Forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit, Roskovecit, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës janë angazhuar në shuarjen e flakëve që kanë shpërthyer përsëri në masivin pyjor të Darëzezës. Zjarri i djeshëm u shua në mëngjes, por në mesditë vatrat e zjarrit u riaktivizuan, duke u përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Terreni i vështirë ranor ka bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke detyruar efektivët të përdorin mjete rrethanore. Ndërkohë, Bashkia Fier ka vënë në dispozicion një traktor me zinxhir për hapjen e korridoreve. Riaktivizimi i vatrave të zjarrit në Darëzezë ka ndodhur paralelisht me një tjetër vatër zjarri në kodrat e Zhupanit, ku edhe në këtë zonë ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qenë e kufizuar.
Burime pranë Prefekturës Fier bëjnë me dije se është bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat në terren po luftojnë me flakët për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Lajmi kryesor:
Sërish zjarr në pyllin e Darëzezës, 7 mjete zjarrfikëse punuan në terren! 10 ha në flakë, ndërhyrje edhe nga ajri me helikopterin 'Cougar'
