Dëshmia tronditëse e policit:
Ja si vidhet në komisariat

Dëshmia tronditëse e policit:<br />Ja si vidhet në komisariat
Në faqen në internet të Shqiptarja.com erdhi denoncimi i një polici të një komisariati të policisë shqiptare. Polici, i cili kërkon të mbetet anonim, rendit një sërë abuzimesh të mundshme të rënda dhe korrupsion në komisariatin e tij. Ne po e publikojmë letrën duke hequr emrat e përmendur, por po i dorëzojmë tekstin e plotë të denoncimit (pa emrin e policit) ministrit Bujar Nishani. Presim të mësojmë prej tij, pas verifikimeve që i duhet të bëjë, nëse akuzat janë të bazuara apo jo.

 "Jam një punonjës policie në komisariatin e policisë (A), prej shumë vitesh, por jam i traumatizuar dhe shumë i dëshpëruar për situatën kriminale që po kalon jo vetëm territori që mbulon komisariati jonë por në përgjithësi i gjithë vendi dhe po ju radhis disa nga shkaqet ku më kryesori është politizimi, nepotizmi dhe korrupsioni që ka mbytur radhët e drejtuesve të policisë të cilët më pas për të vjedhur e zhvatur emërojnë në detyra kyçe njerëz të paaftë, partiakë dhe me moral të ulët të cilët të jenë ushtarë të bindur të tyre.

Në komisariatin e (A) ka disa muaj që ka nisur hetimet SHKB për vjedhje të karburantit, gomave, pjesëve të këmbimit për mjete dhe për vjedhje të fondit sekret, por këto hetime pasi janë vërtetuar shkeljet nuk janë dërguar në prokurori sepse shef komisariati është shtetasi (B) i cili ka lidhje partiake dhe shoqërore shumë të forta në kupolën e policisë dhe Partisë Demokratike. Por që nga koha kur ky person ka ardhur në drejtim të komisariatit tonë makinat e policisë marrin vetëm pesë litra benzinë në turn për tetë orë në një kohë që këto mjete nuk kanë limit, por karburanti vidhet nga shefi i komisariatit duke i marrë tollonat që në fillim të muajit. A e dini se makinat e policisë paskan nje goxha fond për lavazhet e për larje e pastrimin e tyre dhe asnjë polic nuk e di se këto lekë në (A) i merrka gjoja një lavazh? Por po të pyesni ju asnjëherë ndonjë polic nuk e ka larë makinën e policisë me lekë, por në çdo lavazh duke u lutur punonjësve të tyre. A e dini se shefi i komisariatit të (A) vjedh nga 500 deri në 800 litra karburant në muaj ndërsa policët nuk kanë benxinë për të ndjekur jo hajdutët por as për të ngrohur makinën se e merrni vete me mend sa bëjnë pesë litra. A e dini se makinat e policisë ecin me goma të ngjitura nga pesë apo gjashtë herë me pulla por në letra janë blerë shumë goma të reja.

A e dini se pjesët e këmbimit për makinat e policisë vidhen tek pika e bllokimit ndërsa me letra një pompë benxine apo nafte shënohet dy milion lekë e blerë e re. A e dini se janë blerë mbulesa e sedilje të reja për furgonët e policisë ndërsa po të hipësh në to ato janë si mjete e Luftës së Dytë Botërore.

A e dini se në (A) është vjedhur fondi sekret nga shefi komisariatit në bashkëpunim me të tjerë.

A e dini se në (A) vidhen disa miliona lekë nga fondo që është për ushqimin e personave të shoqëruar dhë të arrestuar por atyre nuk i jepet asnjëherë ushqim se atyre u sjell familja por në letra shënohet supermarket (C) vetëm për të xhiruar lekët.

A e dini se sot aktualisht nga gjashtemujori i dytë i vitit 2011 e deri më sot jane blerë miliona lekë letra formati A4 dhe mjete kancelarie por në komisariat ka krizë për letra të bardha e jo më për gjë tjetër që nuk bëhet fjalë.

A e dini se me dokumenta blehen miliona lekë letra higjenike, kova shtupa, fshesa e detergjentë, por në realitet nuk gjen asgjë.

A e dini se për çdo praktikë pasaporte biometrike në këtë komisariat po deshe të mbarosh punë shpejt tako shefin e patrullës së përgjithshme Komisar (D) , bëj pagesën e vendosur nga ai dhe pa u verifikuar fare të dhënat e tua, shko dhe apliko për pasaportë se atributet për të zëvendësuar shefin e komisariatit kur nuk është ai gjoja për emergjence (B) ja ka lënë këtij personi për të firmosur në emër të tij në kundërshtim me çdo rregull e ligj, pasi para tij ka disa shefa të tjerë më të rendësishëm por ata nuk bëjnë allishverishe e nuk i vënë taksa qytetarëve dhe shefi i komisariatit nuk përfiton asgjë por (D) është njeriu i deputetit (E), pra është i besuari i partisë dhe mund të bëjë ligjin e të vjedhë sa të dojë. A e dini se të gjitha konfliktet që ndodhin apo vjedhjet e ndryshme vendos shefi i komisariatit si do të zgjidhen dhe jo oficeri përgjegjës, apo nëse do të arrestohet ndonjë hajdut apo jo vendoset pas takimit të shefit të komisariatit me familjarët e hajdutit sipas pagesës që ata mubd ti bëjnë atij.

A e dini që policët e terrenit, apo baza e policisë të plotëfuqishmit e zonave siç quheshin dikur janë zëvendësuar gjysma e tyre me njerëz partiakë dhe të paaftë.

Shumë nga këto bëma ne ja kemi bërë me dije ShKB, Ministrit dhe drejtuesve të lartë të shtetit por pas hetimeve të tyre të përcipta ata kanë dalë në konkluzionin se do të nisin procedim disiplinor për shefin e prapavijës (E), i cili e meriton por a ka ai mundesi të vjedhë qindra miliona e të abuzojë çdo ditë pa Shefin e Komisariatit (B)? Jo në asnjë mënyrë pasi ata i ndajnë fitimet bashkë dhe po foli njëri ata e transeferojnë dhe e lëvizin nga vendi i punës duke bërë që të heshtin të tjerët.

Ju lutemi verifikojini më parë këto të dhena dhe më pas pyesni ShKB e famshme, Drejtuesit e lartë të policisë apo edhe ndonjë intervistë shefin e komisariatit e shikoni reagimin e tyre.

A mund të botoni ndonjë artikull, në gazetë për këtë fakt këto ditë, por shikoni se qeverisë do ti bjeri si bumerang ky artikull sepse si në komisariatin tonë besoj se vidhet në çdo komisariat por nuk e dimë se në çfarë mase, ja pra këtë bëjnë emërimet e shefave partiakë dhe të korruptuar e të paaftë profesionalisht.

Pas botimit të këtij lajmi do t’ju japim të tjera fakte nga korrupsioni në polici por pa më përmendur emrin mua, pasi do te kem pasoja dhe do të më largojnë nga puna.

Ju lutemi investigoni këtë lajm, e si mund të motivohen policët e thjeshtë kur drejtuesit e tyre vjedhin haptasi e nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë vetëm se jane me lidhje të forta me PD.

Ja prandaj është rënduar situata kriminale në vend se pa u paguar, pa mjete në dispozicion dhe me njerëz të korruptuar nuk zbatohet ligji dhe nuk do të ketë rend e qetësi asnjherë."

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Të dielën ndërrohet ora: Si do të lëvizin akrepat

Të dielën ndërrohet ora: Si do të lëvizin akrepat