“Demat e kuq” fituan 2-1 derbin ku Tirana ishte si pritëse dhe marrin përkohësisht kryesimin e Superligës në kuotën e 65 pikëve ndërsa bardheblutë zhyten akoma edhe më shumë dhe rrezikojnë seriozisht të bien një kategori më poshtë.
Tirana e nisi mjaft mirë takimin dhe madje shënoi që në minutën e 14-të me Ede duke surprizuar skuadrën e Starovës. Partizani më pas kërkon me ngulm barazimin dhe do ta arrijë në fundin e pjesës së parë.
Batha ndërmerr një galopim dhe ndalet nga mbrojtësi Doka duke fituar penallti të cilën e shndërron po vet në gol.
Pjesa e dytë po ashtu është e bukur dhe me raste pasi të dyja skuadrave punë u bënte vetëm fitorja.
Dhe golin e gjejnë ata që luftojnë për titull këtë sezon. 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt Sukaj shndërrohet në Xhevahirin e Partizanit pasi me kokë shënon golin e fitores duke i dhënë Partizanit fitoren në derbi dhe kryesimin e kampionatit.
Për Tiranën vijon mallkimi në ndeshjet ndaj të kuqve dhe bëhen 14 ndeshje pa fitore këtë sezon.Derbi mbetet i kuq. Java e 31-të e Superligës vijon të shtunën me ndeshjet Kukësi-Laçi dhe Vllaznia-Korabi.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com