VLORE - Diku në periferi të qytetit të Vlorë, ndodhet një godinë, ku 16 vjet më parë ishte qendra e vëmendjes. Deri më 28 shkurt 1997, brenda saj kryenin funksionin dhjetëra forca të SHIK-ut. Madje, në ndihmë të tyre kishin shkuar dhe të tjerë nga Tirana e Durrësit.

Një javë para se të ekzekutoheshin dy SHIK-asit Lekë Qokaj e Besnik Hidri, ata kishin shkuar me një mision: Duhet të nxirrnin nga greva studentët e ngujuar, të cilët kërkonin dorëheqjen e presidentit të asokohe, Sali Berisha.

Godina e SHIK-ut u rrethua nga qindra qytetarë të Vlorës, të cilët kërkonin largimin e oficerëve të SHIK-ut. Mes tyre dhe SHIK-ut pati përplasje, ndërsa nga protestuesit mbetën të vrarë dhe tre persona, Fatmir Tozaj, Shkëlqim Bogdani e Artur Zoto.

Kur dy ditë më parë,(28 shkurt 2013) dy oficerëve të vrarë iu bërë homazhe dhe u rivarrosen në Varrezat e Dëshmorëve, ndër familjeve të viktimave në Vlorës, nuk iu kishte mbetur asgjë tjetër veç një pllakate të vënë nga vetë ata, pranë godinës së SHIK-ut. Kur në Tiranë zhvilloheshin homazhe, në Vlorë viheshin lule, në varreza, si dhe pranë pllakës që mban tre emrat e viktimave të asaj kohe.

“Këtu, më 28 nëntor 1997, mbetën të vrarë trimat Fatmir Tozaj, Shkëlqim Bogdani, Artur Zoto, nga shteti i korruptuar berishian, gjatë revoltave popullore”. Kështu thuhet në pllakatën e ngritur disa vite më vonë, (Ne foto) nga familjarët, pranë vendit, kur tre të rinjtë vlonjatë u ekzekutuan nga plumbat e revolverëve të shtetit.

Çdo vit, nënat dhe të afërmit e tyre kujtojnë djemtë e ri të ikur në moshën në të mirë, të vrarë nga oficerët e SHIK-ut. Ndërsa këta të fundit, çdo 28 apo 29 nëntor, do të kujtohen me nder e lavdi, nën hijen e monumentit Nënë Shqipëri.

Vlora i mban mend mirë plagët e atyre viteve. I mban mend mirë ato kohë, kur dhjetra student u ngujuan në grevë urie, duke kërkuar më normalen për një shtet demokratik; dorëheqjen e kryeministrit Aleksandër Meksi dhe të Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha, pasi kishin humbur paratë e tyre në firmat piramidale, të cilat i lejuan të lulëzonin vetë shtetarët.

Por, regjimi i asaj kohe nuk jepte asnjë shenjë tërheqjeje apo dorëzimi përballë zemërimit të popullit. Madje, siç mendohej në atë kohë, edhe vetë greva e studentëve dukej sikur i bënte karshillëk qeverisë e duhej të shpërndahej.

Për këtë arsye, në Vlorë u dërguan dhe dhjetëra forca speciale dhe ato të SHIK-ut, por, 2 oficerë të vrarë e 3 qytetarë të ekzekutuar nga njerëzit e shtetit. Ishte bilanci. E sot, pas 16 vjetësh, dy shtetarët kujtohen mes dëshmorëve, ndërsa 3 viktimave u dërgohen lule pranë godinës së SHIK-ut në Vlorë.

BRAKTISJA

Në ceremoninë e varrozjes së dy ish-oficerëve të SHIK-ut, Lekë Qokaj e Besnik Hidri, në varrëzat e dëshmorëve nuk ka marrë pjesë asnjë zyrtar i lartë i shtetit. I vetmi që ka qenë, ishte Zëvendësministri
i Brendshëm, Ferdinand Poni. Ndërsa kanë munguar kryeministri, presidenti, Kryetarja e Kuvendit dhe ministrat.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)