“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po shqyrton letrën e Presidentit të Republikës, në përgjigje të kërkesës së dërguar prej saj, për lëshimin e autorizmit për fillimin e negociatave me palën greke për delimitimin e hapësirave detare mes dy vendeve.
Çështjeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’u përgjigjet në rrugë institucionale. Sikundër Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet e nisura me Presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces. Procesi i nisur me Greqinë është kompleks, ndaj kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston” mbyllet reagimi.
Presidenti Ilir Meta bëri publike sot letrën që i ka dërguar ministrit Bushati ku i kërkon plotësimin e disa pikave para se të japë plotfuqinë për nisjen e negociatave me Greqinë. Meta u shpreh se para se të japë autorizimin për plotfuqinë kërkon që të saktësohen nga Ministria e Jashtme; titulli, objekti, kufijtë që do të negociohen, metodologjia dhe ekipin negociator.
d.b/shqiptarja.com












