Zv ministri Tregtisë Ekonomisë dhe Energjetikës, Sokol Dervishaj, që mban njëkohësisht postin e kryetarit të komisionit të Vlerësimit të Ofertave deklaroi sot paradite në një konferencë për shtyp se shkak i mos suksesit ka qenë mos paraqitja e ofertave. Ai kërkoi të nënvizonte se gjithsesi ka pasur interes për blerjen e tyre, por kompanitë janë tërhequr për të bërë propozimet për ndryshimet e nevojshme për procedurën e tenderimit.
“Sot komisioni u mblodh në orën 09:00 për shkak të mos paraqitjes të asnjë oferte të HEC Bistrica 1 e Bistrica 2 dhe Ulëza e Shkopeti, komisioni vendosi t’i propozojë deklarimin e mos suskesit të këtij procesi. Procesi nuk ka dështuar pasi në momentin e dorëzimit të ofertave të gjithë ofertuesit kompanitë serioze kanë paraqitur kërkesa në lidhje me këtë proces, dhe kanë demostruar vullnetin por kërkojnë përmirësim të procesit”
Sipas Dervishajt kompanitë kërkojnë përmirësim në lidhje me “procedurat e rregullimit të tregut. Bankat kredituese në Europë kanë vështirësitë e tyre financiare dhe kërkojnë kohë. Gjithashtu kërkohet riregullimi i raportit që do të kenë privatizuesit me koorporatën elektroenergjetike”- informoi Sokol Dervishaj në konferencën për shtyp në ambientet e ministrisë së Ekonomisë.
HIDROCENTRALET
Katër hidrocentralet e nxjerra në shitje, të madhësisë mesatare mbi lumenjtë Bistrica dhe Mat janë ato që kanë dhe normat më të larta të fitimit. Së bashku me HEC-in e Lanabregasit, që iu shit Drejtorisë së Ujësjellësit, këto hidrocentrale dhanë rreth 6 për qind të të ardhurave totale të KESH-it, duke zënë vetëm 2.9 për qind të shpenzimeve. Pra, norma e fitimit të tyre është të paktën dy herë më e lartë nga mesatarja e KESH. Shkopeti dhe Bistrica janë vepra që vitet e fundit kanë marrë investime të mëdha nga fondet e buxhetit dhe ndihma nga qeveria gjermane. Privatët që do t'i blejnë nuk kanë nevojë të shpenzojnë para për investime, por do të kenë një fitim të garantuar.Nga ana tjetër, menaxhimi i tyre është teknik, ndaj dhe kalimi i tyre tek privatët nuk sjell përmirësime të mëdha ne menaxhim, eficence apo ulje korrupsioni, siç mund të ishte rasti i një ndërmarrjeje tjetër
publike. Shitja e tyre, në këto kushte, bëhet krejtësisht për të mbuluar vështirësitë financiare të buxhetit në kushte krize.
Përmes procesit të shitjes së 4 HEC-eve, qeveria shqiptare synonte të përfitojë një shumë prej 100 milionë eurosh. Por nga ana tjetër ekspertët deklarojnë se vlera reale e 4 HEC-eve është rreth 300 milionë euro. Kjo për faktin se këto hidrocentrale i janë nënshtruar kohët e fundit një procesi rikonstruksioni dhe secili prej tyre.
DESHTIMI I PARE DHE SHTYJRA E HAPJES SE ZARFEVE
As tre muaj më parë nuk pati oferta që mund të cilësoheshin të leverdishme për blerjen e 4 HEC-eve. METE më 10 shtator kreu një veprim të pazakontë, duke e shtyrë për disa ditë periudhën midis dorëzimit të zarfave me ofertat për blerjen e dy prej këtyre HEC-eve me hapjen e tyre. Konkretisht, u tha se në orën 09:00 të datës 14 shtator do bëhet hapja e ofertave për privatizimin e dy HEC-eve të para, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, ndërsa në orën 14:00 do të hapen ofertat për dy HEC-et e tjera Ulza dhe Shkopeti, ndërkohë që dorëzimi i ofertave do të bëhej më parë.
(sg/shqiptarja.com)