TIRANË- Një grup i strukturuar kriminal që dërgonin ilegalisht persona drejt SHBA-së ka përfunduar me procedimin e 26 personave. Report TV mëson se në total janë proceduar 26 persona nga ku 16 janë arrestuar me kërkesë të Spak, 8 janë në detyrim paraqitje dhe 2 persona hetohen në gjendje të lirë.

Arrestimi i këtyre personave erdhi pas një hetimi të nisur që prej vitit 2018 në bashkëpunim me zyrën e hetimit në ambasadën e SHBA duke u finalizuar këtë të hënë dhe është shtrirë edhe në disa rrethe. Këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë falsifikuar dokumente dhe viza duke dërguar dhjetëra personave në SHBA.

Nga ana tjetër Report TV mëson se kanë qenë 3 korridore që personat përdornin për kalimin e klandestinëve në SHBA. I pari Shqipëri-Gjermani-R.Domenikane dhe mandej në Meksikë e duke u futur në SHBA, i dyti nga Shqipëri-Bullgari-Francë-Republika Domenikane dhe më pas në SHBA dhe e treta Shqipri-Francë-Londër-R.Domenikane dhe SHBA.

Lidhur me këtë megaoperacion ditën e nesërme pritet  të ketë një konferencë të përbashkët nga policia dhe prokuroria SPAK për rezultatet e këtij operacioni me ndërkombëtarët.