‘djallin’, që rikthehet të fitojë pas disfatës 2-4 me Bologna-n.

Më herët Roma fitoi bindshëm 2-5 kundër Udinese-s. Verdhekuqtë vulosën fitoren që në pjesën e parë teksa realizuan 4 herë me Cristante, Mora, Malen dhe Ndicka, ndërsa vendasit shkurtuan deri në 2-4 para se Ghilardi në shtesë të vuloste shifrat përfundimtare. Me këtë sukses Roma ngjitet në kuotën e 24 pikëve, vetëm 1 më pak se Interi, ndërsa vendin e parë e mban Lazio po me 25 pikë. Megjithatë kryeqytetasit ndeshjen e javës së 10 do ta luajnë të dielën në orën 15:00 kundër Cagliari-t në shtëpi. Në rast fitoreje do të shkëputeshin +3 pikë nga Interi.