6 të shoqëruar për atentatin në Tiranë/ Gjini ndërroi makinën 10 min para shpërthimit të telekomanduar! Kushëriri: S'kishte karburant te 'ML-ja'! Sekuestrohen tabulatet e telefonave

TIRANË- 6 persona janë shoqëruar për atentatin e telekomanduar me telefon ndaj Preng Gjinit, ndërsa zbulohet se ai ka ndërruar makinën vetëm 10 minuta para shpërthimit me tritol. Report Tv ka zbardhur detaje të reja nga atentati i djeshëm, ku mësohet se Gjini ishte duke udhëtuar me mjetin e kushëririt, Fatjon Dauti, me të cilin jetonte prej kohësh në kryeqytet. Ky i fundit në dëshminë që Report Tv ka zbardhur, thotë se Prenga i kërkoi makinën "Benz A Class" pasi e tija " ML" s’kishte karburant, ndërsa shtoi se sapo ishte kthyer nga Lushnja ku merret me tregtimin e librave.

Oficerët e Policisë Gjyqësore të Sektorit të Krimeve të Jetës në Policinë e Tiranë kanë marrë tabulatet telefonike të telefonave që kanë vepruar në atë moment të shpërthimit në zonën e "Vasil Shantos" për të analizuar thirrjet hyrëse dhe dalëse, nisur nga fakti që shpërthimi është bërë i telekomanduar me celular. Personat e shoqëruar deri më tani në Polici janë nga Tirana, Durrësi dhe Rrësheni.

1600266588_GJINIPRENG.jpg

Mendohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur për hakmarrje që ka lidhje me sagën e vrasjeve mes fiseve 'Reçi dhe Gjini'. Gjini ka qenë person i shoqëruar për vrasjen e Kastriot Reçit, pronari i mediave që u vra në 27 janar të 2020, ku u mor në pyetje për mbi 15 orë. Madje atij iu mor një kampion pështyme për krahasim ADN-je pasi aso kohe në vendin e ngjarjes u gjet një qese me kikirikë. Ekspertiza e tij nuk ka dalë ende. Në momentin e atentatit, Gjini ka qenë i vetëm në makinë, ndërsa gruaja dhe 2 vajzat binjake jetojnë në Amerikë.

Të vetmet kamera sigurie janë tri të bashkisë së Tiranë, dy prej të cilave në kënde të ndryshme filmimi dhe një tjetër me kënd rrotullues. E ndërsa kamera e sigurisë e rezidencës ushtarake turke besohet se ka filmuar të gjithë skenën. Pamjet filmike janë sekuestruar që ditën e djeshme në Bashki me shpresën e fiksimit të personi që ka aktivizuar tritolin, por edhe të disa subjekteve në zonë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:33
Preng Gjini i druhej një atentati të mundshëm/ Familjen e kishte në SHBA, shkonte rrallë në Rrëshen

Preng Gjini i druhej një atentati të mundshëm për këtë arsye mësohet se ai tregohej i kujdesshëm në lëvizjet. Ai shkonte shumë rrallë në Rrëshen, ku jeton familja e tij. Familjen, gruan dhe 2 vajzat binjake i kishte dërguar që prej vitit 2019 në SHBA.

Ora 12:50
Mjeku: Preng Gjini me dëmtime në bark, mushkëri, qafë e sy! Ka qenë stabël gjatë natës (VIDEO)

Mjeku që është po kujdeset për Preng Gjinin ka dhënë detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore. Mjeku ka bërë me dije se Gjini ka bërë një ndërhyrje në bark, teksa pritet t'i nënshtrohet një operacioni në sy, por gjendja e tij paraqitet e stabilizuar.

"Gjendja e pacientet që ka ardhur dje me eksploziv, është e stabilizuar. Po bën një ndërhyrje te sytë. Dje ka bërë operacion dhe ka shkuar mirë, ka zgjatur rreth 4-5 orë. Të gjitha parametrat kanë qenë stabël edhe gjatë natës. Pacienti për momentin ka qenë në reanimacion, ka pasur dëmtime në kokë, sy, në fytyrë, në qafë, një nga ciflat i kanë mbetur në gjendën tiroide, dëmtime në mushkëri dhe bark, është hequr një pjesë zorrësh e janë qepur. Deri sa të dalë nga spitali ka risqe se plagët konsiderohen të rrezikshme, do ta ndjekim. Me përjashtim të dorës së majtë që ka disa gishta të dëmtuara rëndë, pjesa tjetër nuk besoj se do të kenë ndërhyrje", tha mjeku.

Ora 12:17
Flet kushëriri: Prenga më kërkoi makinën se s’kishte karburant

Fatjon Dauti, deri në këtë fazë të hetimit është njeriu që ka dhënë shpjegime të vlefshme, lidhur me ngjarjen e rëndë, të ndodhur ditën e djeshme, ku u tentua të vritej Preng Gjini. Dauti, është djali i hallës së Preng Gjinit dhe së bashku shoqëroheshin shpesh në Tiranë. Fatjon Dauti ka dhënë dëshminë deri në orët e vona të natës në ambientet e Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje nga policia dhe prokurorët e çështjes.

Ai ka treguar se punon si agjent marketing pranë një kompanie që tregton libra dhe materiale kancelarie. Ditën e djeshme ka qenë në qytetin e Lushnjës ku ka çuar mallin e porositur nga një klient dhe më pas është kthyer sërish në Tiranë. Dauti ka treguar se në orët e pasdites në Tiranë ka lënë takim, pranë një universiteti privat me kushëririn e tij, djalin e dajës së tij, Prengën. Ky i fundit ka shkuar me një automjet “Mercedez Benz” ML dhe teksa të dy kushërinjtë kanë qëndruar së bashku dhe kanë konsumuar kafe, ata janë ndarë nga njëri-tjetri. Dauti ka treguar në polici se Prenga, i ka kërkuar t'i përdorte makinën e tij një “Mercedez-Benz A-Class”, me pretendimin se makina e tij nuk kishte shumë karburant dhe për më tepër ishte me praktike për t'u parkuar. Dauti, ka shpjeguar se kushëriri i tij nuk i ka thënë asnjë fjalë se ku ishte destinacioni. Por ai ia ka dhënë makinën pa asnjë ngurim, pasi një gjë të tillë e bënte shpesh, sa herë Preng Gjini ia kërkonte.

E njëjta skenë është përsëritur dhe ditën e djeshme. Preng Gjini ka marrë makinën e kushëririt dhe është larguar në një destinancion ende të paqartë. Ai ka hyrë nga rrugica prapa qendrës së kolaudimit, duke dalë mandej në rrugicën që është ngjitur me qëndrën e Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit dhe rezidencën ushtarake Turke në Tiranë. Sapo ka hyrë në urrën e Nisharakut, mjeti ka shpërthyer, duke sjellë dëmtime të shumta të Preng Gjinit, por fatmirësisht ka mundur të shpëtojë. Ditët në vijim, prokuroria dhe policia pritet të marin në pyetje Preng Gjinin. Policia kontrolloi dhe makinën “Benz ML” të Preng Gjinit, por nuk kishte asnjë lëndë plasëse.

Ora 12:16
Report Tv siguron foton e Preng Gjini të plagosur dje në atentat

Report Tv siguron foton e Preng Gjini të plagosur dje në atentat.

Ora 12:07
I fashuar në dorën e majtë, foto nga Preng Gjini në spital

1600250311_prenggjini.jpg

Ky është Preng Gjini në spital, pas atentatit. Ai është në gjendje të stabilizuar, por mësohet se do t'i nënshtrohet një tjetër operacioni, pas atij në bark, në sy për shkak të dëmtimit që mori si pasojë e shpërthimit. Gjini ka marrë dëmtime edhe në krahun e majtë, siç shihet në foton që Report Tv disponon.

Ora 11:10
Policia shoqëron 6 persona për atentatin e Preng Gjinit, merren tabulatet telefonike

Policia ka shoqëruar 6 persona si të dyshuar apo në dijeni për atentatin nga Preng Gjinit, i cili u plagos rëndë gjatë shpërthimit me eksploziv të makinës së tij.

Siç raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, Oficerët e Policisë Gjyqësore të sektorit të krimit në Policinë e Tiranës kanë marrë tabulatet telefonike në katër antenat e zonës Vasil Shanto për të analizuar thirrjet hyrëse dhe dalëse.

Shpërthimi ka qenë i komanduar me telefon. Personat e shoqëruar janë nga Tirana, Durrësi dhe Rrësheni.

Preng Gjini ka qenë i vetëm në makinë në momentin e shpërthimit. Mësohet se vajzat binjake dhe gruaja e tij ndodhen në Amerikë.

Ora 10:58
Atentati ndaj Preng Gjinit/ Kush është prokurori i 'dosjeve të nxehta' që do bëjë hetimet

Leonard Filopati është prokurori i cili do të zhvillojë hetimet për atentatit ndaj Preng Gjinit gjatë pasdites së djeshme. Filopati ka në dorë edhe një tjetër shumë të bujshme, atë të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.

Ora 10:04
Dje iu bë atentat me tritol, stabilizohet gjendja e Preng Gjinit! Do i nënshtrohet një operacioni, i janë dëmtuar sytë

Report Tv mëson se gjendja e Preng Gjini është e stabilizuar, por vijon të mbetet në trajtim intensiv. Gjatë ditës së sotme mund të kryej një ndërhyrje për sa i përket syve që janë dëmtuar për shkak të shpërthimit.

B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 17/09/2020 00:41

    Per mendimin tim, ka mundesi qe shenjestra te kete qene kusheriri,por mund te kete qene dhe vete Gjini shenjester.Per derisa makina shpertheu pak pasi u nda nga kusheriri,duhen pare kamerat e lokalit ku ata pine kafe, e parkingut para tij.Ka shume mundesi, qe atentatori ka ndjekur njerin prej tyre,dhe mund te jete dhe ulur ne local afer tyre dhe I ka pergjuar ,dhe kur eshte siguruar se do te ndronin makinat ,mund te kete dale para tyre dhe ka vene shpejt e shpejt bomben.Mund te kete bashkpunetor qe e priste jashte dhe mund te kene vazhduar ta ndjekin,derisa gjeten vendin dhe largesine e duhur per te shperthyer bomben.

    Përgjigju
    • Boli: 22/05/2024 23:05

      ose mund te jete vete Fatjoni qe genjen per arsyet e takimit ne kafe sepse eshte ai qe e ka ftiar Prengen per kafe me qellimin ti jape makinen me tritol qe do shpertheje me telekomande

  • Lari: 16/09/2020 20:34

    Eh mer enver ku je mer burr shteti se jena bo ma keq se ne kabul,vetem ti i vjen hakut ktyre e te hujve grekve serbve ...

    Përgjigju
  • Itreshi: 16/09/2020 15:08

    Se kuptoj 10 minuta para antetatit eshte nderruar mjeti i bie qe antentati do kyej ndaj nipit se ku e dinin antetatoret qe makinen do e merrte viktema prandaj te ruhet nipi per mua

    Përgjigju
  • Santa Quaranta: 16/09/2020 15:05

    Prokurori duhet te jape doreheqjen nga ceshtjet se eshte mirditor! Nuk e paragjykoj personalisht se nuk e njoh por njoh Mirditen!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni