Banorët e Rinasit janë ngritur në protestë dhe kanë bllokuar aksin rrugor për në drejtim të Rinasit dhe janë përplasur me policinë pas vendimit nga ARRSH se qarkullimi drejt Aeroportit do të realizohej me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq. Për rreth 30 minuta banorët bllokuan rrugën nga Ura e Gjolës drejt Rinasit nga 60-70 protestues që ishin banorët të zonës ndërsa të pranishëm kishte edhe forca të FNSH. 

Mjetet që vijnë nga veriu për në Rinas duhet të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Rruga e njohur si ‘Ura e Hajdutëve’ që të lidh me Kamzën është bërë me një sens lëvizje dhe banorët e asaj zone që duhet të shkojnë drejt Rinasit apo për të shkuar në autostradë, nuk kalojnë dot aty. Ata duhet të shkojnë tek Ura e Gjolës, më pas tek Fushë Preza dhe për të kaluar më pas tek rrethrrotullimi i Vorës për të marrë aksin e autostradës. Kjo është arsyeja përse dolwn në protestë pasi i është zgjatur rruga për të shkuar në punë dhe jo vetëm! Ata thonë se i kanë izoluar dhe nuk shkojnë dot as për të përcjellë në banesën e fundit të afërmit e tyre.  Ndërkohë i janë shtuar kostot e përditshme ekonomike në një kohë kur çmimet e karburanteve dhe shportës janë rritur.

Protestuesit paralajmëruan se do të vijojnë protestat edhe ditët e tjera derisa lëvizja të bëhet si më parë. Para disa ditësh, ARRSH njoftoi devijimin e lëvizjes drejt aeroportit që nga 1 Maji për një afat të pacaktuar pasi ka rritje të fluksit të qarkullimit të automjeteve drejt Aeroportit të Rinasit, pas lirimit të masave anti-COVID.

Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët Arsen Rusta dhe Julian Shota

 

 

Harta si do të bëhet devijimi 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:31
Ndërhyn policia, hapet rruga në një kah drejt të Rinasit

 

Pas ndërhyrjes së policisë është bërë hapja e rrugës në një kah për të shmangur radhët e gjata të trafikut drejt aeroportit të Rinasit. Ndërkohë protestuesit vijojnë të qëndrojnë aty pasi kërkojnë që të ndërrohen tabelat dhe rruga drejt aeroportit të Rinasit të mos jetë vetëm me një sens drejtimi. 

Ora 10:24
Banorët paralajmërojnë policinë: Kanë ardhur me shkopa gome, nëse preket njëri me dorë do e shohin kush jemi ne! Nuk lëvizim derisa të hiqen tabelat

 

Banorët e shqetësuar thonë se nuk do të largohen, pavarësisht prezencës së forcave të policisë. Ata thonë se janë të gjithë të zonës dhe nuk do të dorëzohen derisa të merret vendimi që të bëhet sërish lëvizja me dy sense drejtimi.

"Ky është shteti që na kanë sjellë për të na rrahur, për të na mbyllur në shtëpi. Për të blerë bukë, duhet t'i biem nga Vora. Nuk çojmë dot fëmijët në shkollë. Unë e kam marrë vesh pardje, nuk dimë asgjë. Nuk ka asnjë rrugë, vetëm nga Fushë-Kruja. Është planifikuar protesta 10-12. Deri me 12 nuk do të lëvizim. I kemi njoftuar të gjithë. Këtu është planifikuar vendi. Nesër nga 6 e 8 orë do rrimë këtu derisa të hiqen tabelat, ose do të marrim kazma e matrapika për të hapur një kanal për të kaluar. Nuk gjendet zgjidhet me këta. Shihe çfarë ka bërë kryeministri jonë. Ne nuk kemi ardhur me shkopa gome. Ne kemi ardhur me duar në xhepa. Nëse njëri nga banorët e Rinasit preket me dorë, atëherë keni për ta parë se kush janë banorët e Rinasit", thonë banorët.

Banorët thonë se ky vendim për të bërë lëvizjen me një sens drejtimi ka rritur edhe koston e përditshme.

“Nga shtëpia deri në aeroport shkon 15 mijë lekë. Ne jemi të gjithë këtu", tha një banor.

Për 100 metra rrugë duhet të bëj 60 km, duhet të shkoj në Vorë, në kthesë të Kasharit e të kthehem”, thotë një tjetër protestues.

Ora 10:20
Banorët përplasen me policinë: Na kanë izoluar! Nuk shkojmë dot as në varreza

 

Banorët thonë se arsyeja përse kanë dalë në protestë pasi i është zgjatur rruga për të shkuar në punë dhe jo vetëm! Ata thonë se i kanë izoluar dhe nuk shkojnë dot as për të përcjellë në banesën e fundit të afërmit e tyre. 

“Na kanë izoluar, na kanë bllokuar nëpër shtëpia. Ky fshat i Rinasit është i bllokuar me çdo lloj dalje. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër për të shkuar në varreza, për të shkuar në shkolla, për të punuar tokat. Unë e kam marrë vesh pardje kur kanë vënë tabelën përpara. Nuk ka asnjë rrugë për të shkuar në varreza, vetëm nga Fushë-Kruja”, tha një banor.