Tirana luan nesër me Laçin në orën 17:00 për javën e 25-të në Superligën e futbollit. Dueli që zhvillohet në "Elbasan Arena" është i rëndësishëm për dy skuadrat, që garojnë për objektiva të ndryshme. Përpara ndeshjes për mediat foli trajneri i Tiranës, Orges Shehi. Numri një i bardhebluve ka thënë se humbja në derbin me Partizanin i përket së shkuarës dhe se Patrick mund të mbyllë sezonin nga dëmtimi. Një lajm i rëndë për Tiranën, duke ditur se edhe Abazaj që luan në fazën e avancuar është i dëmtuar. Tirana dhe Partizani ndajnë kreun e renditjes me 40 pikë.
"Gjendja nuk është optimale, nuk është ajo që do donim të kishim, kemi mungesa nga kartont por dhe mungesa prej dëmtimeve. Pastaj pjesa tjetër që do të hidhet në fushë që janë të gatshëm shpresoj të bëjnë maksimumin, që mungesat mos ndjehen.
Humbja në derbi? Në futboll janë të pranishme të gjitha rezultatet, ajo është një rezultat i të shkuarës dhe nuk merremi shumë me të shkuarën por vazhdojmë të ecim përpara. Na u dëmtua Kristali, ndoshta Patrick mbyll sezonin dhe kemi pezullime. Ndërsa në renditjen që jemi nuk është se jemi në pozitë të vështirë, jemi po të parët dhe gjithmonë kur kalon dy ndeshje nga njëra-tjetra dhe ke zhgënjim e rëndësishme është të mos humbësh pozitivitetin dhe të jesh optimist pasi do të vijë dita që rezultati do të kthehet dhe s'mund të jemi në presion pasi jemi të parët në renditje.
Laçi? Nuk ka diferenca të mëdha në kampionatin tonë, pavarësisht pozicioneve, pasi nga java në javë nuk e përligjin fare pozicionin në renditje, është një kundërshtar që nuk është aty ku ka qenë gjithë këto vitet e fundit, por janë të rrezikshëm dhe të etur për pikë, do të jetë sfidë e vështirë nesër. Nuk dua të fokusohem as tek e shkuara as tek e ardhmja, por tek ajo e nesërmja. Më shumë pikë kemi marrë jashtë “Air Albania” dhe nuk është deçizive fusha por e rëndësishme është të kthehemi aty ku ishim dhe aty ku duhet”, u shpreh Shehi.