TIRANE - Nepotizmi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli është gati proverbial dhe është shtrirë dhe në diplomaci. Kështu, një i ri pak më shumë se 20 vjeç, i fejuari i vajzës së Jozefina Topallit, tashmë është në ambasadën shqiptare në Paris, në sektorin e Kulturës. Bëhet fjalë për këngëtarin Luiz Ejlli, emërimi i të cilit është bërë vetëm dy vite më parë dhe që tashmë mund të cilësohet një diplomat i “vjetër”.

Thuhej në atë kohë që emërimi duket se është nxitur nga fakti që vajza e zonjës Topalli është studente në Francë dhe më këtë rast bashkëjetesa me një djalë që punon në ambasadën shqiptare lehtëson infrastrukturën e jetës së tyre në Paris.

Ministria e Jashtme në Tiranë dhe sot e kësaj dite nuk e konfirmon nëse këngëtari shkodran Luiz Ejlli ka bërë ndonjë ko¬nkurs, apo ka konkurruar sipas rregullave të Komisionit të Shërbimit Civil. I ri, i papërvojë në diplomaci, edhe CV-në e vetme të tij si këngëtar e ka të sfumuar tani si dhëndër i kryetares së parlamentit. Madje thuhet nën zë se dhe për të emërimi ka qenë i papritur, teksa e kanë lajmëruar kur ishte duke kënduar live në një nga lokalet në periferi të kryeqendrës së veriut.

Reagimet rreth emërimit të tij kanë të shumta, madje thuhet se dhe në Ministrinë e Jashtme ka pasur një farë hezitimi, por Meta asokohe ministër ka vendosur gjithçka e i ka lënë vetëm formalitetet Haxhinastos që e pasoi.

Ndërkohë që Topalli është zëri më i ashpër në Kuvend kundër opozitës që akuzojnë për lidhjet nepotike dhe ndoshta do t’i duhet t’i bëjë avokatinë emërimit të dhëndrit të saj si diplomat pa përvojë në Paris, në një kryeqytet shumë delikat sa i përket cilësisë dhe përvojës që duhet të ketë trupi diplomatik.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com


(Gre.M/Shqiptarja.com)