Tirana dhe Partizani luajnë nesër në orën 18:30 në "Air Albania", me ndeshjen derbi që vlen për javën e 33-të në Superligë. Dueli pritet deçiziv për titullin kampion, me Tiranën që kryeson Superligën me dy pikë para rivalëve të kuq.
Për mediet, trajneri Orges Shehi u shpreh se kanë disa mungesa, ndërsa Abazaj është gati për të luajtur. Kujtojmë se Hila, Behiratche dhe Hasani mungojnë për bardhebutë.
"Dihet që mungesat janë prezente dhe ata lojtarë që janë të dëmtuar. Pjesa tjetër është e gatshme. Abazaj nesër është në gjendje të jetë i gatshëm për skuadrën.
Është në avantazhin tuaj që ju luani për dy rezultate, ndërsa Partizani kërkon vetëm fitore? Nuk e di nëse është avantazh ose disazvantazh. Skuadrat kanë specifikën e vetë, renditjen, kanë grupin të plotë ose jo, kanë anën psikologjike. Unë mendoj se pas kësaj janë dhe tre ndeshje të tjera të rëndësishme, për objektivin final.
Ne jemi shumë të kënaqur që vijmë në këtë moment të kampionatit në këto pozita. Në vendin e parë dhe në finalen e Kupës. Por janë shumë pak ditë edhe këto ditë janë ato që i japin frytet e djersës që ke derdhur gjatë gjithë vitit. Shpresoj që të jemi në më të mirën tonë, sepse duke qenë në më të mirën tonë, atëherë edhe rezultati është më afër, por kjo do dhe pak fat, që shpresoj ta kemi ne nesër", tha fillimisht durrsaku.
Për Orges Shehin, ndeshja e nesërme derbi nuk është vendimtare për titullin kampion.
"Nëse fitoni nesër mund të themi që është mbyllur çështja e titullit? Janë dhe tre ndeshje të tjera. Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme vendimtare, por jo përfundimtare. Çdo skuadër shkon drejt objektivit. Në këto tre ndeshje ku çdo skuadër është brenda objektivave do të jenë të vështira. Nuk mendoj se është përcaktuese nesër se kush fiton do të vendosë titullin", tha mes të tjerash Shehi.