'Pse s’e zuri plumbi në ballë gjatë Luftës', dëshmia e shkrimtarit disident: Kur i treguan se i biri ishte arrestuar për një letër që i dërgoi udhëheqjes

'Pse s’e zuri plumbi në ballë gjatë Luftës', dëshmia e shkrimtarit disident: Kur i treguan se i biri ishte arrestuar për një letër që i dërgoi udhëheqjes

Mehmet Myftiu lindi në Tiranë në vitin 1930. Gjatë periudhës së Luftës, (1939-1944) si pjesëmarrës në Lëvizjen Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai arrestohet, torturohet dhe internohet në kampin nazist të Prishtinës. Pas lirimit nga kampi kthehet në Tiranë dhe pranohet në radhët e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe gjatë viteve 1950-‘53, punon si gazetar në organet e shtypit qendror. Mbasi i drejton një letër Komitetit Qendror të PPSH-së, ku denoncon si të turpshëm arrestimin e kolegut dhe mikut të tij, shkrimtarit Kasëm Trebeshina, i’u anullua e drejta e studimit për në Institutin “Maksim Gorki” të Moskës, dhe përjashtohet nga radhët e PPSH-së e internohet në fshatin Shtyllas të Myzeqesë. Një rehabilitim i përkohshëm bëri të mundur, që Mehmeti të përfundojë Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë dhe të punësohej si arsimtar, në fshatra të largët në rrethe të ndryshme.

Nisur nga kjo, në vitin 1961 arrin të botojë romanin e tij të parë me titull “Leka”, por tre vjet më vonë, më 1964-ën, dorëshkrimi i romanit tjetër “Shkrimtari”, cilësohet me frymë reaksionare dhe Mehmetit përsëri i hiqet e drejta e botimit dhe punon si cigareshitës për 26 vjet. Me shembjen e regjimit komunist, pas vitit 1991, ai shfaqet përsëri me shkrimet e tij në shtypin e përditshëm si dhe arrin të botojë edhe disa libra. Mehmet Myftiu u nda nga jeta në vitin 2019, në moshën 89 vjeçare. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim, është marrë nga romani “ShkrimtarI”, i cili është marrë nga ngjarje të jetuara dhe i kushtohet kolegut dhe mikut të tij të ngushtë, shkrimtarit disident, Kasem Trebeshina.

Rrugës po mendonte për letrën që i kishte dërguar Hyseni Qeverisë Shqiptare, ku kishte kërkuar ta lejonin të largohej në Perëndim. Kjo kërkesë atij i ishte dukur e habitshme, krejt e paarsyeshme dhe e kishte këshilluar shokun mos ta dërgonte në asnjë mënyrë duke e paralajmëruar se mund të ndodhte dhe ndonjë e papritur, se edhe mund ta arrestonin.

Hyseni kishte ngulur këmbë në të tijën duke qenë i bindur se ligjërisht nuk mund të merrnin asnjë masë administrative. Besniku kishte buzëqeshur hidhur dhe i kishte thënë se ligjet Qeveria i zbatonte sipas interesit të vet. Pastaj i kishte kërkuar që ta shtynte dërgimin e letrës një javë. Shoku kishte pranuar…!

Pasi Besniku nuk kishte mundur të bënte asgjë për të penguar përplasjen e Hysenit me shtetin, i kishte thënë që, nga ana e tij, ishte i lirë ta dërgonte letrën.

Kishte tri javë që Hyseni e kishte postuar letrën dhe nuk kishte ndodhur ndonjë gjë, prandaj dhe Besnikut i ishin larguar mendimet e këqija. Arriti në shtëpinë e shokut, hapi portën dhe si gjithmonë, thirri në derën e sallonit:

– Hys! O Hys!

Një hop s’u dëgjua kush. Një heshtje e madhe mbretëronte në shtëpi. Pastaj dikush lëvizi në dhomën matanë. Dyshemeja kërciti. Sabrija u duk me fytyrë të vrarë. Ajo iu afrua ngadalë dhe pëshpëriti:

– Më trembe! Ç’thirre kështu?!

Besniku buzëqeshi me dashamirësi dhe i foli:

– S’e paskam ditur. Paske zemër pule. Po flije kështu…?! Më dukesh e përgjumur.

– Nuk flija, por hallet – psherëtiti ajo.

Besniku u merakos:

– Pse, ç’ka ndodhur?

– S’e di ti?! – u habit ajo.

– Jo… – tha Besniku duke ndjerë diçka të keqe.

– E arrestuan Hysenin… – tregoi ajo si në të qarë

Besniku u pre. Zemra iu ngushtua. Hyri në dhomë i heshtur. E bija, pesë vjeçe, po hante bukë dhe as nuk e çoi fare kokën që të shihte se kush erdhi. Ishte mekur. Në faqet e zbehta dukeshin gjurmë lotësh. Qoshja e oxhakut ishte bosh. Çiltja nuk ishte zhubrosur. Dukej se aty nuk ishte ulur kush.

…U ul në karrige i trishtuar dhe pyeti me dhimbje:

– Kur kështu…?

– Parmbrëmë. Të gjithë po përgatiteshim për festën e vitit të ri dhe atë e muarën.

Belbëzoi ajo dhe nuk u përmbajt. Lotët i rrodhën nëpër faqe. Ktheu kokën dhe u përpoq të qetësohej. E bija mbaroi së ngrëni dhe rrinte si e ngrirë. Në shtëpi, qetësi e dhimbshme. Në vatër s’digjej zjarr. Hyseni gjendej në burg. Gruaja dhe vajza dukeshin të shkreta dhe të vetmuara. Besniku rënkoi i pikëlluar dhe foli:

– I thashë mos e dërgo letrën se do të të arrestojnë. Por s’më dëgjoi.

Pastaj edhe sikur ta lejonin të shkonte në Perëndim, ai nuk duhej të pranonte se do të shkatërrohej. U përpoqa të këshilloheshim edhe me shokët e partisë, por ata nuk më pranuan në takim.

Sabrija u kthjellua pak dhe foli:

– Edhe unë e luta mos ta dërgonte letrën, mos të bëhej budalla se nuk e shpinte njeri në Perëndim. Sikur ma ndjente zemra të keqen. Atë e arrestuan, unë mbeta qyqe në shtëpi. Vjehrri iku. Mori dyshekun në krah dhe sigurisht, ka fjetur në dyqan. U largua mbrëmë se gjoja nuk mund të flinte në shtëpinë e reaksionarit. Desha të vija në shtëpinë time se kisha frikë të flija fillikat, por im vëlla nuk më pranoi. Ti hajde tha, po e bija mos të shkelë pragun.

Asaj prapë iu mbushën sytë me lot, fjala iu pre. Ktheu kokën sa u qetësua dhe shtoi:

– Bile m’u mblodhën dhe më kërkonin ta ndaja. I ra një e keqe atij dhe unë t’i kthej shpinën! Më thoshin se më ka tradhtuar dikur. Po ta braktisje atëherë, kisha njëfarë të drejte. Por ata atëherë nuk më lanë, më detyruan të kthehesha prapë këtu, kurse tani ngulnin këmbë: Lëre!

“Hyseni nuk është njeri i keq. Ti e njeh më mirë nga unë. Veç i merr koka erë nga kjo letërsi e mallkuar. Edhe ata shkrimtarët janë vërtetë të liq. Kur e shohin se është dhe nevrik, pse i bien në qafë?! Ai është i sinqertë dhe i thotë troç mendimet e veta, por sot nuk duhet ashtu.

Mbrëmë më bëhej nata e gjatë fort, sikur nuk do të zbardhej kurrë. Tani më mori frika se u err. Nuk e di se si do ta kaloj edhe sonte vetëm. Mbeta kërcure me çupën.

Ajo heshti një hop e dërmuar pastaj shtoi:

– Shyqyr që erdhe. Tek ti më shkonte mendja. Besniku, thosha me vete, nuk do ta braktisë.

Besniku u dëshpërua thellë nga fjalët e Sabrijes. E tronditi fakti që i ati kishte braktisur shtëpinë dhe kishte vajtur me dyshek në krah të flerë në dyqan. U revoltua nga sjellja e vëllait të Sabrijes dhe e vështroi me dhimbje vajzën e vogël. Ai e kuptoi se bota po i shfaqej e pamëshirshme.

Në oborr u dëgjuan këmbë. E zonja e shtëpisë ngriu. Psherëtiti e tronditur:

– Kush është kështu?! Kush mund të vijë në këtë orë?!

Vështroi në dritare dhe foli e shqetësuar:

– Vjehrri…! Më prit një minut…!

Ajo doli. Dikush eci në sallon dhe u futën në dhomën ngjitur.

Plakun e kishte vrarë shumë burgosja e të birit. Ai ruante për njerëzit e qeverisë po atë nderim që kishte pasur në luftë dhe besonte se ata nuk e kishin arrestuar kot Hysenin. Ishte zemëruar me të birin dhe e kishte nëmur.

…Pyeti ngadalë se kush ishte brenda. U fut në dhomën tjetër. U ul në karrige i këputur. Ktheu vështrimin e vrarë nga e reja dhe i tha:

– Ke marrë vesh gjë?

– Jo… psherëtiti ajo dhe sytë iu përlotën.

Plaku uli kokën, rënkoi dhe foli me zë të ulët, të dredhur:

– Ç’dite ia arrita! Më turpëroi në pleqëri. S’takohem dot në rrugë me të njohur dhe far e fis. Më skuqet faqja. Sikur më godasin në lule të ballit kur më pyesin për Hysenin. Pleqëri e mallkuar!

“Oh, si nuk u gjet një sahat i bardhë në luftë dhe s’e mori një plumb. Oh, djalë, djalë, kur s’të qava!

Atij i’u drithërua trupi. Iu ligështua zemra, iu përlotën sytë. Ngriti duart, mbuloi me pëllëmbë fytyrën, uli kokën dhe për çudi, ashtu si nuk kishte bërë kurrë në jetën e tij të gjatë, ia plasi vajit.

…Pëshpëriti prapë thellë, u ngashërye dhe dukej se ishte gati prapë të qante. Pastaj i tha Sabrijes që do të flinte në dyqan dhe doli. Nga dritarja, Besniku vuri re se shkonte i kërrusur dhe fshinte lotët.

Ai ishte prekur shumë nga fati i familjes së shokut. I dhimbej Sabrija që do të flinte vetëm me frikë në zemër. Para syve i mbeti fytyra e ngrysur e vajzës së vogël dhe babai i mjeruar…!

Ai ishte i bindur plotësisht se Hyseni ishte i ndershëm, shumë i talentuar dhe me gjithë kërkesën e gabuar për të vajtur në Perëndim, e donte Atdheun…!

Arriti në shtëpi dhe hyri në dhomë. Aty gjendej si dhe më parë krevati, tavolina, karrigia dhe kishin ndryshuar vetëm portretet e varura në mur. Në vend të fotografisë së Gorkit, poshtë së cilës ishte shkruar: “Fjala njeri tingëllon krenare”, ishte vënë një vizatim i Hamletit me shprehjen: “Të rrosh apo të mos rrosh – Kjo është çështja”. Te tavolina ndodhej portreti i Ljermontovit, në vend të atij të Majakovskit.

Besniku u ul në tavolinë dhe filloi të shfletojë një vëllim me poezi të Hysenit, që i ndodhej aty. Në këto çaste revoltimi dhe keqardhjeje iu paraqit vepra në një dritë të shkëlqyer, sikur ajo shprehte saktë të vërtetën e jetës, bile ishte gjeniale, ashtu si deklaronte vetë autori. Lexoi i entuziazmuar “Baladën e çimkave”.

Aty përshkruhej se dikush i vinte zjarrin shtëpisë për të shfarosur çimkat, që simbolizonin meskinët. Në ato çaste truri i’u ndez nga një flakë e turbull që ia errësoi shikimin e qartë mbi botën dhe iu duk se këtu shoku kishte arritur kulmin e së vërtetës.

…Si u kënaq me këto përfytyrime, i’u kujtua prapë Hyseni. Rënkoi plot hidhërim dhe dëshironte të bënte diçka në mbrojtje të shokut. Befas i erdhi në mendje t’i shkruante një protestë Komitetit Qendror të Partisë, për burgosjen e Hysenit. I pëlqeu dhe u ndez nga kjo ide, pavarësisht nga konsekuencat që do të kishte. Parashikoi gjer burgim për shkak të kësaj proteste, por nuk u tremb. Nuk mund të heshtte, kur ndodhej në burg shoku i tij poet. E shkroi dhe të nesërmen e postoi qysh në mëngjes.

Dera e rëndë prej hekuri u tërhoq me zhurmë. U mbyll. Shuli u shty. Besniku i mbetur vetëm hodhi sytë përreth. Ndodhej në një birucë të vogël prej çimentoje, gati krejt nën dhe, që ishte e zhveshur, e ftohtë dhe shumë e pastër. Nga frëngjia e ngushtë me hekura të kryqëzuara, që ishte puq me tavanin, vinte pak dritë.

Atje lart e kishin kërcënuar me inat se do ta futnin në një vend të tmerrshëm. Kishte kaluar shumë dyer të mbyllura me shula të trashë, pastaj polici kishte hapur njërën prej tyre, kishte zbritur dy-tre shkallë dhe kishte thirrur: “Brenda”!

Besniku qeshi me vete dhe foli si me shaka: “Këtu qenka tamam dhomë pritjeje”! dhe fërshëlleu për t’i dhënë vetes kurajo. E hoqi pallton, e hodhi në çimento dhe desh të ulej, kur vuri re një fletë që ishte ngjitur te dera. U afrua dhe lexoi rregulloren e birucës.

Aty urdhëroheshin të arrestuarit të mos këndonin, të mos fërshëllenin, të mos flisnin me zë të lartë, të mos goditnin muret, me një fjalë, të mos bëhej aty asnjë lloj zhurme. Besniku e kuptoi se e kishte thyer rregulloren duke fërshëllyer dhe tha me vete: “Duhet bindur tamam si në ushtri”.

Pastaj u ul dhe padashur, përfytyroi veten dhe botën. Gjendej aty nën tokë, i mbyllur mes muresh të trasha, ku nuk hynte rrezja e diellit. Sipër tij ishte bota e lirë me të cilën po priste çdo lidhje, për të cilën tani ishte i huaj. Aty sipër kryqëzoheshin rrugët, ndodhej çezmja, furra, dyqanet, shtylla dhe selvia e gjatë. Pak më tutje shtëpia e tij.

Dielli i mëngjesit e ndriste plot shkëlqim qytetin e lindjes. Njerëzia ecte me gjallëri dhe qejf, se ende nuk kishte filluar zhegu i mesditës. Atë ditë ai ishte ngritur herët atje lart dhe kishte marrë të lexonte një libër, duke para-ndjerë një ngjarje të hidhur. Pas pak vërtetë e kishin marrë në Degën e Brendshme.

Dhe ja tani ndodhej në birucë. Nuk kishte aty as njerëz, as shtëpi, as rrugë, as makina, as diell. Ishte i vetëm mes katër mureve. “S’ka gjë – mendoi ai si me shaka – Do të pushoj pak. Këtu qenkam shumë freskët. U lodha jashtë”. Dhe sikur të pyeste veten si kishte ndodhur që ishte brenda, iu përfytyrua ngjarja e djeshme në gjyq.

Ai kishte vajtur në gjyqin e Hysenit i qetë, thuajse i gëzuar dhe kur ishte takuar me Mihailin dhe Telhanë, kishte filluar bisedën me ta, sikur nuk pritej asgjë e jashtëzakonshme, sikur nuk kishte asnjë kontradiktë mes tyre, sikur të kishin ardhur aty për një qëllim të njëjtë.

Ai ishte sjellur sikur të ishte ende në kampin e pushimit Qafshtamë, nga ku ishte kthyer dy-tre ditë më parë, pasi kishte ndenjur gjithë qershorin. Në ato çaste fytyra i shkëlqente, sytë i ndrisnin me hare, fliste lirshëm, me zë gazmor, lëvizte duart vazhdimisht. Kur biseda ngecte, pyeste me interes për gjëra të parëndësishme.

Kjo sjellje i kishte çuditur Mihailin dhe Telhanë dhe u ishte dukur krejt e pakuptueshme dhe e paarsyeshme. Por, kur Hyseni, me duar në hekura, i shoqëruar nga rojet, ishte ngjitur në katin e dytë, krejt pamja e Besnikut ishte transformuar në mënyrë të rrufeshme. E kishte prekur pamja e zymtë dhe e zemëruar e shokut dhe i kishte ardhur turp nga vetja që fliste dhe qeshte me Mihailin dhe Telhanë, të cilët, në një farë mënyre, ishin shkaktarët kryesorë të burgosjes së Hysenit. Ishte turbulluar dhe fytyra i ishte ndezur gjithë zemërim.

Gjyqi kishte filluar shpejt. Mihaili dhe Telhai ishin futur brenda. Besniku kishte mbetur jashtë në sallon, se do ta thërrisnin si dëshmitar. Gjatë gjithë kohës që zhvillohej gjyqi me dyer të mbyllura, ai ishte vërtitur në korridor duke kujtuar gjithçka që lidhej me Hysenin dhe shpirtin ia kishte pushtuar indinjata. Kishte ardhur gati po në atë gjendje të asaj nate kur kishte shkruar protestën.

Njëfarë qetësie shpirtërore, që i ishte krijuar në kampin e pushimit, po i zhdukej pa gjurmë. Ishte shfaqur prapë Besniku i trishtuar. I tillë ai do të paraqitej para gjyqit./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës