Për shkak të motit me shi dhe erë të fortë, që ka përfshirë vendin tonë vijojnë të jenë të pezulluara lundrimet e trageteve të linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas. 

Kapiteneria e Portit të Durrësit ka pezulluar gjithashtu dhe lundrimin për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit. Sipas autoriteteve portuale, forca e detit shkon deri në 8 ballë.  Deri atëherë, të gjitha mjetet detare janë të detyruara të qëndrojnë të ankoruara për të shmangur çdo incident të mundshëm. 

Anijet e peshkimit dhe ato të mallrave janë në kalata dhe nuk lejohet të dalin në lundrim. E njëjta situatë është dhe në portin e Vlorës ku është pezulluar lundrimi i peshkarexhave. Ndërsa trageti i Brindisit nuk ka orare për ditën e sotme. 

Parashikohet që situata të përmirësohet në orët e para të së martës, 25 mars, duke krijuar mundësi për rifillimin e lundrimit.