Me një vlere prej 29 milionë lekësh Bashkia e Durrësit ka blerë 700 kazanë trengjyrësh për diferencimin e mbetjeve. Fituesi i tenderit është shpallur kompania “Poëer Industries” dhe brenda pak ditësh pritet të vendosen kazanët e rinj në zonën e qendrës. Ky është vazhdim i një projekti të nisur në vitin 2022 ku janë vendosur 300 kazanët e parë, por qytetarët ende vazhdojnë ti nxjerrin mbeturinat nga shtëpia, të pa ndara.

Siç shihet në pamjet e xhiruara nga Report TV edhe pse janë kazanët me etiketa për mbetjet e letrës, plastikës dhe ato organike, qytetarët vazhdojnë ti hedhin shkujdesur në të njëjtin vend.  Të pyetur nga Report TV, ata thanë se nuk kanë informacion për diferencimin e mbetjeve, ndërsa të tjerë shprehen se është kosto e shtuar për familjet e tyre.

“Jo deri tani nuk i kemi ndarë në metatike e plastike. Koshat janë aty por deri tani nuk është zbatuar. Është ide e mirë por shpresojmë të realizohet të mos jetë vetem show”, thanë ata.

Diferencimi i mbetjeve deri më tani ka dështuar jo vetëm pasi nuk është përqafuar nga qytetarët, por edhe Ndërmarrja e Shërbimit Komunal nuk e zbaton, pasi pavarësisht kategorive të mbeturinave dhe koshave përkatës, mbledhja e tyre kryhet po me të njëjtin kamion duke mos i diferencuar ato në grumbullim.