Të premten në orën 19:00 do të luhet për herë të parë në ‘Air Albania’ derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana, që korespondon me përballjen e 154 mes këtyre dy skuadrave. Të kuqtë, që janë edhe kampionët në fuqi, synojnë të ruajnë vendin e parë dhe mbi të gjitha të fitojnë në ndeshjen debutuese në stadiumin e ri. Në prag të takimit trajneri Lerda, i pyetur nëse derbi është një ndeshje që duhet fituar pavarësisht lojës përgjigjet:
“Po, e rëndësishme është fitorja. Duhet fituar pasi mbështetja është e madhe dhe duhet justifikuar besimi që tifozët kanë, por për t’ia dalë duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte. Tirana ka potencial për të qenë në vendet e para dhe do të ringrihet, por shpresoj që jo nesër.”
Më tej, i pyetur nëse i frikësohet faktit që mund të jetë trajneri i cili mund të pësojë humbjen e parë pas 18 ndeshjesh ku Partizani njeh veç fitore dhe barazime në derbi, Lerda përgjigjet:
“Nuk i druhem aspak këtij fakti. Mendoj që kjo është një ndeshje që duhet ta luajmë nga ana psikologjkike. Nuk lexoj shumë gazeta dhe për mua është e rëndësishme të japim maksimumin. Në ndeshje futbolli ka çdo rezultat brenda.”
Nga ana tjetër Tirana në këtë sfidë vjen me trajner të ndryshuar, pasi vendin e Ahmataj të paktën për derbin do ta mbëjë Emanuele Egbo, trajneri i portierëve. Nigeriani bëri një krahasim me kohën kur ai ishte futbollist i Tiranës.
“Në kohën time ka qenë epokë tjetër. Kur kemi dalë kampion kemi qenë më ndryshe. Kur fillonte ndeshja, fillonte 1-0 për Tiranën, ndërsa tani çdo gjë ka ndryshuar. Të gjitha skuadrat janë aty ndërsa në kohën time ishin vetëm Tirana, Partizani dhe Dinamo.”
I pyetur nëse e shikon veten si trajner I përhershëm i Tiranës dhe jo I përkoshëm Egbo përgjigjet:
“Nuk e di a jam apo jo i duhuri por më kanë dhënë besim për të drejtuar skuadrën në këtë ndeshje. Më shumë nuk di dhe jam i detyruar të vazhdoj. Nuk jam unë gati për të shkuar deri në fund të sezonit. Te Tirana ka nevojë për trajner me më shumë eksperiencë. Kam drejtuar Bylisin por Tirana duhet të ketë një staf dhe sa të kalojmë këtë ndeshje, do të vendoset.”
Ndërkohë shitja e biletave për këtë ndeshje ka ecur me ritme tepër të larta. Në një njoftim nga klubi i Partizanit bëhet me dije se në katër orët e para janë shitur shtatë mijë bileta.